Vdekja që përgjon rrugëve të atdheut

Nga Arbër Koliqi

Kohëve te fundit, nuk ka dite kur lajmet nga Kosova nuk raportojnë për aksidente trafiku me pasoja fatale. Rritja e numrit te këtyre aksidenteve është, përveç tjerash, edhe rezultat e fluksit te diasporës i cili e vërshon Kosovën gjate sezonit veror. Te paktën, ky është perceptimi që kanë banorët lokal. Për ta testuar këtë hipotezë, do të duhej një studim i drejtë shkencor, gjë që është jashtë mundësive praktike të autorit. Megjithatë, diaspora ka një rol që mund ta luaj; rol i cili do ta zbuste sadopak numrin e këtyre tragjedive. 

Te gjithë Shqiptarët që jetojmë dhe veprojmë jashtë vendlindjes, me gëzim i presim rastet kur na krijohet mundësia qe t’i vizitojmë trojet tona, familjen dhe miqtë. Qe nga viti 2001, kur jam vendos në Amerikë, Kosovën e kam vizituar jo më pak se shtatë herë, kryesisht gjatë sezonit veror. Si i trajnuar dhe certifikuar vetëm ne Amerike, për mua ngasja e veturës në vendlindje ka qenë gjithmonë sfiduese— e  shoqëruar me gabime të herëpashershme dhe sharje të ndërsjella me vozitësit e tjerë, të cilat intensifikoheshin kur kuptohej se isha nga ‘diaspora’. Fatmirësisht, por edhe si pasoje e vigjilencës së shtuar, gjithmonë ia kam dal t’i kalojë ato peripeci të trafikut dhe të kthehem ne Amerike shendosh e mirë.  Fatkeqësisht, ky nuk është tregimi i të gjithë neve. Secili njohim bashkatdhetarë qe kanë përjetuar tragjedi të renda nëpër rrugët e vendlindjes, pa ose me fajin e tyre.

Ne shumicën e rasteve, arsyeja kryesore e aksidenteve të trafikut  është humbja e vëmendjes dhe mos-përshtatja e shpejtësisë me rrugën— kjo është universale. Por Kosova ka edhe probleme shtesë, duke u radhitur nga gjendja e mjerueshme e rrugëve, mungesa e shenjave të trafikut dhe vjetërsia e automjeteve, deri tek (jo)profesionalizmi i kuadrit policor, kapacitetet e limituara të gjyqësorit dhe korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes. Këto të meta, Kosovës i krijojnë një ambient trafiku të pasigurt, i cili përkeqësohet gjatë sezonit veror. Sipas disa raporteve të fundit, numri i aksidenteve këtë vit në Kosove është shtuar për 3%. Ne shumicën e rasteve, palë ne këto aksidente janë banoret lokal. Megjithatë, shpesh ndodh kur viktima apo shkaktarë të fatkeqësive janë edhe bashkatdhetarët nga diaspora. Javën e kaluar, një emision lajmesh raportonte se brenda 24 orëve ne Kosovë kishin ndodhur 159 aksidente trafiku, disa edhe me pasoja fatale. Në dy nga ato aksidente që kishte veçuar reportazhi, një pjesë e personave te involvuar ishin mërgimtarë që kishin shkuar atje për pushime. Në reagimin e qytetareve në reportazh, vërehej se kishte një bindje që faji është pikërisht tek këta ‘vizitorë’ që nuk po i respektonin rregullat e trafikut si duhet.

Reagime të ngjashme ka plot edhe në portalet sociale, ku diaspora shpesh kritikohet për kualifikim jo-adekuat për ngasje të automjeteve nëpër rrugët e Kosovës dhe për ‘shitje mëndësh’ me vetura ‘luksoze’. Një miku im nga një rrjet social, i mllefosur pasi një veture me targa të huaja kishte parkuar gabimisht në trotuar, na shkruante me këto fjale,  “ju qe po vini nga diaspora, a do ta kishit parku veturën në trotuar në Gjermani?’ Pa marre parasysh meritën e këtyre akuzave dhe përgjithësimeve, një pyetje e drejtë duhet të bëhet: A i respektojmë ne mërgimtaret ligjet e vendlindjes sikur ato të shtetit ku jetojmë dhe veprojmë?

Unë them se jo! Dihet se përveç në disa raste të rralla, kur në vendlindje shkojmë për punë urgjente, ne diaspora pushimet atje i marrim si çlirim nga stresi ditor dhe puna e rënde në shtetin nikoqir. Gjate qëndrimit 3-4 javor ne vendlindje, mundohemi t’i vizitojmë sa më shume familjarë, të takojmë sa më shumë miq, por edhe ta kryejmë ndonjë ‘pushim-gjate-pushimit’ në Shqipëri apo Mal të Zi. Shkurt, vendlindja për ne është ikje nga ‘ligjshmëria’ dhe jeta e robotizuar e vendit ku jetojmë dhe punojmë— është një Las Vegas i llojit të vet, hiq mundësinë e fitimit të ndonjë shume te majme te parave. Kjo eufori që na përcjell nga momenti kur nisemi për aeroport deri ne ditën e kthimit, sado humane dhe atdhedashëse, vë në rrezik jetën tonë dhe të qytetarëve atje. Kur kësaj euforie ia shtojmë edhe mos-njohjen e ligjit dhe praktikave te komunikacionit atje, rreziku shumëfishohet.

Sigurisht që nuk mund të futet e gjithë diaspora në një thes. Babai im, për shembull, preferon të përdor trafikun urban, ose shpesh here edhe ecjen, për ta shijuar vendlindjen. Për me tepër, ai ka edhe frike nga komunikacioni në Kosovë, dhe fajin për ketë ia lë banorëve vendas, që sipas tij s’kanë respektin më të vogël për ligjin e komunikacionit. Por ne të tjerët që nuk i takojmë këtij grupi, duhet të marrim përgjegjësitë mbi vete, së pari për hir te sigurisë sonë personale dhe sigurisë së tjerëve, por edhe për hir te luftimit të këtyre botëkuptimeve. Sjellja më e mire në këtë drejtim është respekti për ligjet, veçanërisht për ato te komunikacionit, familjarizimi me rrugët dhe shenjat e komunikacionit, dhe kujdesi i shtuar gjatë pushimeve në vendlindje. Më kujtohet kur gjyshi im në Kosovë thoshte se, “ngasës shembullor është ai i cili i parasheh dhe më pas i korrekton gabimet e tjetrit në komunikacion”. Të gjithë e dimë që gjyshërit rrallë gabojnë.