
Përpjekjet për të rindërtuar një identitet monoetnik përmes deformimit të historisë dhe përjashtimit të shqiptarëve nuk janë thjesht fryt i politikës ditore. Ato janë pjesë të një projekti afatgjatë që synon të ndryshojë vetë strukturën e shtetit. Kthimi i këtij projekti përmes sloganit “Kthimi i Shtetit” në thelb është kthim prapa – drejt përçarjes e autokracisë, larg vlerave të BE-së dhe NATO-s. Nëse kjo nuk ndalet, Maqedonia e Veriut si projekt i një shteti demokratik multietnik do të zhbëhet.
Maqedonia e Veriut është kthyer në një fushë të përplasjes mes nacionalizmave të vjetër dhe projekteve të reja për shtetndërtim. Në vend që të ndërtojë një model të mirëfilltë të bashkëjetesës, një pjesë e elitës maqedonase ka ndjekur një strategji sistematike për rishkrimin e historisë dhe përjashtimin e shqiptarëve si pjesë e identitetit shtetëror. Ky proces i reideologjizimit historik është i rrezikshëm jo vetëm për marrëdhëniet ndëretnike, por edhe për orientimin strategjik të vendit, i cili gjithnjë e më tepër po largohet nga vlerat euroatlantike për të rënë në orbitën e ndikimeve autokratike lindore.
Në kontekstin e shteteve multietnike të Ballkanit, ndërtimi i shtetit shpesh ka kaluar përmes proceseve të ndërlikuara, ku historia, identiteti dhe politika janë përdorur si instrumente të fuqishme për të forcuar dominimin kulturor dhe politik të njërës palë mbi tjetrën. Maqedonia e Veriut, që nga fillimi i pluralizmit në fillim të viteve ’90, ka qenë një laborator tipik i këtyre përpjekjeve, ku përplasjet mes narrativave nacionaliste dhe përpjekjeve për ndërtimin e një shteti multietnik dhe demokratik kanë qenë të vazhdueshme.
Në këtë rrugëtim, qasjet etnonacionaliste të një pjese të elitës politike maqedonase, të mishëruara veçanërisht nga partia VMRO-DPMNE, shpesh janë ngritur mbi mohimin sistematik të autoktonisë dhe të drejtave historike të shqiptarëve. Kjo strategji nuk ishte e rastësishme, por një vazhdimësi e modelit të imponuar nga akademitë politike dhe shkencore të fqinjëve veriorë, me qëllim prodhimin e një identiteti të ri shtetëror që përjashtonte shqiptarët si faktor shtetformues.
Në këtë kontekst, është me rëndësi të rikujtohet se në tre dekadat e para të shekullit XX, VMRO historike bashkëpunoi ngushtë me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe me popujt e tjerë të rajonit kundrejt hegjemonisë serbo-ruse, duke propozuar një model të bashkëjetesës në formën e një Zvicre ballkanike një projekt që mund të realizohej vetëm përmes një bashkëpunimi të sinqertë shqiptaro-maqedonas. Kjo frymë u përtërit në vitet ’90, ku pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë, VMRO përqafoi pluralizmin dhe orientimin euroatlantik, ndërsa lidershipi i saj ishte ndër nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit një akt themelor për ndërtimin e kohezionit ndëretnik. Edhe pse në fillim e kundërshtoi Marrëveshjen e Prespës, që i hapi rrugë anëtarësimit në NATO, qëndrimi i saj u zbut më vonë, dhe refuzimi fillestar u shndërrua në retorikë elektorale, pasi anëtarësimi në aleancën më të fuqishme të sigurisë u realizua. Një element kyç i kësaj faze ishte për caktimi strategjik që Shqipëria dhe Maqedonia të ecnin së bashku drejt integrimit euroatlantik. Ndarja e Maqedonisë nga kjo aleancë natyrore jo vetëm që dobëson qëndrueshmërinë rajonale, por rrezikon edhe vetë orientimin strategjik të shtetit.
Në fund të viteve ’90, me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së, u vu në lëvizje një nga projektet më agresive të instrumentalizimit të historisë, i njohur si “Projekti Për Maqedoninë”. Ky projekt synonte rindërtimin e një narrative të re historike kombëtare, duke tentuar të zhvishte shqiptarët nga çdo lidhje me autoktoninë e kësaj hapësire. Pjesë e këtij projekti ishte edhe ndërhyrja brutale në monumentet e trashëgimisë kulturore, ku dëmet më të mëdha i pësuan shtresat arkeologjike të kalasë së Ohrit, një nga dëshmitë më të rëndësishme të vazhdimësisë iliro-arbërore. Këto gjurmë u mbuluan me beton, duke u përpjekur të fshihej çdo dëshmi që lidhej me fiset ilire dhe trashëgiminë mesjetare të fisit arbëror të Gropajve.
Arkeologu Pasko Kuzman u bë figurë qendrore e këtij procesi, duke u shndërruar në simbol të një qasjeje që më shumë se me arkeologjinë kishte të bënte me inxhinierinë politike të së kaluarës. Ai u shpërblye me pozita të larta institucionale, duke u bërë i paprekshëm dhe i privilegjuar në hierarkinë shtetërore, pikërisht për kontributin e tij në deformimin e kujtesës historike. Simbolika e kësaj periudhe u përmbyll me një projekt tjetër provokues ngritja e një monumenti monumental në malin Vodno, i cili jo vetëm dominonte horizontin e kryeqytetit, por përçonte qartë mesazhin se identiteti shtetëror po ndërtohej mbi baza monoetnike dhe fetare, duke përjashtuar komponentët tjerë historikë dhe kulturorë të shoqërisë shumetnike.
Kjo politikë e rrezikshme, e cila minonte në themel marrëdhëniet ndëretnike dhe orientimin demokratik të vendit, u ndal vetëm si pasojë e konfliktit të vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, e cila ndërpreu diskriminimin e institucionalizuar dhe i hapi rrugë integrimit euroatlantik.
Pas rikthimit në pushtet, VMRO-DPMNE rifilloi me vrull realizimin e projekteve të saj identitare, tashmë të paketuar më bukur dhe më agresivisht nën sloganin “Shkupi 2014”. Ky projekt synonte transformimin e kryeqytetit në një hapësirë që pasqyronte një identitet të fabrikuar historik, me dominancë absolute të figurave dhe narrativave të lidhura me një të kaluar antike të pretenduar maqedonase. Në thelb, ishte një vazhdimësi e projektit të mëparshëm për të fshirë gjurmët e autoktonisë shqiptare dhe iliro-arbërore, duke ngritur struktura monumentale që i përkisnin një historie të shpikur. Kjo ishte një tentativë e qartë për të zëvendësuar identitetin multietnik të qytetit me një narrativë monoetnike dhe ekskluzive.
Në këtë periudhë doli në dritë edhe “Enciklopedia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë”, e cila përfaqësonte në mënyrën më të qartë kulmin e një mendësie që, përmes formës akademike, përpiqej të delegjitimonte praninë historike të shqiptarëve. Në këtë botim zyrtar, shqiptarët përshkruheshin si popull ardhacak, të zhveshur nga çdo e drejtë historike mbi këtë hapësirë, duke përdorur një gjuhë që kufizohej me ksenofobinë dhe racizmin e hapur. Ky produkt shkencor, i cili shkaktoi reagime të forta nga faktori politik shqiptar dhe nga bashkësia ndërkombëtare, ishte dëshmia më e qartë se përpjekja për të ridizajnuar historinë nuk ishte vetëm projekt politik, por edhe një doktrinë e konsoliduar akademike që synonte institucionalizimin e përjashtimit.
Megjithatë, ndryshe nga periudhat e mëparshme, kjo fazë hasi në një rezistencë më të madhe nga shoqëria civile, nga opinioni kritik dhe sidomos nga faktorët ndërkombëtarë, duke bërë që projekti të mos realizohej në tërësinë e tij, por të mbetej i hapur për faza të mëvonshme.
Me fitoren bindëse të VMRO-së në zgjedhjet e vitit 2024, rikthehet sërish një strategji e njohur, tashmë e kamufluar me një terminologji të re “Kthimi i Shtetit ”. Nën petkun e këtij slogani fshihet një vazhdimësi e projekteve të mëparshme, ku në epiqendër mbetet minimi i pozitës kushtetuese të shqiptarëve dhe rishikimi i arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit. Ndryshe nga dy periudhat e mëhershme, kësaj here qeverisja po përdor një strategji më të sofistikuar, duke angazhuar të gjithë oligarkinë politike, ekonomike dhe mediatike, për të penguar avancimin e shqiptarëve në të gjitha poret e jetës publike, kulturore dhe institucionale. Me këtë projekt, është synuar të vihet në pikëpyetje jo vetëm barazia gjuhësore dhe kulturore, por edhe mirëqenia ekonomike dhe përfaqësimi politik i shqiptarëve.
Kryeministri Hristijan Mickoski, përballë sfidave të integrimit evropian dhe veçanërisht bllokadës bullgare, ka zgjedhur një qasje të përmbajtur në pamje të parë, por në thelb të llogaritur politikisht, ku dështimi për të ndërmarrë hapa konkrete drejt zgjidhjes së ngërçit diplomatik po maskohet si “mbrojtje e identitetit kombëtar”. Në vend të një angazhimi të qartë drejt BE-së, ai po ushqen një retorikë që e paraqet Brukselin si burim presioni dhe kompromisesh të rrezikshme, ndërsa shfrytëzon ndjeshmërinë e opinionit publik për të rritur kapitalin politik përmes nacionalizmit të butë, por të vazhdueshëm. Keqinterpretimi i qëllimshëm i deklaratës së komisioneres Marta Kos, ku thelbi i mesazhit për forcimin e identitetit përmes integrimit u anashkalua në favor të një metafore periferike si “ajvari”, tregon përpjekjen për ta banalizuar diskursin evropian dhe për ta zëvendësuar me një narrativë populiste që krijon imazhin e një Maqedonie të rrethuar dhe të kërcënuar.
Kjo qasje, në mënyrë të kamufluar, po përgatit opinionin për një orientim të ri politik larg përkushtimit euroatlantik dhe më pranë një “boshti alternativ” që përfshin afrimin me politikën rajonale serbe, forcimin e marrëdhënieve me Hungarinë dhe krijimin e hapësirës për ndikime ruso-kineze, të cilat prezantohen si bashkëpunime të natyrshme dhe pa kosto politike. Ky devijim strategjik nuk artikulohet hapur, por manifestohet përmes sinjaleve diplomatike, zgjedhjes së partnerëve të rinj dhe shmangies nga agjenda reformuese evropiane, duke paraqitur këtë kthesë si një “ruajtje e sovranitetit” ndërkohë që në thelb përfaqëson një stagnim të qëllimshëm dhe një zbehje të perspektivës evropiane të vendit. Në këtë mënyrë, identiteti nuk po mbrohet ai po instrumentalizohet për të justifikuar një politikë të mbyllur, të llogaritur për konsum të brendshëm dhe të orientuar drejt një rruge që rrezikon të largojë Maqedoninë e Veriut nga qendra e proceseve demokratike euroatlantike.
Një dimension shtesë i kësaj strategjie devijuese është rikthimi i politikës së njohur bizantine “përça dhe sundo”, e cila ka për qëllim jo vetëm të dobësojë përfaqësimin politik të shqiptarëve, por edhe të deatomizojë faktorin politik shqiptar në shumë fraksione të vogla dhe të papërfaqësuara fuqishëm. Kjo politikë është ndërtuar mbi një model të vjetër që e sheh shqiptarësinë si element të jashtëm dhe të rrezikshëm për strukturën e shtetit, duke e eksportuar narrativën serbe të shekujve XIX-XXI, ku shqiptarët stigmatizohen si element antishtetëror, të lidhur me krimin dhe të paaftë për bashkëjetesë institucionale. Në këtë frymë, edhe konfrontimi i brendshëm në skenën politike shqiptare shpesh i reduktuar në akuza të ndërsjella për krim është pjesë e një inxhinierie politike që ka për qëllim zhbërjen e unitetit përfaqësues dhe uljen e kapaciteteve për të ndikuar në proceset shtetformuese. Kjo është një qasje e trashëguar nga mekanizmat e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe aparatit shtetëror të saj, që për më shumë se dy shekuj e kanë përshkruar shqiptarësinë me etiketime nënçmuese, fyese dhe jashtë çdo rendi institucional. Kjo logjikë përjashtuese po ripërsëritet nga kryeministri aktual Hristijan Mickoski, i cili, nëpërmjet një pakt të heshtur me oligarkinë maqedonase dhe atë serbe, ka avancuar një qasje selektive të drejtësisë, ku kriminalizohet vetëm shqiptari dhe anashkalohen krimet politike dhe ekonomike të segmenteve të tjera të shoqërisë. Kjo përpjekje për të delegjitimuar institucionet përmes etnizimit të fajit dhe për të zhbërë arritjet kushtetuese të shqiptarëve përbën një kërcënim serioz për kohezionin ndëretnik dhe për të ardhmen demokratike të shtetit.
Projektet ideologjike të nisura me “Shkupi 2014”, të cilat synonin transformimin e identitetit shtetëror mbi baza monoetnike dhe përjashtuese, edhe pse u ndërprenë pas rënies nga pushteti të VMRO-së për shkak të reagimeve të ashpra të brendshme dhe ndërkombëtare, nuk janë as braktisur e as arkivuar. Me rikthimin në pushtet në vitin 2024, kjo parti ka iniciuar një strategji të re për rifinancimin dhe jetësimin e këtyre projekteve përmes Ministrisë së Kulturës, duke siguruar buxhete të dedikuara për ringjalljen e monumenteve dhe strukturave që mishërojnë një narrativë të rremë historike dhe një vizion të ngushtë etnik për shtetin. Paralelisht me këtë, janë përgatitur teza të reja të rrezikshme historike dhe ideologjike, pa përfshirjen e historianëve shqiptarë dhe pa asnjë debat gjithëpër fshirës akademik, të cilat kanë zënë vend në programet arsimore dhe tekstet shkollore, shpeshherë me përmbajtje fyese dhe nxitëse ndaj shqiptarëve. Këto përmbajtje jo vetëm që janë të papranueshme nga aspekti shkencor dhe etik, por për bëjnë edhe një kërcënim real për stabilitetin e brendshëm dhe për frymën e bashkëjetesës në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut. Ky reaktivizim i projekteve famëkeqe, që përfaqësojnë një ideologji përjashtuese dhe revizioniste, rrezikon të ringjallë tensionet ndëretnike dhe ndërefetare në vend, duke minuar jo vetëm frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe perspektivën euroatlantike të shtetit.
Në këtë kontekst, duhet theksuar se ndryshe nga përpjekjet për përjashtim dhe mohim, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë treguar një përkushtim të palëkundur dhe pa kushte ndaj mbështetjes së identitetit maqedonas, edhe atëherë kur ai ishte i kontestuar nga të gjitha anët dhe i kërcënuar në legjitimitetin e tij. Kjo mbështetje nuk ka qenë vetëm simbolike, por është dëshmuar në mënyrë konkrete në momentet më të vështira historike nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991, përmes krizave të brendshme dhe sfidave ndërkombëtare, deri te përpjekjet për anëtarësim në NATO dhe BE. Shqiptarët, ndonëse shpesh të përjashtuar nga proceset zyrtare të ndërtimit të identitetit dhe narrativës shtetërore, kanë qëndruar të vendosur në ruajtjen e stabilitetit dhe bashkëjetesës demokratike, duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në afirmimin e një identiteti maqedonas me kontinuitet historik, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt vlerave perëndimore.
Roli i faktorit ndërkombëtar në këtë drejtim është i pazëvendësueshëm. Ashtu si në vitin 2001, edhe sot është e nevojshme një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e partnerëve strategjikë për të garantuar paqen, barazinë dhe stabilitetin. Ky është momenti kur qytetarët e këtij vendi, pa dallim etnie apo besimi, duhet të zgjedhin midis izolimit dhe integrimit, midis narrativës së frikës dhe urrejtjes ose rrugës së paqes, bashkëjetesës dhe dinjitetit evropian.
Përpjekjet për të rindërtuar një identitet monoetnik përmes deformimit të historisë dhe përjashtimit të shqiptarëve nuk janë thjesht fryt i politikës ditore. Ato janë pjesë të një projekti afatgjatë që synon të ndryshojë vetë strukturën e shtetit. Kthimi i këtij projekti përmes sloganit “Kthimi i Shtetit” në thelb është kthim prapa – drejt përçarjes e autokracisë, larg vlerave të BE-së dhe NATO-s. Nëse kjo nuk ndalet, Maqedonia e Veriut si projekt i një shteti demokratik multietnik do të zhbëhet. Zgjidhja është krijimi i një fronti të ri demokratik që e refuzon rikthimin në histori të rreme dhe kërkon një të ardhme të përbashkët, evropiane. Zgjedhja është më urgjente se kurrë: ose integrim ose izolim.
Shkup, 7 korrik 2025