Vizat J-1 dhe Programi i Vizitorëve të Shkëmbimit

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesit: 

Po kryej studimet universitare dhe jam në vitin e dytë. Do të doja ta merrja një semestër “pushim” dhe të shkoja në Shtetet e Bashkuara për të punuar disa kohë aty si dhe për të parë vendin. Po mendoj të aplikoj për një vizë pune pasi të mbaroj studimet. Një shoqe më tha se mund të merrja një vizë për të punuar për një familje si dhe për t’u kujdesur për fëmijën/t e tyre. A është e mundur diçka e tillë?

BM

Tiranë

Po, është e mundur.  Mund të vini në SHBA si au pairAu pair është dikush që vjen si ndihmës nga një vend i huaj dhe punon e jeton si pjesë e familjes pritëse. Zakonisht, personi që është au pair merr përsipër një pjesë të përgjegjësisë që ka familja për t’u kujdesur për fëmijën/t si dhe një pjesë të punëve të shtëpisë kundrejt një shume në të holla ose pagese për përdorim vetjak. Marrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin si au pair i nënshtrohen disa kritereve dhe kufizimeve qeveritare të cilat specifikojnë qoftë diapazonin e moshës së përsonave që mund të aplikojnë – zakonisht nga mesi i adoleshencës deri nga fundi i të njëzetave. Programi au pair konsiderohet si program shkëmbimi kulturor që i ofron qoftë familjes pritëse qoftë personit të punësuar si au pair mundësinë për të përjetuar dhe mësuar për një kulturë tjetër. Ka disa faktorë që dallojnë personat au pair nga kategoritë e tjera të personave të punësuar si kujdestarë. Personat au pair: udhëtojnë me vizë të programit të shkëmbimit kulturor; zakonisht qëndrojnë për 1-2 vjet; jetojnë me familjen pritëse; ofrojnë të kujdesen për fëmijën/t; mund të ndihmojnë dhe në punë të lehta shtëpie.

Kategoria e vizave J-1 (vizitorët e shkëmbimit) u jepet atyre që synojnë të marrin pjesë në një program të miratuar më parë që ka si qëllim mësimdhënien, mbajtjen e leksioneve, studimin, vëzhgimin, kryerjen e një pune kërkimore, ofrimin e konsultës, demonstrimin e aftësive të veçanta, ose marrjen e njohurive apo trajnimin në fushën e mjekësisë.

Për të përmbushur përgjegjësitë që parashikon Programi i Vizitorëve të Shkëmbimit (EVP), Departamenti i Shteteve të Bashkuara cakton disa ente publike ose private që të luajnë rolin e sponsorve të programit në fjalë. Në këtë mënyrë, personat me viza jo-emigruese J-1 sponsorizohen nga programi i shkëmbimit që është caktuar si i tillë nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së. Këto programe janë hartuar në mënyrë që të promovojnë ndërveprimin mes personave, shkëmbimin e dijeve dhe aftësive në fusha të tilla si arsimi, arti dhe shkenca. Disa shëmbuj vizitorësh përmes një programi shkëmbimi janë: profesorë dhe studiues; asistentë në një punë kërkimore shkencore; studentë; stazhierë; mësues; specialistë; persona që do të punësohen si au pair; dhe kujdestarë kampesh.

Duke qenë se Departamenti i Shtetit të SHBA-së luan rolin kryesor në administrimin e programit të shkëmbimit të vizitorëve (vizat J-1), hapi i parë drejt marrjes së vizës J-1 është paraqitja e formularit DS-2019, Certificate of Eligibility for Exchange Visitor Status. Këtë formular do t’jua japë agjencia që merret me sponsorizimin. Duhet të punoni nga afër me nëpunësit e agjencisë sponsorizuese të cilët do t’ju ndihmojnë hap pas hapi gjatë të gjithë proçesit. Nëpunësi që është i autorizuar të lëshojë një formular DS-2019 njihet si nëpunësi përgjegjës (RO) ose nëpunësi përgjegjës alternativ (ARO). Cilido prej tyre do t’ju shpjegojë çfarë dokumentash ju nevojiten që të mund t’ju jepet një formular DS-2019. Pasi të keni marrë formularin DS-2019, mund të aplikoni per vizë J-1 pranë ambasadës apo konsullatës amerikane, nëpërmjet Departamentit të Shtetit. Koha e pritjes deri në caktimin e takimit për intervistë mund të variojë, kështu që është shumë e këshillueshme që të paraqisni sa më shpejt që të jetë e mundur aplikimin për vizë (ndonëse nuk mund të hyni në Shtetet e Bashkuara me status J-1 më shumë se 30 ditë përpara fillimit të programit).

Disa persona me vizë joemigruese J-1 hyjnë në Shtetet e Bashkuara posaçërisht për të punuar, kurse të tjerë jo. Autorizimi për punësim për personat me vizë joemigruese J-1 bëhet vetëm sipas kushteve që parashikon programi i shkëmbimit. Ju lutemi kontaktoni agjencinë tuaj sponsorizuese për të marrë më shumë informacion lidhur me kufizimet që parashikohen në rastin tuaj, lidhur me punësimin në Shtetet e Bashkuara.

Bashkëshorti/ja dhe fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç, pavarësisht nga kombësia që kanë, mund të bëjnë kërkesë për viza J-2 (si vartës të personit që ka vizë J-1). Vartësit në fjalë të pajisur me vizë J-2, me të mbërritur në SHBA, kualifikohen për leje punësimi; megjithatë, të ardhurat e tyre mund të mos përdoren për t’ju mbajtur juve vetë. Për të aplikuar për leje punësimi si person me vizë joemigruese J-2, bashkëshorti/ja dhe/ose fëmijët tuaj duhet të paraqesin formularin I-765, Application for Employment Authorization.

Shpresojmë të vini këtu së shpejti.  

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]