Von Cramon: Propozimi franko-gjerman është kompromis i pranueshëm për të dyja palët

Bruksel, 29 tetor 2022 – Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë edhe një here se propozimi franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë-Serbi është një kompromis i pranueshëm për dyja palët.

“Mendoj se ka të paktën një kompromis të mirë. Me sa di, ai është i pranueshëm, është një kompromis shumë i largët dhe uroj që të dy qeveritë të bien dakord dhe ta pranojnë këtë”, ka thënë ajo.

Von Cramon ka thënë se pjesë e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, sipas saj, është “shumë e afërt me atë që e do Kosova”.

“Të paktën ajo që kam lexuar është shumë afër me atë që Kosova do të dëshironte të shihte, prandaj do t’i këshilloja secilit që ta pranonte këtë”, ka thënë ajo.

Von Cramon ka theksuar se Kosova meriton liberalizimin e vizave. Ajo ka thënë se për të është e paqartë ideja për përfshirjen e Kosovës në sistemin ETIAS, prandaj i ka kërë thirrje Këshillit të Ministrave që në mbledhjen e radhës, në muajin nëntor, të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Tani ata kanë përmendur ETIAS, le të themi fazën tjetër, për mua personalisht nuk është shumë e qartë se çfarë do të thotë kjo. A do të thotë kjo, kushte të reja apo jo? Por për mua një gjë është e qartë, Kosova e meriton liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur. Ata i kanë plotësuar të 96-të kriteret, katër vite më parë. Komisioni e ka dorëzuar një raport tjetër, i cili është jashtëzakonisht pozitiv, kështu që nuk ka nevojë që asnjë shtet të thotë se Kosova duhet të presë”, ka thënë ajo.

Por, ajo ka pohuar se ende ka shtete që kanë rezerva.

“Çfarë do të negociohet dhe debatohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit ne nuk e dime, por është e qartë se ka një grup shtetesh të cilat ende kanë rezerva”, ka shtuar ajo.

(r.m.)