Veliaj: Vendimi i Kushtetueses nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare

Tiranë, 7 nëntor 2025 – Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës që gjendet në paraburgim, e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Erion Veliaj, në një postim në Facebook, shkruan se Gjykata Kushtetuese me vendimin për t’ias kthyer atij mandatin ktheu “dinjitetin e ligjit”.

“Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron”, shkruan Veliaj.

Ai thekson se do të vijojë të kërkojë që të mos “pengohet” në ushtrimin e detyrës së kryebashkiakut.

“Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar”, shkruan ai.

Gjykata Kushtetuese vendosi më 3 nëntor të rrëzojë vendimin e Qeverisë për shkarkimin e Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Gjykata vlerësoi si të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e qeverisë. Kryetarja e Kushtetueses Holta Zaçaj tha se qeveria nuk kishte referuar shkelje të rënda të Kushtetutës që do ta justifikonin shkarkimin e Veliajt.

Veliaj është arrestuar në bazë të dyshimit për veprat penale: abuzim me detyrën, korrupsion pasiv fshehje të pasurisë.

Por, Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i saj nuk ka të bëjë fare me çështjen penale për të cilën Veliaj po ndiqet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimitt ë Organizuar dhe Korrupsionit

Postimi i Erion Veliajt:

Të dashur miq,

Për shkak të kushteve ku ndodhem, vetëm tani munda të çoj këtë pusullë-postim me avokatët.

Drejtësia kushtetuese foli.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës.

Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij.

Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron.

Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua.

Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar.

Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë!

veliaj reagim facebook gjykata kushtetuese

(r.m.)