Prishtinë, 1 tetor 2026 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar stabilitet institucional në Kosovë.
“Stabiliteti institucional është thelbësor për Kosovën. Ai është baza për gjithçka tjetër”, ka shkruar von der Leyen në platformën X, pas takimeve me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministrin Albin Kurti, në Prishtinë.
Von der Leyen ka thënë se funksionaliteti i institucioneve është i domosdoshëm për avancimin e reformave, për rritjen ekonomike dhe për përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
“Reformat. Rritjen ekonomike. Dhe përparimin në rrugën drejt integrimit evropian. Kemi parë së fundmi se dialogu ndërmjet partive politike është i mundur. Dhe ju duhet të ndërtoni mbi këtë dialog”, ka shkruar Von der Leyen.
Von der Leyen bëri thirrje për përmbylljen e procesit të formimit të institucioneve edhe në konferencën e përbashkët për medie me kryeministrin Kurti. Ajo i inkurajoi partitë politike që të vazhdojnë dialogun dhe të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit.
Nga ana e tij, Kurti kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarѱsim në Bashkimin Evropian.
“Zonja presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj, që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe t’i bëni thirrje Këshillit që të kërkojë opinionin e Komisionit për aplikimin tonë”, tha ai.
Kurti tha se Kosova i përmbush kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim, duke theksuar se progresi i Kosovës është vlerësuar nga Komisioni Evropian.
“Në raportet vjetore të Komisionit, Kosova s’ka shënuar kthim prapa në asnjë nga 33 fushat”, tha ai.
Vizita e Ursula von der Leyenit në Kosovë vjen në një periudhë të rëndësishme për vendin. Funksionalizimi i plotë i institucioneve shtetërore konsiderohet si premisë kryesore për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.
(r.m.)