Vetëvendosje e dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Prishtinë, 9 mars 2026 – Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është ankuar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi në Facebook të hënën se krahas kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit, i kanë kërkuar Gjykatës ta pezullojë përkohësisht dekretin e presidentes deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit”, shkroi ajo.

Sipas Nagavcit, roli i presidentit në këtë proces “është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

“Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve”, shtoi ajo.

Ndërkohë, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se organi ligjvënës nuk mund ta vazhdojë punën derisa Kushtetuesja të nxjerrë një vendim.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke u thirrur në dispozitat kushtetuese, thotë se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është i pabazë, sepse procedurat për zgjedhjen e presidentit kanë nisur më 5 mars dhe Kuvendi ka 60 ditë afat për të përfunduar procedurat.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës më 5 mars, Lëvizja Vetëvendosje i propozoi dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, për të përmbushur kriterin që në garën për president duhet të jenë së paku dy kandidatë. Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi për votim, pasi deputetët e partive opozitare e braktisën seancën.

Juristët kanë dy intepretime të ndryshme për dispozitat kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe me shpërndarjen e Kuvendit.

Disa thonë se Kuvendi shpërbëhet nëse nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit. Por, disa të tjerë thonë se Kuvendi shpërbëhet nëse Kuvendi nuk arrin ka zgjedhë presidentin e ri 30 ditë para ditës së përfundimit të mandatit të presidentit në detyrë.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

(r.m.)