Vogëlushe Saranda dhe xhelat Bozhidari

Dragan BURSAÇ

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës i ka mbijetuar masakrës në Podujevë, kurse kolegu i saj nga Serbia ka qenë komandant i brigadës që ka kryer krime.

 

Shumë lehtë mund të ndodhë që, diku në Bruksel apo në Berlin, në ato komplekset e mëdha hoteliere ku akomodohen njerëzit e administratës së BE-së dhe ata që e aspirojnë BE-në, të gjenden në dhomat pranë e pranë Saranda nga Kosova dhe Bozhidari nga Serbia. Dhe, kjo jo se është e mundur vetëm hipotetikisht, por është shumë e pritshme dhe e mundur të ndodhë praktikisht.

Saranda, me mbiemrin Bogujevci, është nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, kurse Bozhidari, me mbiemrin Deliq, prej para pak kohësh, është nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Mund të ndodhë që Saranda dhe Bozhidari të takohen me protokoll, në ndonjë konferencë apo në ndonjë tryezë të rrumbullakët, në të cilat prej më shumë se dhjetë vjetësh debatohet për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe për njohjen reciproke. Mund të ndodhë gjithashtu që ata të flasin rastësisht në hollin e hotelit. Edhe kjo është një mundësi që nuk mund të përjashtohet fare.

Bozhidar, kush i shkrepi 16 plumba në trupin tim fëminor?

Kështu, Saranda Bogujevci mund ta pyesë Bozhidar Deliqin, në cilin vend të Kosovës ka qenë më 28 mars 1999? A mos ka qenë diku në afërsi të Podujevës? A ka dëgjuar për rrugën ‘Rrahman Morina’ numër 7, ku atëherë jetonte Saranda me familjen e saj të madhe? Dhe, ç’është më e rëndësishmja, a e di ai se si “Skorpionët”, po ata që kanë vrarë njerëz të pafuqishëm në rrethinën e Srebrenicës, ia kanë vrarë Sarandës 14 anëtarë të familjes? Pikërisht aty, në atë shtëpi, të njëjtën ditë e të njëjtat çaste?

A e di, Bozhidar, nëse je krijesë e Zotit, se si “Skorpionët” qëlluan në trupat e njerëzve të gjallë, pa ndërprerje, me rafale? A e di, Bozhidar, se si, prapa shtëpisë, në kopsht, njerëzit u vranë si egërsira? Së pari u vranë gratë që u qëndronin përpara fëmijëve dhe të moshuarve, e pastaj u vranë të moshuarit dhe fëmijët?

Aty, në hollin e hotelit gri të betonit, në Bruksel, Saranda edhe mund t’ia përsërisë Bozhidarit fjalitë që ajo i kishte thënë në gjykatë:

“Unë u qëllova në këmbë. Dikush po qante. Ata qëlluan përsëri. Më pas u qëllova në krah dhe në shpinë. E ngrita kokën dhe e pashë vëllain tim, Gencin, që më tha ‘shih çfarë i bënë vëllait tim’, të cilit i ishte çarë gjysma e kafkës”.

Saradna pastaj mund të përvjelë mëngët dhe t’i tregojë plagët e tmerrshme të plumbave në krahët e saj. Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës mund t’i thotë Bozhidarit, nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, se më 28 mars 1999 ajo i ka marrë dy plumba në këmbë, një në shpinë dhe 13 në dorë, ndërsa vëllai dhe nëna e saj janë vrarë. Pra, kështu kanë qëlluar ndaj fëmijëve punonjësit e shtetit të Serbisë, të njohur si “Skorpionët”. Prej 19 personave të vrarë, ishin shtatë fëmijë dhe shtatë gra.

Saranda, për mrekullinë e mrekullive, mbijetoi dhe shkoi për të jetuar në Angli, ku u shkollua. Si një grua e re, e arsimuar dhe e shkëlqyer, ajo u bë nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Shpërblim për vrasjen e fëmijëve – pozita e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë

Po Bozhidar Deliqi, do të pyesë shumëkush? Çfarë ndodhi me të dhe me veprimtarinë e tij në Kosovë? Po ja, Bozhidari që do të qëndrojë përballë Saranda Bogujevcit, është pikërisht ai që atëherë ishte komandant i Brigadës 549 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave (UJ) në Kosovë, e cila mori pjesë në vrasjet monstruoze të përmasave shumë të mëdha.

Në vitin 2013, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) e publikoi një dosje që përmban një dokumentacion shumë të plotë për tetë ofensivat ushtarake të brigadës 549 të UJ-së në fshatrat e Kosovës, në mars dhe prill 1999, në të cilat janë vrarë 885 njerëz. Janë vrarë 853 qenie njerëzore. Pikërisht në muajt mars dhe prill, pikërisht kur Sarandës i janë vrarë pothuajse të gjithë, kurse ajo i ka marrë 16 plumba, por ka mbijetuar.

Bozhidar, nuk është e mundur që ti të mos kesh asnjë lidhje me gjithë këtë, aq më tepër që kurrë nuk e ke mohuar se ke qenë njeriu i parë i brigadës së vdekjes. Dhe nuk është e mundur që ti të mos dijsh se çfarë ka ndodhur atëherë me Bogujevcët, në Podujevë! Por, këtë pyetje nuk duhet ta bëjë më Saranda, çdo qenie njerëzore ia shtron këtë pyetje nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, i cili duket se përfitoi nga e kaluara e tij e përgjakshme, sepse u shpërblye me pozitën e funksionarit të lartë të shtetit.

Nuk do të ishte keq që Deliqit dhe gjithë opinionit serb, nëse ende ka një të tillë, t’u kujtohet se pjesëtarët e ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare, përfshirë pjesëtarët e Brigadës 549 të Deliqit, në sulmet e kryera në fshatrat Mejë dhe Korenicë, në Kosovë, më 27 prill 1999, i kanë vrarë të paktën 377 civilë, midis të cilëve 36 ishin nën 18 vjeç. Pra, vrasja e fëmijëve ishte gjë krejtësisht normale?!

Nuk do të ishte keq të kujtohet se si, në përfundim, Brigada 549 e Motorizuar e komanduar nga Deliqi, sipas burimeve shqiptare, i ka masakruar 2174 shqiptarë të Kosovës, 459 prej të cilëve janë gjetur  më vonë në varrezat masive në Peruçac dhe në Batajnicë, në territorin e Serbisë.

Por, siç thashë, Deliqi jo vetëm se nuk është ndëshkuar, ndonëse në televizionet serbe çdo ditë flet se “Kosova nuk guxon t’u jepet shqiptarëve”, por edhe është shpërblyer. Dhe, këto shpërblime, sado morbide që të jenë, e kanë një vazhdimësi. Deliqi nuk e ka marrë ashtu kot dhe pikërisht sot këtë shpërblim për ekspedita kasapësh, apo jo!

Është më pak e njohur se, për rolin e saj në Kosovë, Brigada 549 e Deliqit ishte dekoruar edhe nga krimineli i luftës Slobodan Millosheviq me Urdhrin “Hero i Kombit”, për “mbrojtjen heroike të vendit”. A përfshihet vrasja e grave dhe fëmijëve në “mbrojtjen heroike të vendit”? Duket se po.

Them se, në atë bisedë hipotetike, Saranda Bogujevci mund t’i thotë të gjitha këto, mund ta pyesë Bozhidar Deliqin, nëse është krijesë e Zotit: “Çfarë po bënit ju në Kosovë atëherë, kur mua po më shkëputej mishi nga kockat, për shkak të pushkëve dhe plumbave tuaj dhe kur po shikoja se si po vdisnin vëllai dhe nëna ime?”. Mund ta pyesë se si është e mundur që një njeri i tillë, me të kaluar dhe me biografi të tillë, të gjendet në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë fqinje?

Dhe, a e dini se si mund t’i përgjigjet asaj Deliqi, njeriu njësia e të cilit i ka duart e lyera me gjak?

Mund t’i thotë: “Kjo nuk është asgjë, Sarandë. Prej vitit 2007 unë kam qenë disa herë deputet i Kuvendit të Serbisë, kurse dy herë kam qenë nënkryetar i po këtij kuvendi”.

Mund t’i thotë se qe 15 vjet, në këtë Serbi, ai ka përfituar para dhe e ka përmirësuar statusin e tij ekonomik e social, për krimet e brigadës së tij. Mund t’i thotë se gjithmonë ka qenë kundër arrestimit të kriminelëve Karaxhiq dhe Mlladiq dhe se besimin e popullit e ka fituar për meritat e tij (sic!).

Atëherë vjen deklarata e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila thotë:

“Në Kosovë, Saranda Bogujevci, e cila i mbijetoi masakrës brutale të regjimit gjenocidal serb, shërben si nënkryetare e Kuvendit, ndërkohë që Kuvendi i Serbisë e emëron zëvendëskryetar Bozhidar Deliqin, komandantin e brigadës që masakroi mijëra kosovarë”. Kjo nuk do të thotë pothuajse asgjë në këtë Serbi të tillë.

Në fakt unë e kam gabim, sepse deklarata e presidentes së Kosovës dhe biografia e përgjakshme e Deliqit janë mjetet më të rëndësishme të suksesit të politikanëve serbë. Për keqardhjen dhe turpin e Serbisë dhe të qytetarëve të Serbisë.

Në vend të rezymesë

Që të dihet: atë mëngjes të 28 marsit 1999, në oborrin e Halim Gashit u vranë shtatë fëmijë dhe shtatë gra: Shpëtimi (1989) dhe Shpendi (1986), djemtë Safet Bogujevcit, gruaja e tij Sala (1960), Nora (1984), vajza Selatin Bogujevcit, gruaja e tij Shefkati (1956), Shehide Bogujevci (1932), Nefise Bogujevci – Llugaliu (1945), motra e Selatinit dhe Safetit, nusja e saj Fexhrie Llugialiu (1978), Dafina (1990), Arbëri (1992), Mimoza (1995) dhe Albini (1997), fëmijët e Enver Duriqit, Fitnetja (1963), gruaja e Enverit dhe Ismja (1930), nëna e Enverit.

Saranda mbijetoi dhe tani, me jetën dhe me veprën e saj, po dëshmon për të keqen që ka rënduar mbi supet e saj të njoma. Ajo, sikurse gjithë bota, e shikon Serbinë, e shikon Bozhidar Deliqin, komandantin e brigadës së të keqes që sot është nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, dhe pyet na oyet të gjithëve – PËRSE???

Dragan Bursaç është profesor i filozofisë, kolumnist dhe gazetar nga Bosnja e Hercegovina. Ky shkrim është publikuar nga Aljazeera Balkan.