Vëllait të Salih Mustafës i konfiskohet telefoni me urdhër të Speciales

Prishtinë, 13 shtator 2023 – Arben Mustafës, vëllait të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i njohur me nofkën e luftës “Komandant Cali”, i është konfiskuar telefoni personal me urdhër të Gjykatës Speciale në Hagë.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i Mustafës, Betim Shala. Ai ka thënë se klientit të tij i është konfiskuar telefoni sot (e martë) në bazë të dyshimit se ai ka kryer veprën penale “pengim i administrimit të drejtësisë”.

Shala ka shprehur bindjen se Arben Mustafa nuk ka kryer kurrrfarë vepre penale, pra as veprën penale “pengim i administrimit të drejtësisë”.

“Ekziston dyshimi i kryerjes së veprës penale dhe është bërë në bazë të urdhëresës së gjykatës së Dhomave të Specializuara. Bëhet fjale për pengim të drejtësisë. Prokuroria do të bëjë ekzaminimin këtij telefoni dhe në bazë të rezultateve do të rezultojë a mbështetet ai dyshim apo jo. Por, unë besoj që nuk do të vërtetohet ky dyshim. Sa kam unë informata, nuk besoj që klienti im, Arben Mustafa, ka kryer ndonjë vepër penale, pra as pengim të drejtësisë”, ka thënë Shala.

Në dhjetor të vitit të kaluar, në shkallën e parë të Gjykatës Speciale, Salih Mustafa është shpallur fajtor për akuzat për krime të luftës dhe është dënuar me 26 vjet burgim.

(r.m.)