Veliaj për sekuestrimin e kompanisë së Inceneratorit të Tiranës: Më se i mirëpritur

Tiranë, 1 gusht 2023 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar lidhur me vendimin e SPAK-ut për sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës.

Në statusin e tij në “Twitter”, Veliaj ka shfryrë mllefin ndaj medieve dhe opozitës që e kanë ngritur çështjen e abuzimeve të kompanisë së kontraktuar nga Bashkia e Tiranës për trajtimin e mbetjeve urbane, ndërsa vendimin e SPAK-ut për sekuestrimin e kompanisë e cilësuar “më se i mirëpritur”.

“Histeria e portaleve te baltes tregon vetem qe baltaxhinjte e udhehequr nga Non Gratat s’e kane marr vesh akoma qe jemi ne epoke tjeter! Sekuestrimi dhe heqja nga duart e subjektit privat te impiantit te mbetjeve te Tiranes si rezultat i hetimeve te SPAK eshte mese i mirepritur ne rrugen e zbardhjes se veprimtarise se paligjshme te kujtdo qe ka abuzuar ne dem te interesit publik”, ka shkruar Veliaj.

“Bashkia e Tiranes nderkohe do te vazhdoje pa u ndalur punen per nje Tirane qe sot eshte pasqyre pastertie edhe si rezultat i transformimit te Sharres nga nje kancer urban ne nje fushe sanitare me standardet e duhura mjedisore. Koha punon per Tiranen dhe Shqiperine Europiane, jo per kandilet e Non Gratave qe do te shkojne drejt shuarjes”, ka shkruar ai.

SPAK sekuestroi sot kompaninë e inceneratorit të Tiranës. SPAK njoftoi se është duke zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Opozita dhe mediet e pavarura e kanë ngarkuar edhe Erion Veliajn me përgjegjësi për abuzimet me impiantin e mbetjeve urbane në Tiranë.

Tash për tash, nuk dihet nëse Veliaj është përfshirë ose jo në hetimet e SPAK-ut lidhur me këtë skandal.

(r.m.)