Vdes në burg, udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, 47 vjeç

Nga Radio Europa e Lirë

Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, ka vdekur në burg, u tha në një deklaratë të lëshuar nga një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve.

Në deklaratën e Shërbimit Federal të Burgjeve u tha se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen.

Një autoambulancë shkoi në tetim për ta trjatuar, por ai vdiq, u tha në deklaratë.

“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Mediat e kontrolluara nga shteti rus po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.

Media shtetërore, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij.

Ndërkaq, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.

“Shërbimi Federal i Burgjeve në qarkun Jamalo-Nenets po shpërndan lajme për vdekjen e Aleksei Navalnyt në burgun IK-3. Ne ende nuk kemi konfirmim për këtë lajm. Avokati i Navalnyt do të shkojë atje dhe sapo të kemi informacione, do t’iu njoftojmë”, shkroi ajo.

Avokati Leonid Solovyov tha për Gazetën Novaya se me kërkesë të familjes, ai nuk do të komentojë raportimet për vdekjen e Navalnyt.

“Me vendimt ë familjes së Aleksei Navalnyt, unë nuk do të komentoj për asgjë. Aleksei u takua me një avokat më 14 shkurt. Gjithçka ishte në rregull”, citohet të ketë thënë Solovyov.

Më 14 shkurt, autoritetet kishin njoftuar se Navalny ishte dërguar në izolim për të 27-herë që kur ishte burgosur tri vjet më parë.

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny, ishte dënuar me 19 vjet burgim më 2023 nën akuza për ekstremizëm. Para këtij dënimi, ai po ashtu ishte gjetur fajtor për mashtrim.

Ai dhe ekipi i tij vazhdimisht kanë argumentuar se akuzat ishin të motivuara politikisht dhe organizatat e të drejtave të njeriut e kishin cilësuar Navalnyn si të burgosur politk.

Navalny, i cili ka qenë afër vdekjes, pasi është helmuar me agjent të tipit Noviçok, më 2020 – për çka i kishte fajësurn operativët rusë të sigurisë se kanë vepruar në emër të presidentit rus, Vladimir Putinit – u ndalua më 17 janar 2021, në aeroportin e Moskës, pasi ka arritur aty prej Gjermanisë, ku është trajtuar pas helmimit.

Së fundi, Navalny ishte dërguar të vuante dënimin në burgun famëkeq, IK-3 në Siberi, i njohur edhe si “Ujku polar”.

*Lajmi është duke u përditësuar