Von Cramon: Kosova vazhdon të dëshmojë se ka kapacitete demokratike

Strasburg, 10 maj 2023 – Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Kosova po vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike dhe se ka arritur rezultate të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Raporti ynë prek vetëm sipërfaqen e sfidave dhe çështjeve që e presin Kosovën, por qartësisht nënvizon sukseset dhe çfarë duhet të ndërmerren në fushën e demokracisë, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, energjisë dhe mjedisit. Kështu që unë do të përshkruaj vetëm tri procese kryesore: sundimin e ligjit, lirinë e mediave, dialogun e lehtësuar nga BE dhe tranzicionin energjetik”, ka thënë ajo në seancën plenare të Parlamentit Eropian ku është diskutuar për Kosovën.

”Kosova vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike duke pasur një peizazh politik pluralist, i cili demonstrohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Peizazhi mediatik është gjithashtu i devijuar në krahasim me shtetet e tjera në rajon, por megjithatë është e rëndësishme që gazetarët mbeten të pavarur. Janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mbarë Kosovën”, ka shtuar ajo.

Von Cramon ka thënë se pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, duke theksuar se kjo do të  ndikonte  në qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

“Është e rëndësishme të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi Spanjën, Greqinë Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë, sepse për stabilitetin në kontinentin tonë do të jetë e rëndësishme se si do të sillemi ndaj fqinjëve tanë edhe në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo.

Raportuesja për Kosovën e ka mirëpritur vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

“Që nga viti 2019, diskutimet për raportet për Kosovën, shfaqja shpresën se më në fund do të mund të thosha ‘Gëzuar lirinë e lëvizjes!’. Sot kjo nuk është më kërkesë apo shpresë. Është realitet. Që nga janari i vitit të ardhshëm, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë nëpër Evropë, pa asnjë kërkesë për vizë, ftesë, procedurë të kushtueshme apo duke pritur në radhë. Evropa më në fund po i hap dyert për Kosovën”, ka thënë ajo.

Von Cramon ka thënë se raporti nënvizon edhe hapat që duhet të ndërmerren në fushën e demokracisë dhe të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

(r.m.)