Nju Jork, 10 prill 2026 – Ka vdekur në moshën 79-vjeçare, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës.
Engel ishte demokrat. Ai ishte përfaqëses i Bronksit, kuartit të qytetit të Nju Jorkut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare, që nga viti 1989. Ai ishte larguar nga Kongresi amerikan në janar të vitit 2021, pas më shumë se tri dekadash në detyrë.
Engel kishte hyrë në Kongres në kohën që Jugosllavia po ndahej dhunshëm në vija etnike. Si kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kogres, ai ishte përfshirë në shumë mosmarrëveshje rajonale, gjë që e bëri njërin ndër njohësit më të mirë të i Ballkanit.
Engel, si kongresist dhe si udhëheqës i Komitetit të Punëve të Jashtme, ka qenë ndër figurat më mbështetëse për Kosovën në Kongres. Ai e luajti një rol shumë të rëndësishme në denoncimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nga Serbia.
Ai ishte ndër ligjvënësit e parë amerikan që qysh në vitin 1998 i kishte bërë thirrje administratës së Presidentit Bill Clinton që të ndërhynte për të parandaluar krimet e forcave serbe e jugosllave në Kosovë.
Ishte mbështetës i fuqishëm i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, të cilën e pati cilësuar si suksesin më të madh të politikës së jashtme për SHBA-në dhe për Perëndimin.
Eliot Engel ishte shumë herë në vizitë në Kosovë. Ai kishte marrë pjesë edhe në seancën solemne të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Më pas ishte mbledhësi kryesor i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Pas shpalljes së pavarësisë, Engel u angazhua me gjithë forcën për shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Në momente tensionesh me Serbinë, ai kërkonte vazhdimisht që SHBA-të të reagonin kundër provokimeve nga Serbia, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Nuk e dija pasionin që do të zhvilloja për një cep të vogël të Evropës, të quajtur Ballkan”, kishte thënë ai më 8 dhjetor 2020, në një seancë dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve, ku kishte folur për Ballkanin Perëndimor dhe, veçmas, për Kosovën.
“Kam udhëtuar në çdo vend të Ballkanit Perëndimor disa herë, jam takuar me aq shumë udhëheqës nga aq shumë parti dhe kam dashuruar larminë e pasur të kulturave, etnive dhe feve. Por, asnjë vend nuk më ka prekur zemrën më shumë se Kosova”, kishte theksuar ai.
Në një shkrim të vitit 2023, ai pati bërë thirrje SHBA-së që të merrte rol udhëheqës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe të promovojë një marrëveshjes për njohjen reciproke midis Kosovës e Serbisë.
Mbështetja e palëkundur për Kosovën, gjatë dekadave të tëra, e bëri Engelin një figurë shumë të respektuar në Kosovë dhe ndër shqiptarët kudo. Në Kosovë është pagëzuar me emrin e tij një autostradë. Është lëshuar edhe një pullë postare me portretin e tij.
Kjo e bëri atë një figurë të padëshiruar në Serbi.
(r.m.)