Viktimat e dhunës fizike ose të akteve të mizorisë ekstreme

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Ligji Federal për Dhunën ndaj Grave (VAWA) u ofron mbrojtje bashkëshorteve të abuzuara ose bashkëshortëve të abuzuar të një nënshtetasi/seje amerikan/e ose të një personi që ka green card.

Mund të paraqisni vetë kërkesën tuaj sipas VAWA-s duke mbushur dhe dorëzuar Formularin I-360, Petition for Amerasian, Widow(er), or Special Immigrant, pa dijeninë ose pëlqimin e personit abuzues të familjes. Dikush që paraqet një kërkesë vetjake sipas ligjit VAWA zakonisht quhet “vetë-peticioner VAWA”. Nëse Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS) jua miraton kërkesën tuaj vetjake dhe aktualisht gjendeni me banim në Shtetet e Bashkuara, mund të merrni dhe autorizim pune. USCIS-i do t’ju lëshojë Dokumentin e Autorizimit për Punësim (EAD) nën kategorinë përkatëse (c)(31). Nëse ju miratohet kërkesa që keni paraqitur si vetë-peticioner dhe nëse përmbushni edhe kriteret e tjera të nevojshme, mund të keni të drejtë të aplikoni për t’u bërë banor i ligjshëm i përhershëm (të pajiseni me green card).

Kur të dorëzoni Formularin I-360, do t’ju kërkohet të paraqisni: Dëshmi që i afërmi abuzues ka nënshtetësi amerikane ose green card pra ka statusin e banorit të ligjshëm të përhershëm; Dëshmi që marrëdhënia në fjalë kualifikohet për status, pra që bëhet fjalë për një marrëdhënie familjare ose ligjore me nënshtetasin amerikan ose banorin e përhershëm të ligjshëm që ju ka abuzuar, si për shembull: certifikata martese, vendime divorci ose çertifikata lindjeje; Dëshmi që ju dhe personi abuzues banoni ose keni banuar së bashku për një periudhë kohe në të kaluarën, si për shembull: kontrata e qirasë së banesës, akt-pronësie, hipoteka ose marrëveshje qiraje ku figurojnë të dy emrat tuaj; fatura shërbimesh (energji, ujë, gaz), llogari bankare ose dokumente financiare me të njëjtën adresë; dokumente shkollore ku figuron prindi dhe adresa e regjistruar; dokumente mjekësore; polica sigurimi; deklarata tatimore; ose deklarata nën betim (afidavitë); Dëshmi të abuzimit të kryer nga nënshtetasi amerikan ose banori i përhershëm i ligjshëm gjatë kohës që ishit të lidhur në një marrëdhënie që kualifikohet për status, si për shembull: raporte ose deklarata nën betim nga policia, gjyqtarë, zyrtarë të tjerë gjyqësorë, personel mjekësor, zyrtarë shkollorë, klerikë, punonjës socialë ose personel agjencish që ofrojnë shërbime sociale, apo çdo provë tjetër të besueshme që dëshmon abuzimin që ka ndodhur. Nëse keni një urdhër mbrojtjeje ose keni ndërmarrë hapa ligjorë për t’i dhënë fund abuzimit, duhet të paraqisni kopje të këtyre dokumenteve gjyqësore. Nëse jeni 14 ose më shumë vjeç, duhet të paraqisni prova që dëshmojnë se keni karakter të mirë moral, si deklarata nën betim dhe një vërtetim nga policia lokale ose dokument të lëshuar nga shteti lidhur me të kaluarën tuaj penale ose raport të ngjashëm të lëshuar nga çdo zonë ose shtet, brenda ose jashtë Shteteve të Bashkuara, ku keni banuar për 6 ose më shumë muaj gjatë periudhës 3-vjeçare që i paraprin momentit të paraqitjes së peticionit vetjak.

Nëse po paraqitni peticion vetjak si bashkëshort/bashkëshorte, duhet të paraqisni prova që tregojnë se martesa juaj ka qenë e vërtetë dhe jo e rreme, si për shembull: polica sigurimi ku njëri bashkëshort figuron si përfitues i tjetrit; kontrata të përbashkëta qiraje, formularë tatimorë mbi të ardhurat ose llogari bankare të përbashkëta; prova të periudhës së njohjes para martesës, ceremonisë martesore, bashkëjetesës dhe përvojave të tjera të përbashkëta. 

Si vetë-aplikues sipas VAWA-s, në vend të dokumentave provë të sugjeruara më sipër, mund të paraqisni gjithashtu çfarëdolloj prove tjetër të besueshme që mendoni se dëshmon që i përmbushni kriteret e nevojshme për statusin që po kërkoni. Më pas USCIS-i do të gjykojë vetë se cila provë është e besueshme dhe se çfarë peshe do t’i japë asaj prove.

Nëse keni frikë të merrni korrespondencën që lidhet me vetë-peticionin, në adresën tuaj të banimit, mund të fusni një adresë tjetër dhe/ose adresë postare ku ndjeheni të sigurt, në vendin përkatës në formularin I-360 (Part 1, Item Number 7). Kjo adresë mund të jetë një kuti postare, adresa e një miku apo të njohuri, adresa e avokatit tuaj, e një organizate komunitare që po ju ndihmon, ose çdo adresë tjetër ku mendoni se mund të merrni postën në mënyrë të sigurt dhe të rregullt pa patur frikë. Nëse nuk jepni një adresë alternative ose të sigurt në formularin I-360, USCIS-i mund të përdorë adresën e personit që ka përgatitur aplikimin (nëse egziston një e tillë).

USCIS-i mund t’ju kërkojë të jepni më shumë informacion ose prova shtesë për të mbështetur kërkesën tuaj. USCIS-i gjithashtu mund t’ju kërkojë të paraqiteni pranë një zyre të USCIS-it për intervistë lidhur me kërkesën tuaj. Gjatë intervistës, USCIS-i mund t’ju kërkojë të jepni të dhënat biometrike për të verifikuar identitetin tuaj dhe/ose për të përditësuar të dhënat mbi ju dhe të kaluarën tuaj penale. Vendimi për të aprovuar ose jo formularin I-360 që keni paraqitur jepet pasi tw jetë bërë vlerësimi lidhur me faktin nëse i keni përmbushur ose jo kriteret për të marrë atë që po kërkoni nëpërmjet vetë-peticionit. USCIS do t’ju njoftojë me shkrim lidhur me vendimin që ka marrë. 

Për t’u kualifikuar për green card (leje qëndrimi të përhershme) si vetë-peticioner nëpërmjet VAWA-s, duhet të plotësoni siç duhet formularin përkatës I-485, “Application to Register Permanent Residence or Adjust Status”.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com