Vendimi i gjykatës për 36 serbët e ndalur në Gazimestan do të merret të mërkurën

Prishtinë, 29 qershor 2026 – Vendimi I Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj 36 serbëve të ndaluar të shtunën në Gazimestan afër Prishtinës pritet të merret të mërkurën, më 1 korrik. Ata akuzohen për veprën “shkaktim i trazirave dhe rrezikim i rendit dhe qetësisë publike”,

Në seancën gjyqësore paraprake të ndaluarit u deklaruan të pafajshëm.

Të shtunën, më 28 qershor, gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, Policia e Kosovës i ndaloi 37 persona. Policia tha se ata “e provokuan masën duke brohoritur parulla provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes”. Njërit prej tyre iu shqiptua gjobë, ndërsa 36 të tjerët u proceduan para gjykatës, por nuk u mbajtën në paraburgim.

Avokati Nikolla Todoroviq tha se të akuzuarve u janë konfiskuar dokumentet personale të identifikimit, si dhe se në mesin e të ndaluarve ka kryesisht serbë nga Serbia dhe vendet e rajonit.

“Ka mjaft shtetas të huaj që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe njerëzit janë në vështirësi. Ata duhet të presin shpalljen e vendimit”, tha ai.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht mblidhen çdo 28 qershor në Gazimestan, për të përkujtuar Betejën e Kosovës, përkatësisht betejën e humbur të principatave ballkanike nga Perandoria Osmane, më 1389.

Në hyrje të hapësirës rreth përmendores kushtuar të rënëve në këtë luftë, në Gazimestan, Policia e Kosovës u shpërndau vizitorëve njoftimin se nuk tolerohet “mbajtja dhe shfaqja e simboleve të ndryshme që përfaqësojnë ose nxisin urrejtje ndëretnike, fetare apo politike”.

Gjatë ceremonisë, disa nga pjesëmarrësit brohoritën “Kosova është Serbi” dhe kënduan këngë kushtuar “Kosovës serbe” dhe “Vidovdanit”.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe ka deklaruar se nuk e arsyeton dhe as nuk do ta arsyetojë kurrë çfarëdo thirrjeje për urrejtje, dhunë apo cenim të rendit publik, por ka mohuar se pjesëmarrësit nuk kanë nxitur urrejtje apo e kanë shkaktuar rrezik për rendin publik.

“Këngët popullore, kujtimi i të parëve, veshja tradicionale dhe shprehja paqësore e identitetit fetar dhe kombëtar nuk mund të trajtohen, në vetvete, si rrezik për rendin publik”, ka thënë dioqeza.

Ajo ka shprehur shqetësimin për pretendimet për, siç ka thënë, “keqtrajtimin fizik dhe psikologjik, shuplakat, goditjet, fyerjet, kërcënimet dhe poshtërimin” e disa prej të ndaluarve, si edhe se të ndaluarve, siç ka thënë, “u ështe kërkuar të brohorasin ‘Kosova Republikë’, nën kërcënimin e rrahjes”.

“Këto pretendime duhet të hetohen dhe të verifikohen seriozisht”, ka thënë Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi, e cilësoi ndalimin e serbëve si “përpjekje për frikësim” të serbëve dhe si “dëshmi të represionit të regjimit në Prishtinë ndaj serbëve”.

Gazimestani njihet edhe për fjalimin që e ka mbajtur lideri i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1989, me rastin e shënimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës. Fjalimi i tij kishte tone të forta motivuese për projeksionet serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, që fshiheshin prapa “përpjekjeve” të Serbisë për ruajtjen e federates jugosllave.

Ai fjalim konsiderohet si promovim i platformës serbe për marrjen nën kontroll të republikave t՞ atëhershme jugosllave.

(r.m.)