Vizita e ministrit Wadephul në Ballkan – test për kursin e Gjermanisë ndaj rajonit

Berlin, 15 nëntor 2025 – Udhëtimi i ministrit të Jashtëm të Gjermanisë në Evropën Juglindore synon të sjellë qartësi: A mbetet prioritet i Berlinit anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE apo Gjermania po humbet ndikimin?

Kur ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul të dielën (16.11.2025) të zbresë në Sarajevë në fillimin e vizitës së tij katërditore në rajon, ai hyn në një ekuilibër të brishtë. Ai e njeh mirë rajonin, sepse për vite me radhë e ka drejtuar Grupin e CDU/CSU-së për Ballkanin Perëndimor në Bundestag. Por, kësaj radhe Wadephul nuk udhëton atje si politikan specialist, por si drejtues i një ministrie, kursi i së cilës ndaj vendeve të këtij rajoni perceptohet gjithnjë e më i paqartë.

Nga Podgorica, ku të hënën (17.11.2025) do të nisin bisedimet politike, vjen një kërkesë me kortezi, por e drejtpërdrejtë për orientim. Në një aktivitet të DGAP në Berlin më 13 nëntor, ministrja e Integrimit të Malit të Zi, Biljana Papoviç, tha për DW se shpreson për “më shumë angazhim nga Berlini dhe më shumë qartësi se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet i qeverisë gjermane”.

Për Podgoricën, drejtimi energjik i Gjermanisë mbetet thelbësor jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por për gjithë dinamikën e procesit të zgjerimit në BE.

Një sinjal i rëndësishëm politik

Në Tiranë, roli i Gjermanisë shihet ende pozitivisht. Por, analistja politike Alba Cela nga AIIS paralajmëron se mbështetja e Berlinit “nuk është aspak e vetëkuptueshme”. Barometri i fundit i BE-së tregon se vetëm 49 për qind e gjermanëve e mbështesin zgjerimin. Prandaj, vizita e Wadephul për Tiranën është një sinjal politik me peshë.

Mbështetja për BE-në në Shqipëri është ndër më të lartat në rajon: mbi 80 për qind e qytetarëve janë pro anëtarësimit. Megjithatë, eksperti i DGAP-it, Milan Nic, kujton se Shqipëria “ndodhet ende në fillimin e një rruge të vështirë”. Vendi nuk e ka mbyllur ende asnjë kapitull negociues dhe, sipas tij, sfidat më të mëdha do të shfaqen në fushat themelore: çështjet e pronësisë, rregullimi dhe mjedisi.

“Aty fillon dhembja e vërtetë”, thotë Nic.

Po ashtu, lufta kundër korrupsionit mbetet një temë e përhershme.

Serbia, ndalesa më delikate

Pika më e ndjeshme e turit të Wadephul është Beogradi. Mbështetja për BE-në në Serbi është rreth 38 për qind, ndërsa ndikimi i Rusisë mbetet i fortë. CDU ka lidhje të ngushta politike me partinë e presidentit Aleksandar Vuçiq, por Serbia është vendi më i dobët në raportin e progresit të Komisionit Evropian.

Deputeti i Bundestagut Boris Mijatovic (Bündnis 90/Die Grünen), i cili gjendet në Ballkan së bashku me kolegun e tij Anton Hofreiter, i kujton zgjedhjet e vitit 2023 në Serbi. OSBE dokumentoi manipulime dhe parregullsi dhe Mijatovic pret që Wadephul ta ngre këtë çështje në Beograd.

Ai paralajmëron edhe për një boshllëk të ri gjeopolitik: tërheqja e USAID-it nga programet e medias dhe demokracisë “krijon një problem të madh”, sepse liron më shumë hapësirë për ndikim rus.

Po me Kosovën dhe Bosnjën?

Kosova, shteti më i ri i Evropës, para tre vjetësh e dorëzoi kërkesën për anëtarësim në BE. Sot vendi ndodhet në krizë politike. Tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare nuk ka ende qeveri funksionale dhe zgjedhjet e reja duken të pashmangshme. Politologia Njomza Arifi shpreson që vizita e Wadephul “të japë një sinjal ndaj krizës dhe t’i nxisë përgjegjësit të gjejnë një zgjidhje”.

Në Sarajevë, ministri gjerman do të takohet me Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës dhe me Përfaqësuesin e Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Bosnja e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në BE në dhjetor 2022.

Mos e harroni Maqedoninë e Veriut

Mijatovic thekson se Maqedonia e Veriut nuk duhet lënë në hije. Vendi e ndryshoi emrin në vitin 2019 për të zgjidhur konfliktin me Greqinë dhe bëri reforma thelbësore. Megjithatë, tani I kërkohet sërish ndryshime kushtetuese për ta future edhe pakicën bullgare. Pasiguria është e madhe.

“Ne e kemi ndryshuar emrin… por çfarë vjen pas kësaj?”, pyeti kryeministri Hristian Mickovski.

Kjo pyetje e përmbledh humbjen e besimit ndaj procesit të zgjerimit.

Shkupi është kandidat që nga viti 2005. Në vitin 2022 nisi negociatat, por prej atëherë ka pak lëvizje. Në Shkup Wadephul do të takohet me homologun e tij Timco Mucunski.

Shpejtim apo frenim?

Pritjet ndaj Wadephul janë të qarta – Berlini duhet të pozicionohet. Paraardhësja e tij, Annalena Baerbock, e kishte shpallur integrimin e Ballkanit Perëndimor si njërën nga tri prioritetet kryesore. Sot, thotë Mijatovic, dëgjohen “herë tre, herë pesë prioritete – dhe ndonjëherë Ballkani Perëndimor nuk është aty”.

Edhe heqja e postit të të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor shihet si sinjal negativ. Ky post së fundi është mbajtur nga Manuel Sarrazin. Qeveria aktuale e hoqi pozicionin për të ulur numrin e të dërguarve të posaçëm.

Sipas ekspertit Nic, përgjigjja më e qartë për kursin e qeverisë gjermane do të shihet më vonë.

“Në vitin 2026 do të shihet nëse Gjermania do ta përshpejtojë zgjerimin apo nëse ai do të mbetet sërish viktimë e prioriteteve që konkurrojnë mes tyre”, theksoi ai.

(DW)