Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Një nga mënyrat e zakonshme për t’u punësuar përkohësisht në Shtetet e Bashkuara si joemigrant është atëherë kur një punëdhënës paraqet në emrin tuaj një peticion pranë Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS). Programi H-1B është një kategori që ofron viza për punësim të përkohshëm. Zakonisht, nëse jetoni jashtë Shteteve të Bashkuara dhe dëshironi të punoni këtu, duhet të aplikoni për vizë pranë Departamentit Amerikan të Shtetit (DOS). Në shumicën e rasteve, përpara se të keni të drejtë të aplikoni pranë DOS-it për vizë ose të kërkoni hyrje në një pikë kufitare, USCIS-i duhet të ketë miratuar peticionin tuaj. Para se të hyni në Shtetet e Bashkuara, duhet të paraqiteni përpara një zyrtari të agjencisë amerikane të kontrollit dhe mbrojtjes së kufijve (CBP) dhe të merrni leje për të hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe për t’u angazhuar në aktivitetin në fjalë.
Programi H-1B vlen për ata punëdhënës që kërkojnë të punësojnë persona joemigrantë me merita dhe aftësi të shquara në profesione të specializuara ose në fushën e modës si modele. Me profesion të specializuar nënkuptohet ai lloj profesioni për kryerjen e të cilit nevojiten njohuri të thella dhe specializim i veçantë si dhe një diplomë universitare të paktën e nivelit bachelor ose ekuivalenten e saj. Qëllimi i dispozitave të vizës H-1B është t’i vijë në ndihmë atyre punëdhënësve që nuk kanë mundësi tjetër për të siguruar në SHBA fuqi punëtore me aftësitë dhe kompetencat e nevojshme që kërkon biznesi, duke autorizuar punësimin e përkohshëm të personave të kualifikuar që ndryshe nuk do të lejoheshin të punësoheshin në Shtetet e Bashkuara. Ky program vizash joemigruese vlen për ata persona që dëshirojnë të kryejnë shërbime në një profesion të specializuar, shërbime që kanë të bëjnë me një projekt bashkëpunues kërkimor dhe zhvillimor të Departamentit të Mbrojtjes (DOD) dhe për të cilat nevojiten merita dhe aftësi të jashtëzakonshme, ose shërbime në fushën e modës si modele me merita ose aftësi përtej të zakonshmes.
Ligji përcakton standarde të caktuara të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e punëtorëve amerikanë të punësuar në mënyrë dhe punë të ngjashme, nga pasojat e pafavorshme që mund të vijnë nga punësimi i punëtorëve joemigrantë, si dhe mbrojtjen e vetë punëtorëve joemigrantë H-1B. Punëdhënësit duhet t’i deklarojnë Departamentit të Punës se do t’u paguajnë punëtorëve joemigrantë H-1B paga që janë të paktën të barabarta me pagën aktuale që punëdhënësi u paguan punëtorëve të tjerë me përvojë dhe kualifikime të ngjashme për atë vend pune, ose me pagën mbizotëruese që merr një profesionist në atë fushë punësimi – cilado syresh që të jetë më e larta. Punëdhënësit duhet gjithashtu të njoftojnë punonjësit ekzistues lidhur me qëllimin për të punësuar një punëtor H-1B.
Që nga koha kur u krijua kjo kategori në vitin 1990, Kongresi ka caktuar një numër të kufizuar vizash H-1B që vihen në dispozicion çdo vit. Kufiri aktual vjetor i përcaktuar me ligj është 65,000 viza, me 20,000 viza shtesë për profesionistë të huaj që diplomohen me master ose doktoraturë nga një institucion i arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara.
Për vitin fiskal 2026, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka marrë një numër të mjaftueshëm peticionesh që kapin kufirin e rregullt prej 65,000 vizash H-1B të vendosur nga Kongresi, si dhe atë prej 20,000 vizash H-1B shtesë për rastet e personave me diploma të avancuara të marra në Shtetet e Bashkuara, dhe të njohur si kuota e masterit(master’s cap).
Ndryshimet më të fundit:
Më 23 dhjetor 2025, DHS-ja njoftoi lidhur me një një akt nënligjor përfundimtar që ndryshon kuadrin rregullator të procesit që ndjek USCIS-i për të përzgjedhur mes kandidatëve të regjistruar për vizë H-1B, aq sa lejon kufiri vjetor. Kjo rregullore do të mundësojë vënien në zbatim të një procesi përzgjedhjeje të peshuar mirë, i cili do të favorizojë dhënien e vizave H-1B individëve me nivel më të lartë aftësish dhe paga më të larta, duke ruajtur njëkohësisht dhe mundësinë që punëdhënësit të sigurojnë punëtorë H-1B në të gjitha nivelet e pagave. Kjo rregullore përfundimtare hyn në fuqi më 27 shkurt 2026 dhe do të vihet në zbatim gjatë sezonit të regjistrimit për vizat H-1B të caktuara për vitin fiskal 2027.
Më 19 shtator 2025, Presidenti nxori një Proklamatë mbi kufizimin e hyrjes së disa punëtorëve joemigrantë, e cila përbën një hap të rëndësishëm fillestar drejt reformimit të programit të vizave joemigruese H-1B. Sipas kësaj Proklamate, peticionet e reja H-1B që u paraqitën në ose pas orës 12:01 të mesnatës (EDT) më 21 shtator 2025, duhej të shoqëroheshin me një pagesë shtesë prej 100,000 dollarësh si kriter kualifikimi. Informacion shtesë është i disponueshëm në faqen
https://www.uscis.gov/working-in-the-united-states/h-1b-specialty-occupations
nën skedën “Presidential Proclamation on Restriction on Entry of Certain Nonimmigrant workers”.
Vlen t’ju kujtojmë që çdo çështje konkrete emigracioni paraqet rrethanat e saj unike dhe ky artikull shërben thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com