Verë e mosbindjes civile në Serbi

Lëvizja protestuese në Serbi po e ndryshon kursin, pas tetë muaj demonstratash paqësore. Ndërsa dhuna policore ndaj protestuesve shtohet, protestuesit po gjejnë forma të reja të rezistencës.

 

“Nuk do t’ju themi çfarë të bëni, sepse e dini vetë”.

Me këto fjalë, studentët në Beograd ia dorëzuan stafetën e rezistencës civile të gjithë shoqërisë serbe, më 28 qershor 2025. Dorëzimi simbolik i pushtetit protestues u bë gjatë një proteste në të cilën ata i dhanë një ultimatum të qartë qeverisë së Presidentit Aleksandër Vuçiç: zgjedhje të parakohshme parlamentare ose mosbindje civile.

Kjo është fazë e re në protestat kundër qeverisë dhe korrupsionit në Serbi,  ku pati përleshje mes qytetarëve dhe policisë në kryeqytetin serb. Demonstruesit hodhën gurë dhe shishe, kurse forcat e sigurisë u përgjigjën me bomba tymuese, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë oficerë policie që përdorin dhunën kundër protestuesve paqësorë. Rasti i studentit Luka Mihajloviç nga Novi Sadi tërhoqi vëmendjen kudo. Sipas raportimeve, ai u rrëzua përtokë dhe u rrah, pavarësisht se qëndronte i qetë me duart lart. Për shkak të lëndimeve, Mihajloviç u desh të dërgohej në spital. Por, ndërsa priste për operacionin, një gjyqtar urdhëroi paraburgimin e tij pa një seancë paraprake dëgjimore. Nëna e tij e gjeti në pranga në shtratin e spitalit, me roje dhe pa qasje në telefon.

Përndjekja e studentëve

Bllokimet e rrugëve u përhapën nga Beogradi në gjithë Serbinë, të nesërmen. Qytetarët i bllokuan spontanisht rrugët dhe kryqëzimet e rrugëve. Disa ngritën barrikada me kontejnerë mbeturinash, të tjerë zunë vendkalimet për këmbësorë.

Policia u përgjigj me dhunë. Qindra vetë u arrestuan dhe shumë të tjerë u lënduan. Biljana Stojkoviç profesore e biologjisë në universitet dhe aktiviste, ishte dëshmitare e një prej sulmeve më brutale të policisë ndaj studentëve të cilët po luanin volejboll paqësisht gjatë një bllokade rrugore.

“Mbërritën disa makina të policisë dhe, brenda sekondave, oficerët e policisë u vërsulën me shkopinj në kryqëzim drejt studentëve. Ata ikën drejt Fakultetit të Drejtësisë”, tha Stojkoviç për DW.

Në pamjet e asaj mbrëmjeje shihen policët duke i rrahur studentët, duke i tëhequr zvarrë jashtë ndërtesës së universitetit dhe duke i arrestuar.

“Ishte aq e tmerrshme sa gati më ra të fikët. Bërtita, i godita me grushte mburojat e oficerëve të policisë, plotësisht e dëshpëruar, sepse skena ishte tepër brutale”, kujton Stojkoviç.

Taktika e re e demonstruesve

Që në ditët e para të mosbindjes civile në Serbi u arrestuan mbi 300 qytetarë. Numri i të arrestuarve është rritur prej atëherë, por shifra zyrtare nuk ka. Ministria e Brendshme në Beograd nuk iu përgjigj një pyetjeje të DW për këtë çështje.

Midis të arrestuarve ka minorenë, studentë, profesorë, mjekë, avokatë, aktivistë, politikanë dhe këshilltarë vendorë që i përkasin opozitës. Si reagim ndaj dhunës së policisë, studentët i ndryshuan taktikat e protestës, duke iu shmangur forcave të sigurisë. Në vend që t’u rezistojnë policëve, ata u shmangen ose e zhvendosin protestën e tyre në një udhëkryq tjetër, sapo të mbërrijë policia. Ose, thjesht, ulen në hije ndërsa oficerët bëjnë roje në asfaltin e nxehtë, duke bllokuar një “bllokadë bosh”.

“Ndërsa në disa qytete policia vepron brutalisht, në disa qytete të tjera situata është më e qetë”, përmbledh Stojkoviç.

“Megjithatë, policia ua po kontrollon intensivisht dhe pa shkak dokumentet e identitetit njerëzve në trotuare, në rrugë dhe në bllokada. Brenda dy ditësh këta njerëz raportohen për ndonjë shkelje”, thotë ajo.

Stojkoviç beson se e gjithë kjo është pjesë e strategjisë së Presidentit Vuçiç. Ai e di se duhet të përmbahet nga shtypja e protestave me dhuntë të hapur, pasi brutaliteti mund të shkaktojë reagime nga Bashkimi Evropian.

Deklaratat zyrtare të Ministrisë së Brendshme peshohen midis thirrjeve për qetësi dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, deklaroi se bllokimi i arterieve kryesore të trafikut është i paligjshëm.

“Të gjithë kanë të drejtë të angazhohen politikisht, por ka një kohë dhe vend për luftë politike”, thotë Stojkoviç.

Lojaliteti i policisë me pikëpyetje

Ndërkohë, gjithnjë e më shumë qytetarë po e humbasin besimin se policia vepron në mënyrë të ligjshme. Pakënaqësia po rritet edhe midis vetë forcave të sigurisë. Mbi 100 ish-oficerë dhe oficerë aktualë të policisë e nënshkruan një apel të hapur drejtuar kolegëve të tyre që t’u rezistojnë urdhrave të paligjshëm. Mes tyre është edhe Uglesha Bokiç, i cili ishte larguar nga forcat policore në vitin 2023 dhe prej atëherë punon si gazetar. Ai thotë se shumë oficerë të policisë nuk e mbështesin situatën aktuale.

“Ligji i detyron ata të jenë në rrugë, por ata përballen edhe me dilemën morale që bie ndesh me detyrat e tyre ligjore”, tha Bokiç për DW.

Dy oficerë në shërbim të intervistuar nga DW e konfirmuan pakënaqësinë në rritje brenda forcës policore – veçanërisht në muajt e fundit. Megjithatë, kjo ndjenjë proteste aktualisht është e heshtur.

“Ata thjesht psherëtijnë në vetëvete”, tha njëri prej tyre.

Vuçiq nuk ndryshon qëndrim: Nuk ka zgjedhje të reja

Pavarësisht protestave të vazhdueshme, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vazhdon t’i refuzojë kategorikisht zgjedhjet e reja. Ai tha se zgjedhjet në Serbi nuk do të zhvillohen deri në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027.

“Nuk kalojnë pesë ose gjashtë orë pa menduar për zgjedhjet. Unë jam një kafshë politike – jetoj për të 24 orë në ditë. Por, duhet të kuptoni se ka gjëra më të rëndësishme se zgjedhjet – domethënë, vendi juaj, Serbia juaj”, tha Vuçiç.

Megjithatë protestat nuk ka gjasa të ndalen. Ato po organizohen në pothuajse çdo qytet, po ngrihen barrikada spontane dhe qytetarët po organizohen me turne, si të përgatiten për një rezistencë të zgjatur.

“E vetmja rrugëdalje nga kjo krizë – si sociale ashtu edhe politike – janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thotë Bilana Stojkoviç.

Vendi tashmë gjendet në udhëkryq dhe nëse gjërat vazhdojnë kështu, zgjedhjet do të bëhen të pashmangshme.

“Vetë Vuçiç po e përgatit një strategji daljeje për veten e tij”, është e bindur Stojkoviç.

Ai e ka themeluar një grup studentësh me emrin “Studentët për Serbinë”, i cili vepron prej rreth dhjetë ditësh. Ata kërkojnë ndërprerjen e bllokadave, arrestimin e aktivistëve dhe zgjedhje të reja.

“Për qytetarët në rrugë, zgjedhjet janë vetëm kërkesa minimale. Dhe presioni sapo ka filluar”, thotë Stojkoviç.

Hapi tjetër në përshkallëzimin e mosbindjes civile – bllokimi i autostradave.

(DW)