Vetëm 12 serbë të Kosovës i kanë regjistruar veturat me targat “RKS”

Prishtinë, 17 tetor 2022 – Vetëm 12 automjete me targa ilegale janë regjistruar me “RKS”, ndonëse kanë mbetur vetëm edhe 15 ditë deri në përfundimin e afatit për zëvendësimin e targave ilegale me targa legale të Kosovës, raporton TV Dukagjini.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Kosovës, kjo shifër kaq e ulët është pasojë e frikësimit të serbëve të Kosovës nga Serbia. Kjo ministri e përmend rastin e para disa ditëve kur një rreshteri të Policisë së Kosovës në Leposaviq i është djegur vetura e saporegjistruar me targat “RKS”.

“‘Prej kur ka filluar regjistrimi i automjeteve, deri sot janë regjistruar 12 automjete me targa legale RKS nga targat ilegale. Regjistrimet janë bërë në komuna të ndryshme.

Nga Regjioni 06 – kemi 4 automjete

Nga Regjioni 02-   kemi  4  automjete

Nga Regjioni 04  – kemi 2  automjete dhe

Nga Regjioni 01 – kemi 2  automjete.

Qytetarët tanë në veri janë duke u frikësuar dhe kërcënuar direkt nga grupet ilegale kriminale të cilat jo vetëm që po udhëhiqen por edhe po financohen nga Vuçiq e të cilët kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe intimidimin e qytetarëve tanë në veri. Thirrjet për mosregjistrim të veturave nga ana e Vucic që i’u bën qytetarëve tanë në veri i konsiderojmë si ftesë për luftim të rendit, ligjit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme për TV Dukagjinin.

Kohët e fundit është raportuar se ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyhet zbatimi i vendimit për zëvendësimin e targave ilegale me targa legale të Kosovës që do të përfundojë më 31 tetor.

Qeveria e Kosovës nuk e ka shprehur ende qëndrimin e saj lidhur me këtë propozim.

(r.m.)