Prishtinë, 4 mars 2026 – Nga kabineti i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, u mohua se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka ofruar asaj përkrahje për të siguruar 30 votat e nevojshme për të plotësuar kushtin për të hyrë në garë për presidente.
Këshilltarja e presidentes Osmani, Learta Hollaj, në një postim në Facebook, e ka cilësuar gënjeshtër deklaratën e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, se presidentes Osmani i janë ofruar nënshkrimet e deputetëve të LVV-së për ta zyrtarizuar kandidaturën e saj për një mandat të dytë.
“Demant. Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër!”, ka shkruar Hollaj.
Nagavci, në një konferencë për media, deklaroi se LVV-ja ia ka ofruar zonjës Osmani nënshkrimet e deputetëve të saj për të plotësuar kushtin për të hyrë në garë edhe për një mandat të presidentes, por ajo e ka refuzuar përkrahjen e LVV-së.
“Si Lëvizje i kemi ofruar edhe presidentes, zonjës Vjosa Osmani, për kandidaturën e saj, edhepse siç e dimë se asnjë subjekt tjetër politik nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe kemi pasur deklarata publike, në këtë rast të PDK-së, se nuk e mbështet Osmanin për presidente”, tha Nagavci.
“Meqenëse zonja Osmani nuk e ka pranuar këtë ofertë, tani, duke marrë parasysh dinamikat aktuale dhe kohën e shkurtër për të zgjedhur presidentin, deri nesër në orën 24, por edhe numrat e subjekteve të tjera që nuk kanë numër të mjaftueshëm të deputetëve për të siguruar 30 nënshkrime”, shtoi ajo.
Nagavci nuk tregoi se kur i është ofruar Presidentes Osmani mbështetja e LVV-së, por tha se ajo i garanton votat e LVV-së për zonjën Osmani.
“Unë sot i garantoj votat e Lëvizjes Vetëvendosje, nëse flasim për nënshkrime të deputetëve, nëse themi se nuk është e vërtetë. Sot jam e gatshme që në emër të Lëvizjes të garantojë që do të ofrojmë vota për të vazhduar tutje me garën”, tha Nagavci.
LVV-ja njoftoi se kandidat i saj për President të ardhshëm të shtetit do të jetë nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca. Ajo tha se me nënshkrimet e deputetëve të saj do të mbështesë edhe një kandidat të opozitës, më saktë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Të dyja këto parti deklaruan se nuk do të votojnë për Konjufcën. Ato thanë se kanë qenë të gatshme të mbështesin një kandidat jopartiak dhe e akuzuan LVV-në dhe kryetarin e saj se po përpiqet të marrë nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit.
(r.m.)