Vepra e Xhemail Mustafës – shprehje e mishërimit të tij me Kosovën

Fatmir Sejdiu, ish President i Republikës së Kosovës

Botimi i kompletit të veprave të Xhemail Mustafës paraqet një ngjarje të veçantë jo vetëm kulturore. Përmbajtja e tyre ofron një mundësi të pazëvendësueshme për ta njohur në thellësi figurën e Xhemailit si letrar e kritik i shquar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në këto fusha, por ka dhënë kontribut të rëndësishëm në proceset më të rëndësishme për Kosovë dhe për Kosovën.

Xhemail Mustafën e kam njohur herët, në vitin 1969. Atë vit në gjimnazin e Podujevës ishin regjistruar për herë të parë katër klasë të para në gjuhën shqipe. Xhemaili ishte në mesin e së paku dhjetë nxënësve më të mirë, të shkëlqyer. Takoheshim së paku çdo të dytën javë në Klubin Letrar të gjimnazit, i cili e mbante emrin e Rafael Sopit, në nderim të shkrimtarit që e kishte humbur jetën në një aksident komunikacioni.

Po të mos dihej mosha e tyre, veçanërisht e Xhemail Mustafës, Enver Malokut e donjë tjetri, njeriu do të mendonte se ata e kishin arritur moshën e pjekurisë. E vërteta ishte se ata nxitonin drejt qëllimeve të tyre jetësore.

Studimet e mëvonshme e kishin bërë Xhemailin një figurë të veçuar në fushën e kulturës e të letërsisë. Me shkrimet publicistike, recencionet dhe kritikat letrare, ai kishte hyrë në botën e kulturës e të letërsisë – si lexues kritik serioz dhe si njeri konsistent ndaj pikëpamjeve dhe ideve të tij jo vetëm për lëtërsinë dhe kulturën, ku i arriti majat.

Zhvillimet dramatike në Kosovë në vitet ’80 ishin paralajmërim i zhvillimeve të kobshme për shqiptarët në Kosovë, të cilat kulmuan në vitet ’90. Asokohe ishin ringjallur e ridizajnuar projektet ogurzeza për qenësinë shqiptare në Kosovë, por elitat shqiptare të kohës, edhepse vepruan në rrethana jashtëzakonisht të rënda, i filluan përgatitjet për përballje.

Kosova kaloi pëpër një periudhë të rrëmujshme. Në fillim, në Kosovë nuk kishte një zë të unifikuar, por ideja për themelimin e një lëvizjeje politike unifikuese, e cila u formësua në qarqet intelektuale e akademike, u përhap shumë shpejt, u përqafua gjerësisht dhe fitoi mbështetje të madhe popullore.

Kompleti i veprave të Xhemail Mustafës, i përmbledhur dhe përgatitur për shtyp nga Prof. Ibrahim Berisha, përbën një tërësi zhanresh të ndryshme që shprehin fuqishëm idetë që lidhen me një mision të shenjtë – lirinë shprehëse, lirinë krijuese, lirinë e të jetuarit i lirë.

Ditari i luftës “Një lutje për Prishtinën” e Xhemail Mustafës është një prozë dokumentare rrënqethëse, një përshkrim i sinqertë i përjetimeve të tij e të familjes së tij, një pasqyrim i jetës së familjeve të pakta shqiptare në Prishtinën e shkretëruar nga eshalonet e vdekjes…

Në kushte të mbylljes e izolimit nga bota, Xhemaili nuk e fsheh frikën për familjen e të afërmit e tij, as për familjet tjera shqiptare të mbyllura në Prishtinë, të njohura dhe të panjohura.

Xhemaili nuk e fsheh se ndonjëherë, derisa i dëgjonte lajmet për ngjarjet dhe zhvillimet në botën jashtë izolimit të tij, kishte pasur edhe momente pikëpyetjesh, por prapë dhe prapë nuk e kishte humbur besimin. Ai bën analizë të ftohtë e të arsyeshme të gjithë çfarë ndodhte apo lansohej – për marrëveshjen e Rambujesë, për pengmarrjen e Rugovës dhe për trillimet e “tradhëtisë së madhe” të tij – dhe vjen në konkluzionin se të gjitha ishin pjesë të fushatës së egër për thyerjen e besimit të shqiptarëve në objektivin suprem. Ai ishte i vetëdijshëm se luftërat kanë edhe episode të errëta dhe prodhojnë trillime e konstruksione të lloj-llojshme për qëllime propagandistike.

“Një lutje për Prishtinën” dëshmon se asgjë nuk ndodh pa shkak, pra as bombardimet, as zbrazja e Prishtinës dhe as të panjohurat e shumta.

Ka rastisur që gjatë kohës që isha ende në Prishtinë, bashkë me dy a tre miq të mi, t’i kaloja disa ditë në lagjen ku jetonte Xhema, në Dardani, jo larg nga nënkalimi ku strehoheshin xhelatët gjatë muzgut të natës. Nga një strehim, diku andejpari, Xhema është lutur për Prishtinën, për fëmijët dhe njerëzit e kryeqytetit, për të gjithë njerëzit e Kosovës, deri në hyrjen e forcave të NATO-s.

Xhema, siç kuptohet nga veprat e tij, punoi e luftoi për Kosovën deri ditën e fundit të jetës së tij. Ai do të bëntë shumë më shumë për Kosovën, por e ndaluan. E vranë.

Ky akt barbarësh nuk është ndriçuar ende, ndonëse tashmë kanë kaluar më se 25 vjet.

 

Prishtinë, 1 dhjetor 2025

 

(Fjalë e mbajtur në ceremoninë e përurimit të kompletit të pesë veprave të Xhemail Mustafës)

Comment

*