Vërshime në disa komuna të Kosovës, probleme në furnizimin me ujë e rrymë

Prishtinë, 6 janar 2026 – Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.

IHMK-ja theksoi se reshjet e pandërprera të shiut gjatë disa ditëve në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina kanë bërë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.

“Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Sipas këtij instituti, lumenjtë kryesore të vendit – si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës – kanë ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.

Përmbytje në disa rrugë kanë bërë që edhe Kompania për Distribuimim e Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërprejë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.

Në Drenas, KEDS tha se “uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se ka ndërprerë përkohësisht furnizimin me ujë për shkak të “ngritjes së nivelit të lartë të turbulleshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit”.

“Kjo masë po ndërmerret për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijes, në përputhje me standardet teknike dhe shëndetësore në fuqi”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.

Ngjashëm, për reduktime në furnizim me ujë ka njoftuar edhe KRU “Prishtina” për Fushë Kosovën, Drenasin, Obiliqin dhe një pjesë të lagjes Kalabria në Prishtinë.

Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, komuna ka apeluar për kujdes, duke shtuar se, shkaku i vërshimeve, mund këtë probleme në qarkullimin rrugor, me kanalizime dhe rrëshqitje dheu.

Në rrjete sociale, banorë, zyrtarë komunalë dhe media lokale të qyteteve të ndryshme kanë publikuar foto e video që tregojnë përmbytjet.

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ka publikuar disa foto nga vizitat e tij te lagjet e përmbytura dhe ka thënë se ekipet emergjente kanë qenë të angazhuara në terren që nga mesnata.

“Reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona të Komunës së Skenderajt, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh”, shkroi Lushtaku në Facebook.

Më pas ai tha se situata aktualisht është “nën kontroll”.

Në Malishevë, shtabi për menaxhimin e situatave emergjente u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin “lëvizjet e panevojshme”, për shkak të vërshimeve.

“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Me njoftime të ngjashme kanë dalë edhe disa komuna të tjera, si ajo e Gjakovës dhe Klinës.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se situata më Malishevë është “nën kontroll” dhe se ishin evakuuar banorët nga zonat e rrezikuara.

Në këtë komunë, për shkak të situatës së krijuar, drejtoria e arsimit njoftoi se ka vendosur që gjysmëvjetori i dytë të shtyhet deri më 12 janar.

Po ashtu, për shkak të vërshimeve është raportuar edhe dëme në infrastrukturën rrugore në disa komuna.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tha se aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit.

Megjithatë, IKSHPK-ja rekomandoi që qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarët e pambrojtur, ta valojnë ujin para se ta përdorin, dhe ushqimi që ka pasur kontakt me ujin e shiut të mos konsumohet.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*