VMRO fajëson zëvendës-kryeministrin Fatmir Besimi

Pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Fatmir Besimi, se përgjegjës për dështimin në samitin e BE-së janë institucionet shtetërore të Maqedonisë, pasi nuk përmbushën kriteret e kërkuara nga Brukseli, ish-ministri Antonio Milloshoski ka kërkuar dorëheqje nga shefi i Sekretariatit për Eurointegrimeve – Besimi kundërpërgjigjet duke thënë se ky proces nuk kërkon emocione, por përkushtim dhe seriozitet, ndërsa opozita akuzon VMRO-në

 

Zejnulla Veseli

SHKUP, 27 qershor – Dështimi i Maqedonisë për të marrë datë për hapjen e negociatave në Samitin e fundit të Bashkimit Evropian që zhvillon punimet këto dy ditë, ka shkaktuar polemika mes partnerëve të koalicionit – VMRO dhe BDI, konkretisht për atë se kush është fajtori kryesorë dhe nëse dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Deklarata e zëvendëskryeministrit për Eurointegrime, Fatmir Besimi, se fajtorë për dështimin e Maqedonisë janë institucionet shtetërorë të Maqedonisë dhe jo Greqia, si duket shkaktoi nervozë tek partneri më i madh i koalicionit qeverisës, VMRO-DPMNE, deputeti i së cilës, Antonio Milloshoski, u kundërpërgjigj duke kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqje nga zëvendëskryeministri Besimi.
“Nëse ndonjë institucion ka dështuar në procesin e integrimeve, ndërsa zëvendëskryeministri Besimi është përgjegjës për këtë proces, atëherë ai personalisht duhet të merë përgjegjësi, përse nuk reagoi në kohë dhe ndoshta duhet të mendojë të jep dorëheqje nëse vlerëson se nuk mund ta koordinojë këtë proces. Nëse nuk ka ndonjë institucion të atillë, atëherë vlerësoj se ajo mund të jetë vetëm një deklaratë paushalle me qëllim që ai si njeri, si politikan, ndoshta ti pëlqejë më pak a më shumë një publiku të caktuar, të brendshëm ose të jashtëm”, ka thënë Antonio Milloshoski, ish ministër i punëve të jashtme tani deputet aktual në parlamentin e Maqedonisë nga partia në pushtete VMRO.
Zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Fatmir Besimi i është kundërpërgjigjur akuzës së Milloshoskit duke thënë se procesi integrues është proces strategjik në interes të vendit, i cili ka përkrahjen e shumicës së qytetarëve të Maqedonisë.
“Ne, të gjithë bashkërisht si shoqëri duhet të krijojmë vullnet dhe të bëjmë përpjekje që ta integrojmë vendin tonë plotësisht në BE dhe NATO. Ne jemi të detyruar që të shfaqim progres në të gjitha sferat e rëndësishme për këtë proces, dhe për këtë institucionet dhe partitë, pa marrë parasysh a janë ato qeveritare apo në opozitë, duhet të mbajmë përgjegjësi ndaj procesit dhe reformave të nevojshme. Në këtë kontekst, çështja e emrit është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe për këtë duhet të tregojmë angazhim dhe progres. Detyrimi ynë është që në mënyrë paralele dhe me angazhim të punojmë edhe në reformat e tjera të nevojshme dhe t’i implementojmë sa më shpejt dhe sa më mirë, që periudhën e aderimit ta shkurtojmë sa më shumë”, shprehet Besimi. Në fund, ai ka shtuar se pas këtyre çështjeve nuk duhet t’ia lejojmë vetes të sillemi në mënyrë pasive, emotive, apo ditore politike, sepse ato paraqesin prioritet strategjik për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
Në një vijë me deklaratën e disa dite më parë të zëvendëskryeministrit Fatmir Besimi, ka qenë edhe deputeti opozitar nga Lidhja e Sanxhakut, Safet Bishevac, sipas të cilit, Brukseli i ka dhënë Maqedonisë përgjigjen e merituar.
“Kështu sillen ata në Bruksel ndaj atyre që nuk i përmbushin kriteret elementare për anëtarësim në BE. Me vite mundohet që gjithë problemin e eurointegrimeve ta drejtojë kah problemi me emrin. Tanimë të gjithë e kanë të qartë se Maqedonia në pjesën më të madhe nuk i përmbush kriteret elementare për anëtarësim në BE, këtu bëjnë pjesë gjyqësia, liria e mediave, mosekzistimi i ndasisë së qartë mes pushtetit, që në thelb dëshmon se ne nuk funksionojmë në mënyrën në të cilën funksionojnë shtetet normale evropiane”, deklaroi Bishevac.
Duke komentuar deklaratën e ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski, deputeti Safet Bishevac ka thënë se përgjegjësia për dështimin e Maqedonisë edhe në këtë Samit, nuk duhet kërkuar tek zëvendëskryeministri Besimi. Integrimi, sipas tij, nuk është çështje ose proces individual, ndërsa akuzoi VMRO-në dhe kryeministrin Nikolla Gruevski se janë ata që nuk duan ta shohin Maqedoninë në BE.
“Nuk e di nëse Milloshoski ofroi një gjë të tillë, kur ai ishte ministër i Jashtëm. Nuk është puna tek zgjidhjet personale. Unë mendoj se Besimi në pjesë të madhe e ka kryer punën që duhej ta kryejë, pyetja është krejtësisht ndryshe. Duhet të pyesim nëse Gruevski dhe VMRO duan vërtetë Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së. Bindja ime personale është se kjo nuk është qëllimi i tyre kryesor, ata kanë një qëllim krejt tjetër, i cili nuk besoj se nënkupton që Maqedonia të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Bishevac.