Përkitazi me librin me poezi “Fletorja e vjeshtës” të poetit Jozef Radi. Botoi Enti Botues “PAKTI” 2011.
Poeti Jozef Radit vjen në poezinë shqipe pas viteve ’90, ështe autori i librave poetike, ”Muret e Muzgut” (1993), ”Kujtesa e Mjegulles” (2000), si dhe albumit fotografik “Ankona e fshehtë” (2007). Poeti boton dhe del para lexuesve në një moshë të pjekur ngaqë botimi për këtë autor ishte i ndaluar, u lind dhe rrit në kampet famëkeqe të internimit të diktaturës komuniste. Biografia jetësore normalisht që do ndikon në krijimtarinë e poetit, sepse dihet sa ndikim ka në krijimtarinë e një poeti jeta e kushtëzuar dhunshëm që nga lindja. Në mesin e shumë poetëve që vijnë nga përvoja jetësore të ngjashme, Jozef Radi dallon për një individualitet, një zë të mvetësishëm duke u profilizuar si individualitet krijues. Krijimet e tij shquhen për cilësinë poetike, shmangien e proliksitetit apo prozoidisë poetike që shpesh u janë imponuar si mjete të nevojshme shprehëse edhe nga poetë më të njohur botërorë kur kanë trajtuar tema si tmerret e kampeve në Aushvic apo në Gulagun sovjetik.
Në një nga esetë e tij poeti dhe disidenti i famshëm polak Çeslav Milosh shkruan:”Vetëm një përqindje e vogël e vuajtjes njerëzore arrin të bartet në letërsi, ndërsa shumica e asaj vuajtje zhduket pa gjurmë!”… Koha me forcën e vet konsumuese fshin shumë nga përshtypjet, shumë nga përvojat e tmerrit që për ata që i përjetuan ishin të rënda sa shekuj të tërë vuajtjes. Edhe vendi ynë, për fat të keq ka një trashgimi të kësaj natyre, si shumë vende tjera të botës kemi kaluar nëpër terrin e totalitarizmit, kalim që ka lënë shumë vragë në shpirtin dhe kujtesën e njerëzve, e për më tepër në gjithë vetëdijen tonë shoqërore. Janë gjithë ato jetë të humbura në dënime politike, gjyqesh të montuara, janë vite jetë të ndrydhura burgjeve, jetë të gjata si shekuj të kaluara në dhunë, femijëri që nuk njohën ligjësi tjera vec atyre të kampeve të internimit, bota reale e të cilëve kufizohej me telat me gjemba!Dëshpërimi dhe zemërimi janë ndjenjat më normale njerëzore që mund të të vijnë në mend kur nis e analizon botën e brendshme shpirtërore të atyre njerëzve, ndarë nga bota me mure burgjesh, me tela kampesh internimi… Mënyra më e mirë për ta njohur atë botë shpirtërore është pikërisht arti i krijuar nën atë trysni burgjesh dhe internimesh. Është një trashgimi e tërë kulturore, e cila u krijua dhe gjallonte e panjohur për shumicën e shqiptarëve, mbuluar nën akullin e çensures shtetërore, fare e panjohur për publikun e gjerë. Janë shumë krijues të shumë zhanreve të artit që u tretën burgjeve e internimeve duke mbajtur të gjallë artin në atë formë siç e thekson me të drejtë studiuesi nga Sarajeva, Ivan Foht kur në trajtimin e kësaj teme mes tjerash shprehet… “Arti është i vetmi azil i shpirtit, përmes të cilit subjektiviteti njerëzor e ka bartur nëpër kohëra identitetin e tij historik!”…
Mbivetëdija poetike
…Si reagon një poet lindur e rritur në ato kushte?!Si shkruan një artist që botën e njohu vetëm me pamjen e saj të dhunshme që nga fëmijëria e tij?!Si është përceptuar bota nga një poet kur deri edhe qenësia e tij fizike ka qenë kushtëzuar nga telat e gjembave në një nga rrathët e ferrit të Lushnjës?!… Lexon këtë libër dhe konkludon i habitur më vete…Jozef Radi nuk shkruan mbi jetën e vet, përvojat e veta si një njeri i mllefosur nga padrejtësia që i është bërë atij dhe shumë bashkëvuajtësve të tij, ai shkruan si artist duke na dhënë një libër që meriton vlerësime nga qarqet letrare. Është një “Fletore“ që kërkon lexuesin jo për te synimin e poetit, por të lexuesit sepse sa merr në dorë këtë libër ngërthehesh në simbolikën e qëlluar të vjeshtës, vjeshtës së jetës, vjeshtës kur njeriu ka mbërritur në atë stinë të përvojës së vet që mund të gjykojë, mund të ndërtojë një lloj mbivetëdije ndaj gjithë eksperiencave që janë shënuar në atë fletore jetësore… ”Fletorja e Vjeshtës” është apel ndaj ndërgjegjies sonë, ndaj njerëzores, ndaj moralit, ndaj etikës, apel ndaj së bukurës…Brengat e shpirtit të poetit, dhimbat që janë sendërtuar në shtresëza përjetimesh, që poeti me ndjeshmërinë e tij poeti i kthen në art, njejtë si ajo guacka e famshme e cila plagët e veta i shëron duke i kthyer në perla…“ne u deshëm në një kamp telash me gjemba/hedhun midis një kënete që e bamë fushë/ngulëm nga një lulen’çdo dhambë hekuri/e me fije bari ia qendisëm klithmat fatit tonë…”.
Poeti përçon pikërisht atë botë që gjallonte mes atyre telave me gjemba, ai bëhet zëri i atyre njerëzve që vuajtën dhe përjetuan ato tmerre, që kaluan gjithë ato eksperienca jetësore. Dhe gjithë këtë poeti e bën pa rënë në deklerativitete, shmang deklamacionin që është vështirë të shmanget në të tilla subjekte, duke na sjellë një poezi e cila apelon për ndërgjegjen njerëzore. Poezitë e librit janë të shkurtëra, racionale përmbledhur me domethënien e tyre, pastruar nga përzgjatjet, përmbledhje të ngjeshura e konçize dhe njëherit të thjeshta për t’u kuptuar nga çdo lloj lexuesi, që e merr mesazhin e tyre menjëherë…”jo s’janë të lirë ata që ngrenë rrethime/të lirë janë ata që rrethohen me mure, /prandaj i rrethojnë:të vritet liria e tyne!”…Poeti me art krijon një përputhje mes gjendjeve emocionale dhe realitetit të jashtëm, përshkrimet e të dy botëve si asaj të jashtme me peisazhet natyrore ashtu edhe asaj së brendshme shpirtërore. Që të dy këto botë janë ngjyrosë me një ngjyrim të veçantë, individual, poeti ndërton kromatikën e vet dhe me këtë arrin të ngërthejë në një, jashtësinë me brendësinë, duke na shkrirë dy botët…”përdhunshem/I mbiu kjo fushe/syve të pafajme/edhe syve të mi/pa qenë fajtorë…/eh sa mallkime u mbollën mbi te/sa varre tretën pa gjurmë, /nji gjysë shekulli e përtej/që dashnisë/s’ia gjej emnin…/”. Poeti Jozef Radi në këtë libër mundet të shmanget nga joestetikja, poezia e tij sjell dhimbjet dhe përvojat e viteve në internime, ndjenja këto thellësisht të ndjera e që apelojnë etikën dhe moralin njerëzor. Poeti vepron pikërisht në kapërcyellin ndarës mes etikës dhe estetikës, pikërisht përmes etikës poeti arrin të dalë në estetikë, konceptimi i atillë mundësohet sepse këto dy disiplina nuk janë larg, i bashkon humanizmi e kësisoji na sjell art në këtë libër poetik. Art, sepse poezitë janë të ndjera, nuk janë fryt sforcimi si jemi mësuar rëndom me poetet e periudhës socrealiste kur etika dhe estetika ju nënshtruan përdorimeve politike…”kur nata t’ia nxjerrë syte ditës/dhe e vetmja shpresë/të mbeten yjtë/futu ndër fyejt e eshtnave të mia/e rropatu me ia shkulë shpirtit/te fundmet fjalë/që kurrë s’u bane melodi…”
Vjeshta si simbolikë
Poeti këtë libër e ka ndërtuar me katër nënndarje ku vjeshta është simbolike konstante në secilën prej tyre…“fletore vjeshtës së parë’, “fletore vjeshtës së dytë”, “fletore vjeshtës së tretë” dhe “vjeshta e vjeshtës”. Kjo simbolikë ka krijuar fizionominë e librit duke u shndërruar në përbërës kuptimor. Vjeshta si simbolikë është përherë aty, deri nënndarjen e katërt, që nga kampet e internimit në Lushnjë e deri në Ankona ku poeti vite më vonë jeton, gjithnjë është po ai njeriu jokonformist që ndijon e përcepton papajtueshëm me hipokrizinë njerëzore. Simbolika e vjeshtës arrin që të funksionalizohet në këtë libër sepse poeti ndërton një sistem simbolesh e figurativiteti vetjak, një formulim dhe një shqiptim estetik të mvetësishëm ku vjeshta zhvendoset nga kuptimi parësor gjuhësor që ka e duke marrë rol tjetër në brendinë e librit…”shiu/qiellit vare/si veriga rrushi/nder furka t’përflakta/vetëtimash…/ne andrrojme vreshtat/e dehemi me vjeshtat…/”…Thyerja e standarteve gjuhësore duke përdorë nuancë të gegnishtes në poezi e pasuron edhe më tepër shprehinë e stilin pasi përftohet një muzikalitet në vargje. . Poeti me këtë aktivizim të gegnishtes mëton të lidhë parabolën e shkëputur me traditën e poezisë gegnishte, jo duke qenë vazhduese e saj por duke korresponduar në nivelin e vlerave. Ne kemi mbijetuar atë kohë të ashpërsisë totalitariste thotë poeti në shumë nga vargjet e veta por për fat të keq kemi humbur shumë nga ato vlera që qytetërimi shqiptar, shoqëria shqiptare dështuan t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë, siç qenë religjioni, filozofia, trashëgimia etike dhe morale e shqiptarëve të cilat fatkeqësisht pësuan nje mutacion në ato rrethana historike…Me kalimin e viteve, me ardhjen e “Vjeshtës” jetësore poeti bashkë shtimin e viteve shton përvojat jetësore e krijuese sfera e temave të tij zgjerohet rreth temave mbi jetën dhe botën që ai kujtoi se e njihte e që në fakt ndryshon përditë. Jozef Radi në dy nëndndarjet e fundit të librit shfaqet si një krijues me një intensitet të shtuar shpirti-kërkimi, i ndarë më dysh mes besimit dhe dyshimit, midis ekuivokeve të qenësisë, dilemave jetësore ku ngulmimi në gjetjen e përgjigjeve vetëm sa thellon misteret…”mijëra herë/e kam verbue vedin/mos me e besue/terrin e atyne që m’rrethojnë…/po s’mjaftoka veç verbimi i vedit/me e pshtue t’keqen e tjetrit/edhe tandën bashkë/”…
Esteti gjerman Theodor Adorno pas krimeve naziste të gjysmës së shekullit të kaluar, famshëm është shprehur se pas asaj çka ngjau në kampet famëkeqe të përqëndrimit që patën ngritë nazistët, poetët nuk kanë më të drejtë këndojnë, duke fajësuar shoqërinë gjermane në dështimin e mbrojtjes së vlerave elementare jetësore, dështimin e humanizmit në kompleks. Kjo vlen njësoj në kontekstin tonë shqiptar, edhe ne jetuam, edhe ishim nëpër një përvojë të ngjashme, edhe ne qemë një shoqëri që dështoi në mbrojten e pjesëtarëve të vet, për më tepër toleroi përndjekjen e tyre, me heshtjen e frikshme i dha rrjedhë asaj të periudhe historike që duhet të na bëjë të reflektojmë shumë. Askund nuk e thekson këtë poeti Jozef Radi, nuk i mëshon toneve lamentative për çfarë hoqi e çfarë kaloi, ai ngrihet fisnik mbi ato realiteteve…”jo!/kurrë/s’ke me gjetë/ma t’bukur/vedin/se n’dashninë/e braktisun/t’vjeshtës, /e as/kurrë/s’ke me e pa/ma mirë/shëmtinë/e shpirtit/tand/se n’pasqyrën/e thyeme/te syve/të mi…/”…
Libri i Jozef Radit “Fletorja e vjeshtës” vjen në këtë kontekst si një apel i arrirë artistikisht për të gjithë ne…Letërsia e krijuar nëpër burgje e internime është një pjesë shumë e vyeshme e kulturës sonë, ajo është trashgimi kulturore kombëtare përveç shumë vlerave tjera edhe pse është shembull shpresëdhënës se humanizmi mbahet gjallë edhe në kohët më të errëta, në mes vuajteve e kërcënimeve të flakjes honeve të historisë. Pavarësisht prej çmimit që paguajnë intelektualët e vërtetë, artistët e mirëfilltë janë gjithmonë atje, atje ruajnë dhe bartin humanizmin, bartin vlerat shpirtërore nga një kohë në tjetrën…