Vendimi i Apelit në Hagë për Salih Mustafën shpallet më 14 dhjetor

Hagë, 27 nëntor 2023 – Vendimi i Kolegjit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të shpallet më 14 dhjetor 2023.

“Kolegji i Gjykatës së Apelit: PLANIFIKON shpalljen e Aktgjykimit të Apelit për të enjten, më 14 dhjetor 2023, në ora 9:30; dhe UDHËZON palët dhe pjesëmarrësit që të tregojnë, deri të hënën, më 4 dhjetor 2023, ora 16:00, nëse do të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë kësaj seance, siç është detajuar më sipër në paragrafin”, thuhet në vendimin e panelit të trupit gjykues të Apelit.

Kolegji i Apelit i ka udhëzuar palët dhe pjesëmarrësit që deri të hënën, më 4 dhjetor, të tregojnë nëse do të jenë të pranishëm në seancë apo do të marrin pjesë nëpërmjet video-konferencës.

Ndërkaq, mbrojtja e Salih Mustafës është udhëzuar ta specifikojë këtë në lidhje me avokatin dhe të akuzuarin.

Salih Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

(r.m.)