VLERAT E THELLA TË LIBRIT “PIKËLLIM NË NJË FOTO TË VJETËR” TE STUDIUESIT TË FOTOGRAFISË SHQIPTARE QERIM VRIONI

Nga Robert Martiko

Robert Martiko

       “PIKËLLIM NË NJË FOTO TË VJETËR” -kështu titullohet libri i fundit i studiuesit të mirënjohur të fotografisë shqiptare, Qerim Vrionit, që lidhet me temën e portreteve të ashtuquajtura “post mortem”, në gjuhën popullore mund të ndeshet me termin “portrete zie”. Është fjala kur largohet nga jeta një njeri i dashur i familjes, apo një person me të cilin na lidhin marrëdhënie miqësore. Kultura të ndryshme në botë e kanë përdorur dhe ende sot vijojnë të përdorin këtë praktikë. Zona më e studiuar e fotografisë post-mortem është ajo e Evropës dhe Amerikës. Me të njëjtën logjikë njohëse rreth kësaj forme të spikatur të artit ka vepruar edhe Qerimi në librin tij ku trajton foton e publikuar edhe në botën perëndimore me titullin: “Gjon Pali dhe e bija”, kapur mjeshtërisht nga objektivi i fotografit të dëgjuar shqiptar, Kolë Maca. Kur flitet për Fotografi dhe Thanatos: Vdekja në gjuhën greke të lashtë, ka mjaft rëndësi një dialog i mundshëm, i brendshëm, rreth kësaj teme me karakter shoqëror.

      Më ka rastisur pothuajse në të gjitha rastet ku përfshihen dhe intelektualë, madje me grada të larta akademike, ta trajtojnë vdekjen sipas koncepteve të shoqërive jashtë kohës, shprehur sipas mendimit popullor se njeriun vjen dita ta hajë varri. Është diçka tragjike për një shoqëri që ushqehet me të tilla mendime. Në këtë aspekt shikohet vdekja si një skandal i përjetshëm që shënon superioritetin vendimtar të natyrës mbi kulturën. Bëhet fjalë për vende e shoqëri pa të ardhme sa kohë që mendohet në këtë mënyrë. Ndodh krejt ndryshe nga kultura e rilindur evropiane që e konsideron vdekjen jo humbje, por si një përfitim të jashtëzakonshëm për vetë shoqërinë dhe qytetërimin e saj. Mbi këtë bazë u krijuan veprat më të përsosura që njohu njerëzimi, ndryshoi vetë bota, u qytetërua njeriu i egër primitiv, vëllavrasës, me origjinë nga xhungla. Pra, nëse Qerim Vrioni ofron para publikut për të parë dhe asimiluar foton e mësipërme, kjo, sipas vetë thirrjes së tij finale, në fundin e librit, duhet bërë duke parë vdekjen jo thjesht si një proces fiziologjik, por si një temë universale mjaft komplekse të lidhur me artin dhe për më tepër jetën e kërcënuar nga vdekja, që qëndron në rrënjën e problemit njerëzor.

       Nuk duhet harruar se një foto nuk është thjesht një shkrepje drite e një specialisti-fotograf por edhe një “memento mori” që, me origjinë nga latinishtja, termi ka kuptimin: “Kujto vdekjen!” Veç se jo të kujtosh vdekjen në kujtimin e saj bezdisës apo tmerrues, por për ndërgjegjësuar veten. Është diçka që mendimi grek e zbuloi këtu e 2500 vjet më parë. Ishte pikërisht ideja e vdekjes që lindi mendimin e kuptimit të jetës. Sokrati ishte filozofi i parë që preku këtë temë. Platoni e trajtoi në mënyrë sublime te “Apologjia e Sokratit”. Tha se vdekja nuk duhet të frikësojë njeriun përderisa është e panjohur. Njerëzit që kanë më shumë frikë vdekjen janë budallai, mediokri dhe fajtori. Njeriu i ndershëm që ka mundur të jetojë jetën në mënyrë origjinale, sipas filozofit më të madh gjerman të shekullit të kaluar, Hajdeger, nuk e ka frikë vdekjen. Si për ta ilustruar më mirë kuptimin e vdekjes së kthyer në vlera morale e shpirtërore, Sokrati ishte njeriu që u largua me elegancë nga jeta. Kur gjyqi i asaj kohe në Athinë e dënoi me vdekje dhe nxënësit e tij i thanë ta shpëtonin duke e fshehur diku në një koloni të largët helene, ai refuzoi duke pirë helmin. Vërtet i mori jetën por e bëri të pavdekshëm.

      Një tjetër ide e bukur që bie në sy në librin e Qerim Vrionit është se një person i mbërthyer në shtratin e vdekjes, të bën të mendosh cenueshmërinë e qenies njerëzore. Është ajo që populli thotë se e keqja për njeriun mund të ndodhë fare papritur, se ai nuk është gur. Autori i librit zë në gojë fjalën e mrekullueshme për vetë-ndryshim: “dhimbja”. Pasi vjen momenti që materia fiziologjike humbet, vdes, tretet. Vetëm ideja mbetet. Janë të shumtë njerëzit negativë që konsumojnë gjithë jetën e tyre për të mbjellë ligësi, armiqësi e përçarje dhe të gjithë, pa përjashtim, vjen çasti të humbasin pa nam e nishan, me praninë e së keqes të gjallë, të transmetuar nga një brez në tjetrin. Ideja e cenueshmërisë për njeriun me mendje të hapur do të thotë të përdorë gjithë energjinë e tij, për të krijuar brenda familjes së vet vijueshmërinë e bukur të traditës familjare, duke e filtruar. Pra reagimi ndaj vdekjes në këtë rast, edhe kur nuk shfaqet në trajtën gjeniale të një Danteje, Shekspiri apo Gëteje, bën të mundur lindjen e idesë së përjetësisë edhe te njeriu i thjeshtë.

       Është pikërisht ideja e vdekjes, e kohës së shkurtër për jetesë, që kryen një mrekulli të tillë. Duke i kujtuar njeriut kufijtë e shkurtër të jetës së tij, i bën thirrje të ndryshojë. Brenda këtij fenomeni të çuditshëm gjen lirinë e tejkalimit të vetvetes drejt më të mirës, jo në trajtë krahasuese me dikë tjetër. Martin Hajdeger tha se nëse individi dëshiron të ketë më pak frikë nga vdekja, i duhet të zgjedhë patjetër mënyrën autentike të jetesës, që nuk ka kurrfarë lidhje me botën jo të thelluar të shumicës së njerëzve, të mposhtur sot nga mjetet e komunikacionit masiv, lajmeve, pa qenë në gjendje për të vlerësuar vërtetësinë apo falsitetin e tyre.

      Përfundimisht, duke marrë shkas nga libri i Qerim Vrionit do të dëshiroja të vija në dukje të meta thelbësore për mendimin shqiptar të dalë nga kultura false e gjysmë shekulli diktaturë ekstreme. Është diçka që e thekson vetë autori në finalen e librit, që për mua është gjithçka. Nuk hyn në punë filozofi në ajër, pa bereqet, por prania e saj thellësisht reale, konkrete, praktike. Kështu, nuk ka asnjë vlerë grumbullimi i fakteve nga e kaluara, ASNJË, madje edhe kur bëhet fjalë për dy figurat shqiptare të nivelit botëror si Skënderbeu e Nënë Tereza, pa hyrë në thelbin e gjërave. Gjithçka që vjen nga e kaluara ka vlerë kur individi di të mbajë distancë. Nuk përsëritet vetvetja tragjike, e vjetër. Faktet duhen kuptuar e ndriçuar nën dritën e mendimit të kualifikuar perëndimor. E kaluara ka vlerë vetëm kur lidhet me të sotshmen për të projektuar të ardhmen. Është diçka që vlen për të gjitha degët e Artit, jo vetëm për fotografinë. Vetëm atëherë bëhet pasuri jete për lexuesin. Ngjarja pa studiuesin nuk mund të ekzistojë si nuk mund të ekzistojë studiuesi pa ngjarjen. Lidhjen e bën kuptimi që mund ta quash njëkohësisht edhe rrugë komode mbretërore, por edhe udhë e nëndheshme: zbërthimi të nënndërgjegjes, diçka me rëndësi të veçantë, sipas autorit, përndryshe çdo përpjekje humane është pa efekt. Kështu njeriu mbetet i njëjtë i kredhur përjetësisht në paditurinë e ligësinë natyrore, klasike. Arti nuk është riqarkullim gjërash pa vlerë. Përmban kuptimin e thellë të hapjes së kohë. Përndryshe ngjarja, edhe kur ka ndodhur para shekujsh mbetet e njëjtë. Siç ndodh me Skënderbeun i cili mburret, lavdërohet, ngrihet në qiell nga studiuesit, ç’pluhuroset në muze, ndërsa përçarja dhe armiqësia në gjirin e shoqërisë shqiptare lulëzon e shumëfishuar sot më shumë se kurrë. Dhe askush, në nivel akademik, e vendos në planin e parë të rendit të ditës, si pikënisje e të gjitha problemeve shqiptare, gangrenë e pashëruar në shekuj. Kuptimi rinovues i gjërave ka rëndësi, jo të dhënat empirike të trajtës: “ishte seç na ishte njëherë”. Kuptim gjërash d.m.th. zhvendosje në kohë personale.

      Objekti historik merr vlerë kur gëzon aftësinë nëpërmjet përpunimit të brendshëm shpirtëror të ndryshojë konkretisht jetën. Ofron diçka për individin dhe anasjelltas individi diçka ofron për të. Lëvizja e shpirtit dhe mendimit ka rëndësi themelore. Njeriu duke ndier problemin vetjak, mëson, hedh poshtë, ndryshon, rinovon jetën e tij. Manifestimi, akademia, salla, politikanët, përsërisin gjërat mekanikisht pa ndryshim shpirti, të dënuar në një shpirt të destinuar për të lënë gjërat në errësirë e mosndryshim. Fakti pa përmbajtje nuk ofron asgjë. Objekti historik pa rinovim lë njerëzit fosile. Studiuesi me vlerë ka për qëllim të shartojë një Kohë të re. Prandaj ka rëndësi thelbësore të qenët në kohë. Dhe Qerim Vrioni me librin e tij, përmes analizës së fakteve, ndihmon shumë për të menduar e preokupuar se çfarë ndodh me një fotografi me temën “Post Mortem”.

       Nuk ka vlerë asnjë vepër arti pa menduar, në radhë të parë vetë autori, se sa arrin të krijojë, ka vlerë kryesisht për të përgatitur të ardhmen. Përveç dhimbjes gjen të trajtuar në libër temën e humanizmit ku, sipas autorit, ngrihen lartë vlerat mirësisë së njerëzve në botë, sidomos atyre që vuajnë pasojat e luftërave dhe konflikteve të armatosura midis vendeve dhe shteteve, më kryesorja e të cilave mbetet humbja e jetëve njerëzore dhe pikëllimi që shkakton. Mjaft interesant në libër është një paragraf ku autori vë në dukje se rrugën që përshkon një foto nëpër kohë mund ta shënojmë teorikisht edhe si një gjysmëdrejtëz, ku pika përkon me çastin e fotografimit, ndërsa pjesën e pafundme të vijës së drejtë, me efektin e saj para shikuesve. Kështu suksesi i një fotoje, qysh prej më të vjetrave, pranohet se qëndron në një farë mënyre edhe në kohëzgjatjen e përballjes së saj me shikuesit. Takimi direkt foto-publik mund të ndodhi në muze fotografie, ekspozita ose konkurse, albume, libra studimor dhe historik, por sidomos, nëpër organe shtypi të shkruar të fotografisë, por edhe në atë elektronik. Është një ftesë mjaft e bukur e autorit për vrojtuesin me mendje të çelur. E vërteta është se jo vetëm fotografia por gjithë arti botëror i shtrirë në mënyrë kronologjike mbi vijën e drejtë shërbeu për të ndryshuar njeriun. Fati i njerëzimit ndryshoi porsa koha në rreth u zëvendësua me kohën lineare.

      Pra, këto janë sekretet e thella që ndryshojnë njeriun. Dhe, pak e nga pak, gjithë shoqërinë. Përndryshe kufoma e të vdekurit të Kol Macës përbri së bijës me një pamje mjaft bukur, prekëse, mbetet përjetësisht vdekje më shumë nga vetë vdekja, sado të spërkatet me lavdërime intelektuale jo të thelluara, pa pik kuptimi, apo me ujë borziloku.

Botuar te “Gazeta Shqiptare”, date 13 gusht 2021