Von Cramon: Gjermania duhet të dërgojë më shumë ushtarë në Kosovë

Bruksel, 2 tetor 2023 – Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kërkuar nga Gjermania të vendosë më shumë trupa në Kosovë.

Zonja von Caramon,në një postim në rrjetin social “X”, ka  thënë se Gjermania duhet të prijë me dërgimin e trupave shtesë. Ajo e ka vlerësuar vendimin e Britanisë së Madhe për të dërguar 200 trupa shtesë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Vendim i rëndësishëm ai i Britanisë së Madhe për dërgimin e 200 trupave ushtarake për të përforcuar NATO-n dhe KFOR-in në terren.

Gjermania duhet të udhëheqë në vendosjen e më shumë trupave për të siguruar paqen, pengimin dhe mbrojtjen e të gjithëve në Kosovë, ku mbetet jetik misioni i NATO-s, KFOR”, ka shkruar ajo.

NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar dislokimin e forcave shtesë në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, për shkak të rritjes së tensioneve.

“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i (misioni i NATO-s në Kosovë) ta përmbushë mandatin e tij”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë për publikun.

(r.m.)