Veprime që mund të çojnë në deportim nga SHBA-ja edhe nëse keni Green Card

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Për shumë njerëz, procesi i marrjes së statusit të rezidentit të përhershëm të ligjshëm (“green card”) mund të jetë një përpjekje sa e ndërlikuar aq dhe sfiduese. Personat me green card-a  fitojnë sigurinë dhe qetësinë shpirtërore që tashmë mund të jetojnë dhe të punojnë përgjithnjë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ka raste të caktuara kur ky status i rezidentit të përhershëm të ligjshëm mund të revokohet.

Arrestime dhe dënime të caktuara

Kryerja e disa veprave të caktuara penale mund të ketë pasoja të rënda për personat me green card, si p.sh. humbje e statusit dhe dëbim nga Shtetet e Bashkuara. Shkeljet që lidhen me drogën (përfshirë këtu dhe marijuanën), krimet e dhunës në familje, shkeljet që lidhen me përdorimin e armëve të zjarrit dhe krime të tjera ku përfshihen dhe akte të turpshme morale (një term i përgjithshëm për të përshkruar akte që konsiderohen moralisht të dënueshme dhe që janë në vetvete të gabuara) janë disa shembuj të veprimeve që mund të kenë si pasojë dëbimin nga SHBA-ja. 

Ligjet federale lidhur me marijuanën krijojnë konfuzion, për shkak se kanabisi – i paligjshëm në nivel federal – është i ligjshëm në shumë shtete dhe vende të huaja. Nganjëherë kjo mund të ketë pasoja nga pikëpamja e emigracionit, por ka raste që edhe jo. Gjatë procesit të kontrollit kufitar, zyrtarët e CBP-së shpesh marrin deklarata nga jo-nënshtetasit, të cilat më pas përdoren për të vërtetuar “mospranueshmërinë” e këtyre të fundit në SHBA. Ndonjëherë, edhe rezidentët e përhershëm që kthehen nga udhëtimet jashtë vendit mund të përballen me rrezik për statusin e tyre. Në fakt, mund të jetë shumë e rrezikshme të udhëtosh jashtë vendit nëse në një mënyrë ose tjetër marijuana e ligjshme është faktor. 

Pas faktit të kryer, mund të ketë mundësi për falje ose forma të tjera lehtësuese, por jo gjithmonë. Çdo situatë duhet vlerësuar me kujdes për të gjetur një rrugëdalje. Është shumë e rëndësishme që të flisni me një avokat përpara se të pranoni fajësinë për ndonjë krim si dhe – përpara se të përfundojë çështja penale – t’i kërkoni këshillë një avokati emigracioni për të kuptuar se sa mund të ndikojë një arrestim në statusin tuaj të emigracionit.

Mashtrim ose Keqinterpretim

Një green card mund të revokohet në rast se është marrë përmes mashtrimit ose keqinterpretimit të qëllimshëm. Kjo ndodh kur një individ jep informacion të rremë në aplikimin e tij, si për shembull fsheh një të kaluar penale ose bën martesë të rreme më qëllim përfitimi nga emigracioni. Zbulimi i një mashtrimi të tillë, edhe nëse ndodh disa vite pas dhënies së green card-ës, mund të çojë në hapjen e një procedure për anulimin e statusit. Nëse qeveria arrin të vërtetojë se bëhet fjalë për mashtrim, personit që ka mashtruar i anulohet statusi i rezidentit të përhershëm.

Kur nuk heq kushtin në rastin e green card-ës me kusht

Disa jo-nënshtetasve u jepet green card me kusht, e cila në dallim nga green card-a e zakonshme, është e vlefshme për një periudhë dyvjeçare. Nëse nuk hiqet kushti i kësaj green card-e brenda afatit të caktuar, personit i hiqet statusi i rezidentit me kusht dhe ai ose ajo mund të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara. Është shumë e rëndësishme të mbahet nën kontroll data e skadencës së green card-ës me kusht dhe të ndiqet siç duhet procesi për heqjen e kushtit.

Deklaratë e Rremë se je Qytetar Amerikan

Jo-nënshtetasit, përfshirë këtu edhe personat e pajisur me green card, që pretendojnë se janë qytetarë amerikanë — qoftë me shkrim apo gojarisht — mund të dëbohen nga Shtetet e Bashkuara. Një pretendim i rremë se je nënshtetas amerikan përbën një shkelje serioze të ligjit dhe mund të ketë pasoja të rënda dhe shkatërruese për statusin e imigracionit. Faljet për këtë lloj shkeljeje, nëse ka të tilla, jepen tepër rrallë.

Qëndrimet e gjata jashtë Shteteve të Bashkuara – Braktisja e Statusit të Rezidentit të Përhershëm të Ligjshëm

Personat e pajisur me green card që qëndrojnë jashtë Shteteve të Bashkuara për periudha të gjata kohe rrezikojnë që të konsiderohen nga emigracioni si persona që e kanë braktisur statusin e rezidentit të përhershëm të ligjshëm. Në përgjithësi, udhëtimet jashtë SHBA për më pak se gjashtë muaj janë të lejueshme. Një udhëtim prej gjashtë muajsh deri në një vit mund të çojë në një shqyrtim më të hollësishëm (në kufi) të rastit tuaj nga ana e zyrtarit të emigracionit, dhe rezidenti i përhershëm duhet të jetë në gjendje të shpjegojë në mënyrë bindëse arsyen e kohëzgjatjes së udhëtimit. Qëndrimi jashtë Shteteve të Bashkuara për një vit ose më shumë zakonisht e bën Emigracionin të konkludojë se e keni braktisur statusin tuaj të qëndrimit të përhershëm, përveç rasteve kur keni marrë miratimin paraprak për këtë mungesë të zgjatur kohore duke u pajisur me një dokument që njihet si leja për rikthim (re-entry permit).

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com