Për ju avokati Kieran Both

Kohët e fundit, shumë avokatë të emigracionit kanë mësuar se zyrat e Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (U.S. Citizenship and Immigration Services – USCIS) në mbarë vendin kanë vënë në dijeni aplikantët dhe avokatët se marrja e vendimeve për çështjet është pezulluar përkohësisht. Sipas raportimeve, vihet re se diçka e tillë ka prekur në mënyrë të veçantë çështjet e ndreqjes së statusit (Green Card) dhe ato të azilit, por edhe se ky lloj pezullimi mund të jetë në fakt shumë më i gjerë dhe të prekë të gjitha proceset vendimmarrëse të USCIS-it.
Burime të ndryshme raportojnë se ky pezullim është rezultat i një procesi të ri verifikimi të së kaluarës penale, i cili do të kërkojë ridhënien e shenjave të gishtërinjve për pothuajse të gjitha çështjet që janë aktualisht në pritje (ndoshta me përjashtim të aplikantëve për natyralizim të cilëve tashmë u është caktuar data e ceremonisë së betimit), për të cilat ishin dhënë më parë shenjat e gishtërinjve për arsye kontrolli dhe verifikimi të këtyre shenjave si dhe të emrit nga FBI-ja. Pasi të ketë përfunduar procesi i përditësuar i verifikimit për çështjet që kanë qenë pezull, do të nisë ai për çështjet e reja, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve të shenjave të gishtërinjve dhe verifikimit të emrit. USCIS-i duhet të jetë në gjendje të përdorë shenjat e gishtërinjve që ndodhen tashmë në dosje. Është raportuar gjithashtu se intervistat, të cilave u është caktuar data, pritet të kryhen brenda kohës së planifikuar dhe se po i jepet përparësi procesit të verifikimit për këto çështje. Ky proces i ri është pjesë e rishikimit nga administrata të procedurave të “sigurisë dhe verifikimit” dhe të pezullimit të vendimmarrjeve, procedura këto që u vunë në zbatim pas të shtënave ndaj pjesëtarëve të Gardës Kombëtare. Ky proces mund të çojë në heqjen e këtyre pezullimeve në të ardhmen.
CBS News raporton se vënia në praktikë e këtij ndryshimi ka qenë rezultat i faktit që FBI-ja i ka lejuar USCIS-it “akses më të gjerë në regjistrat e saj të të dhënave për të kaluarën penale”, kjo në përgjigje të Urdhrit Ekzekutiv 12385, i cili u kërkon agjencive federale të drejtësisë penale t’i japin DHS-it këtë lloj aksesi brenda kufijve që lejohen me ligj. Kontrollet e “përforcuara” do të ndikojnë në të gjitha aplikimet që janë në pritje për shqyrtim dhe që kërkojnë dhënien e shenjave të gishtërinjve, përfshirë këtu kërkesat për ndreqje statusi, natyralizim dhe peticionet për bashkim familjar. Zyrtarët kanë marrë udhëzim që riparaqitja për dhënien e shenjave të gishtërinjve nuk do të jetë e nevojshme për aplikimet që do të refuzohen. USCIS-i konfirmoi për median se kontrollet e reja në emër të sigurisë janë vënë në zbatim, por deklaroi se procesimi i çështjeve “vazhdon” dhe se vonesat në nxjerrjen e vendimeve “do të jenë të shkurtra dhe do të zgjidhen së shpejti”.
Sa më lart nuk përbën një pezullim të përgjithshëm të të gjitha çështjeve, por përbën një pezullim në nivel individual të miratimit të atyre çështjeve për të cilat nevojitet dhënia e shenjave të gishtërinjve. Nuk është ende e qartë se sa vonesa do të shkaktojë ky proces i ri ose sa aplikime do të preken prej tij.
Aplikantët duhet të jenë të vetëdijshëm se vonesat mund të zgjasin me muaj, pasi USCIS-i po kryen këto procedura verifikimi në shkallë të gjerë dhe jo një nga një. Për më tepër, duke qenë se USCIS-i tani do të ketë akses në më shumë informacion nga dosjet e të dhënave të së kaluarës penale, anëtarët duhet të jenë të përgatitur që do të ketë një rritje të kërkesave për prova shtesë ose të njoftimeve se çështja mund të refuzohet për shkak të akuzave penale që nuk kanë rezultuar në dënime, të dhënave të së kaluarës penale në moshë të mitur si dhe çështjeve të mbyllura.
Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com