Vjosa Osmani do të jetë bartëse të listës së LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit

Prishtinë, 9 maj 2026 – Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka zyrtarizuar marrëveshjen me ish-presidenten e Kosovës Vjosa Osmani që të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Osmani do t’i prijë listës së kandidatëve të LDK-së për Kuvendin e Kosovës, ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të jetë i dyti në listë.

Osmani do të jetë kandfidate për president të Kosovës, kurse Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër të vendit.

Abdixhiku ka bërë të ditur se në listën zgjedhore të LDK-së do të përfshihen edhe 19 kandidatë të propozuar nga Osmani.

Ai ka thënë se vendimi që Osmani të jetë pjesë e listës së LDK-së është miratuar unanimisht nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

Abdixhiku e ka cilësuar marrëveshjen me Osmanin si “bashkim” të partisë. Ai ka thënë se “procesi i bashkimit të LDK-së nuk ka të bëjë me interesa personale apo kalkulime elektorale, por me përgjegjësi politike ndaj shtetit”.

 Ai ka shpjeguar përse LDK-ja e nominoi Osmanin për presidente qysh tash.

“Kosova nuk po shkon në zgjedhje për mungesën e shumicës, për shkak të moszgjedhjes së presidentit. Ky është thelbi i krizës sonë aktuale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm kush kërkon të qeverisë, por edhe kush kërkon ta përfaqësojë shtetin si presidente. Kanë të drejtë ta dinë pse prodhuan krizë këto zgjedhje. Para se të ketë qeveri të re, Kosova duhet të ketë president të ri. Përballë këtij realiteti, nuk mund të fshihemi. Duhet t’i japim qytetarëve qartësi politike që sot, t’i japim zgjidhje që sot dhe ta përcaktojnë me votë dhe t’i ndërprenë dëshirat e destabilizuesve. Po dalim para qytetarëve me ofertë të plotë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se deri të martën, kur përfundon afati për dorëzimin e listave për deputetë, do të përpiqet t’i bashkojë “të gjithë ata që duan të jenë pjesë e listës së LDK-së”.

Ish-Presidentja Osmani, pas miratimit të vendimit që të jetë bartëse e listës zgjedhore të LDK-së, tha se ishin qytetarët ta që e bindën të kthehet në listën e LDK-së.

“Për muaj të tërë kam ecur nëpër çdo cep të Kosovës. Jam mirëpritur në shtëpitë tuaja. Kam dëgjuar hallet tuaja. Kam parë zhgënjimet në sytë e njerëzve të ndershëm. Por, mbi të gjitha kam parë një gjë që ende nuk është shuar: shpresën. Dhe kudo në çdo fshat e qytet, çdo tavolinë e çdo shesh ju më folët me një zë. Ju dëgjova, prandaj po bashkohemi. Le t’i bashkojmë zemrat dhe ëndrrat. Le të bashkohemi të gjithë”, ka thënë Osmani.

Në një video të publikuar në Facebook, ajo ka nxjerrë mesazhe të qytetarëve që i bënin thirrje të kthehej në LDK.

Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK vjen pas një periudhe të gjatë ndarjeje me këtë parti, ku e kishte filluar karrierën e saj politike. Ajo ishte një nga figurat më të votuara të LDK-së dhe i kishte ushtruar disa funksione të rëndësishme, përfshirë atë të ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës pas dorëheqjes së Hashim Thaçi, në vitin 2020.

Përplasjet mes saj dhe strukturave të atëhershme të LDK-së ishin thelluar pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I. Në vitin 2021, Osmani e formoi partinë e saj, Listën Guxo. Në zgjedhjet e atij viti ajo ishte pjesë e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje. Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës. Këtë pozitëe mbajti deri në fund të mandatit, në muajin mars të këtij viti.

Osmani kishte shprehur interes që të zgjidhej presidente edhe një mandat, por ajo nuk e pati mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Për këtë arsye u prishën raportet midis saj dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

(r.m.)