Von der Leyen: Kosova dhe Serbia t’i përmbushin obligimet që burojnë nga dialogu

Bruksel, 13 dhjetor 2023 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se në samitin BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt të mërkurën në Bruksel, Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar të përmbushin obligimet që dalin nga dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, rruga përpara është përmbushja e obligimeve në kuadër të dialogut të BE-së”, ka thënë ajo, në adresimin për medie, pas pëfundimit të samitit.

Von der Leyen ka thënë se të dy vendet kanë bërë hapa të rëndësishëm, me marrëveshjen e Ohrit, dhe e ka vlerësuar uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe nënshkrimen e kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit për furnizim me energji dhe faturim të saj në këtë pjesë të Kosovës. 

“Ata kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara këtë vit, me marrëveshjen e Ohrit, e cila tani duhet të zbatohet dhe e mirëpres shumë uljen e tensioneve në veri të Kosovës, në veçanti për rrymën dhe përgatitjen për zgjedhje të parakohshme komunale”, ka thënë ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian ka folur edhe për zgjerimin e BE-së. Ajo ka thënë se BE dëshiron që sa më shpejtë të hapë negociatat me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

Von der Leyen ka thënë se në BE vlerësohet angazhimi i qeverisë së Malit të Zi për anëtarësim në bllok, ndërsa nga Bosnja e Hercegovina pret plotësimin e kritereve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se në samit është prezantuar plani i zgjerimit i propozuar nga Komisioni Evropian, i cili e afron më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimit Evropian.

“Në këtë samit ne kemi theksuar përshpejtimin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian”, ka theksuar Michel.

(r.m.)