
Ruben Avxhiu
Jesse Jackson, figurë e njohur politike amerikane vdiq sot në moshën 84-vjeçare.
I përshkruar si figura mbizotëruese politike afrikano-amerikane, në periudhën ndërmjet vrasjes së Dr. Martin Luther King Jr dhe zgjedhjes së Presidentit Barack Obama, Jesse Jackson kandidoi vetë për president në 1984 dhe 1988.
Në 1988 mund të kishte fituar, por elita demokrate besonte se ishte shpejt për Amerikën që të pranonte një president të zi dhe mbështeti greko-amerikanin Michael S. Dukakis. Në fund edhe ai humbi përballë George HW Bush.
Në fakt, “The New York Times” e thotë saktë se Jesse Jackson nuk arriti as figurën morale të Dr. King dhe as triumfin politik të Presidentit Obama. Një numër vesesh dhe skandalesh personale dëmtuan karrierën dhe imazin e tij publik.
Brezat e sotëm e njohin më pak por ishte një zë i përhershëm i debateve publike amerikane.
Në vitin 1999, u shfaq përkohësisht në mënyrë tangjenciale edhe në botën shqiptare, kur në mes të Luftës së Kosovës, udhëtoi në Beograd me një grup klerikësh amerikanë të të gjitha feve dhe ndërmjetësoi lirimin e tre ushtarëve amerikanë të kapur në kufirin me Maqedoninë e Veriut.
Në shkëmbim të lirimit, ai bëri thirrje NATO-s që të ndërpriste bombardimet sepse Millosheviqi ishte gati të negocionte përsëri. Mirëpo, Administrata Clinton tha se Jackson kishte udhëtuar privatisht në Beograd pa miratimin e qeverisë amerikane.
Në fakt, një koordinim prapa skenës mund të ketë pasur.
Me këtë rast, një nga udhëheqësit shqiptaro-amerikanë në Florida, John K Lulgjuraj botoi një letër në gazetën “Tampa Bay Times” me të cilën kritikoi takimin e Jackson-it me Millosheviqin. Për një udhëheqës që ishte bërë i njohur duke folur për të drejtat e barabarta të një komuniteti, injorimi prej tij i shtypjes së shqiptarëve në Kosovë nga një diktator si ai i Serbisë ishte një hipokrizi e madhe.
Jackson, me të vërtetë që u kujdes të mos e kritikonte Millosheviqin gjatë dhe pas këtij udhëtimi, një qendrim që ndryshonte shumë nga deklaratat e bashkëudhëtarëve të tij, sidomos klerikët myslimanë dhe hebrenj që kritikuan rëndë regjimin serb dhe tragjedinë që po u imponohej shqiptarëve.
Jackson megjithatë nuk ishte një apologjist i Millosheviqit, por qendrimet e tij vinin nga pikëpamje të forta pacifiste që nganjëherë shkonin deri në naivitet.
Megjithë rolin e padiskutueshëm në politikën amerikane dhe rolin pozitiv në përpjekjet për të drejta të barabarta, në SHBA, kur erdhi vërtet mundësia për të zgjedhur një president afrikano-amerikan, Jackson u përpoq ta sabotonte përpjekjen. Në 2007, u deklarua disa herë kundër Senatoritt ë Amerikës Barack Obama në 2007, duke e akuzuar ndër të tjera edhe se sillej “si i bardhë”.
Vuante prej vitesh nga parkinsoni dhe kishte marrë një goditje të rëndë emocionale kur i biri, kongresisti Jesse Jackson Jr u dënua me burg për abuzime fondesh financiare.
Shkrimin nga “The New York Times” për jetën e tij nuk i përmend këto më lart, por jep plot të dhëna të tjera nga jeta dhe karriera e tij. Mund talexoni këtu: