Von Cramon u bën thirrje Kosovës e Serbisë ta pranojnë propozimin francezo-gjerman

Bruksel, 17 tetor 2022 – Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Serbia e Kosova duhet ta shqyrtojnë seriozisht ofertën e Francës dhe Gjermanisë.

“Ne e mbështesim plotësisht dhe në mënyrë të palëkundur Miroslav Lajçakun dhe besoj se qëllimi mund të jetë real”, ka thënë Von Cramon, për gazetën “Nova”, duke komentuar deklarimin e Lajçakut se pret që marrëveshja mes Beogradit e Prishtinës të arrihet deri në fund të vitit 2024.

Ajo ka paralajmëruar se “mund të ndodhë që tjetra ofertë të mos jetë më e mirë”.

Von Cramon ka thënë se Kosova e Serbia duhet të gjejnë një “kompromis të qëndrueshëm dhe të vazhdojnë rrugën e përparimit”. Ajo ka thënë se është e mundur që një kompromis të arrihet brenda dy vjetëve të ardhshme.

Viola Von Cramon ka thënë se reputacioni i Serbisë sot është më i keq se ai pas vitit 1999.

“Nuk jam e sigurt nëse njerëzit në Serbi e dinë se reputacioni i Serbisë është më i keq sesa pas vitit 1999”, ka thënë ajo.

(r.m.)