Viza për të punësuarit e përkohshëm pranë një organizate fetare

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi
Punoj si administrator kishe në Shqipëri. Një kishë në Shtetet e Bashkuara më ka ofruar të punoj aty si përkthyes si dhe të ndihmoj në marrëdhëniet me komunitetin. Egziston ndonjë kategori e posaçme vizash për personat që kryejnë këtë lloj pune?
Shqipëri

Si rregull, çdo nënshtetas i huaj që dëshiron të hyjë në Shtetet e Bashkuara duhet së pari të pajiset me vizë qoftë kjo vizë joemigruese për qëndrim të përkohshëm apo vizë emigruese për qëndrim të përhershëm. Vizat R-1 (Temporary religious Worker visa) janë viza që u jepen personave që vijnë në Shtetet e Bashkuara për të punuar përkohësisht pranë një organizate fetare. 

Si i punësuar i përkohshëm pranë një organizate fetare, duhet:

  1. Të jesh anëtar i një feje të njëjtë me atë të organizatës për të cilën ke ndërmend të punosh në Shtetet e Bashkuara, prej të paktën dy vjetësh, përpara se organizata në fjalë të paraqesë një kërkesë në emrin tuaj;
  1. Të vish të punosh në Shtetet e Bashkuara si pastor apo në një funksion tjetër fetar;
  1. Të punësohesh nga një organizatë fetare jo fitimprurëse në Shtetet e Bashkuara (apo një organizatë në Shtetet e Bashkuara që ka lidhje me fenë në fjalë); dhe 
  1. Të punosh të paktën me kohë të pjesshme, mesatarisht të paktën 20 orë në javë.

Egzistojnë disa veprimtari të caktuara fetare që mund të kryhen duke patur vizë vizitori (B) si p.sh. adhurimi i Zotit, lutja, meditimi, studimi në mënyrë joformale i fesë, ndjekja e shërbesave apo konferencave fetare në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, viza e vizitorit i jepet zakonisht dhe pastorëve që duan të vijnë të rrijnë përkohësisht në Shtetet e Bashkuara, rroga dhe shpenzimet e të cilëve do të paguhen nga organizata fetare përkatëse jashtë Shteteve të Bashkuara, të cilës i përkasin, në rast se vijnë për: Turne ungjillor, pa caktuar më parë takim me ndonjë kishë; Shkëmbim të përkohshëm të foltoreve me homologët e tyre në SHBA; ose Për të kryer shërbime misionare apo vullnetare si ato në ndihmë të të moshuarve apo të njerëzve në nevojë.

Kur keni një profesion të natyrës fetare apo nëse vini për t’u punësuar pranë një organizate fetare dhe rrogën do t’jua paguajë një organizatë fetare jofitimprurëse në Shtetet e Bashkuara, atëherë ju nevojitet një vizë R që vlen posaçërisht për punonjësin e përkohshëm fetar ose një vizë tjetër pune. Viza e vizitorit nuk vlen në këto raste.

Përpara se të aplikoni për vizë si punonjës i përkohshëm fetar pranë ambasadës apo konsullatës së SHBA-së, duhet që punëdhënësi i ardhshëm të ketë paraqitur një peticion në emrin tuaj  të quajtur Petition for a Nonimmigrant Worker, (formulari I-129) i cili duhet të jetë aprovuar nga Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS). Do të jetë USCIS-i që do të njoftojë punëdhënësin tuaj të ardhshëm lidhur me aprovimin apo refuzimin e peticionit të paraqitur, nëpërmjet formularit I-797 (Notice of Action).

Aplikimi për vizë nëpërmjet internetit – Formulari DS-160. Për këtë duhet: 1) të mbushni aplikimin për vizë në internet si dhe 2) të printoni “faqen e konfirmimit” të formularit të aplikimit në mënyrë që ta merrni me vete ditën e intervistës. Përpara takimit për intervistë, mblidhni dhe përgatisni dokumentat e duhur, si më poshtë: një pasaportë të vlefshme udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara – pasaporta duhet të jetë e vlefshme për të paktën gjashtë muaj pas periudhes së qëndrimit në SHBA (me përjashtim të rasteve kur egziston një marrëveshje mes vendeve të caktuara që e bën të panevojshme diçka të tillë). Nëse në pasaportë përfshihen më shumë se një person, atëherë secili prej tyre, që të pajiset me vizë, duhet të paraqesë një aplikim më vete. Gjithashtu duhet të keni numrin (receipt number) e peticionit të aprovuar siç tregohet në formularin tuaj  I-129, Petition for a Nonimmigrant Worker, ose në formularin I-797, Notice of Action, të dërguar nga USCIS-i.

Gjatë intervistës për vizë, nëpunësi konsullor është ai që vendos nëse kualifikoheni ose jo për vizë dhe nëse po, është po ai që vendos se cila kategori vize është më e përshtatshmja për qëllimin e udhëtimit tuaj. Ju duhet të tregoni që i përmbushni kërkesat që parashikon ligji amerikan për të marrë vizën në kategorinë për të cilën po aplikoni. Pjesë e proçesit të aplikimit është dhe marrja e shenjave të gishtërinjve në mënyrë dixhitale ( jo duke i ngjyer në bojë). Zakonisht shenjat e gishtërinjve merren gjatë intervistës, por kjo varion në varësi të vendit. Pas intervistës për vizë, mund të duhet që aplikimi juaj të kalojë nëpër disa proçedura të tjera administrative. Nëpunësi konsullor do t’ju njoftojë vetë nëse diçka e tillë do të jetë e nevojshme.  Nëse ju aprovohet viza, do të mund t’ju duhet të paguani një tarifë për lëshimin e vizës nëse kombësia që keni e parashikon diçka të tillë si dhe do të njoftoheni për mënyrën se si do t’ju kthehet pasaporta me vizë. Aprovimi i peticionit nga USCIS-i nuk përbën garanci për të marrë vizën. Mos bëni plane udhëtimi dhe mos e blini biletën pa marrë më parë vizën. Sa kohë që nuk është anulluar, viza është e vlefshme deri në datën e skadencës. Prandaj, një vizë e vlefshme në një pasaportë që ka skaduar, mbetet e vlefshme. Nëse keni një vizë të vlefshme në pasaportën që ju ka skaduar, mos e hiqni vizën nga pasaporta. Vizën në pasaportën e skaduar mund ta përdorni duke e paraqitur bashkë më pasaportën e re, qoftë për të udhëtuar qoftë për t’u futur në Shtetet e Bashkuara.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]