Nuk ka fituar Partia Socialiste aq sa ka humbur Partia Demokratike. Duke u nisur nga rezultatet e papërfunduara, i vetmi fitues që ka sjellë një ndryshim në politikën shqiptare në këto zgjedhje është Ilir Meta.
Sali Berisha dhe partia e tij duhet të gjejnë se pse humbën kështjella si Shkodra e fortesa si Shijaku. Apo pse nuk po ringjallen në Kavajë e pse kanë humbur elitat urbane të Korçës, Durrësit, Elbasanit etj.
Por kjo vlen edhe për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, të cilët pas katër vitesh aktive në opozitë, pasi vunë jetën në rrezik në grevë urie, apo humbën jetë në demonstrata masive, kanë mbetur afërsisht po aty ku ishin. Është gati po ai rezultat që në 2009-n e refuzuan si të manipuluar, por që sot e përqafojnë dhe e lavdërojnë si fitore.
Po mësimi më i mirë në këto zgjedhje, nëse nuk ndodh ndonjë përmbysje spektakolare në kutitë e fundit, siç ndodhi në Tiranën e vitit 2011, del nga leximi i votës për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Si ka mundësi që partia që u akuzua më shumë për korrupsion, e vetmja që pati kryetarin e saj të vënë përpara drejtësisë që prej Fatos Nanos në 1993, e vetmja që u akuzua si imorale për ndërrim krahësh vetëm pak para fundit të garës, e vetmja që u përtall gjatë fushatës se kritikoi punën e qeverisë pjesë e të cilës kishte qenë deri një ditë më parë, është edhe partia e vetme që shënoi një ngritje masive në këto zgjedhje?
Ka një shpjegim të shpejtë që vjen në mend para se të fillojë lumi i komenteve, teorive konspirative dhe qartësisë më të madhe të shifrave zyrtare. Pragmatizmi.
Ka një votues që është lodhur nga pozicionet intransigjente të dy partive kryesore, të simbolizuara më mirë se çfarëdo nga ato tri ligje të pavotuara që ndoshta morën rëndësi më të madhe se çfarë kishin, po që u përfolën e stërfolën. Nëse Europa ishte vetëm tri ligje larg, votojini të shkretën çfarëdo çmimi që të kenë. Nëse nuk janë kaq të rëndësishme, përsëri, votojini pse kemi ngecur aty. Vetëm ata që merren direkt me politikë në Shqipëri nuk e kanë vënë re se sa të lodhshme u bënë argumentet lidhur me këtë impas në Kuvend.
Ligjet u votuan dhe ato përmenden këtu vetëm si një simbolikë e një skenari të përsëritur në të cilin LSI krijoi me kujdes figurën e njeriut esëll që përpiqet të qetësojë dy të papërgjegjshëm që janë më të interesuar të tregojnë se kush e ka fajin sesa të zgjidhin situatën.
Edhe në rastin e tri ligjeve, Ilir Meta bëri çmos që të paraqitej si ndërmjetësi, si negociatori, si njeriu pragmatik në një kohë marrëzie, duke bërë ndoshta të vetmen “colpo di scena” që la përshtypje në fushatë.
Një pjesë e votuesit shqiptar tashmë është bindur se të gjithë politikanët janë të korruptuar, po të paktën të mos pengojnë përparimin e shoqërisë drejt integrimit, kryerjen e detyrave, krijimin e kornizës ligjore të nevojshme për zhvillim.
Në mënyrë të kujdesshme, Ilir Meta vuri theksin te zgjidhja e çështjes së borxhit shtetëror ndaj biznesmenëve, si dhe te punësimi përtej rretheve të zakonshme kuqeblu të administratës publike.
Ndryshe nga dy partitë kryesore që bënë fushatë në mbarë vendin, duke kërkuar votën në çdo fshat e rrugë të humbur të vendit, LSI duket se ka bërë një fushatë pragmatike, duke përdorur me kujdes burimet e kufizuara, me përqendrim vetëm aty ku votat ishin të mundshme.
LSI është një parti por ashtu siç ka emrin, sillet si një lëvizje. Ajo është e majtë, por sillet si post-ideologjike. Ndërsa heqja e anëtarit të saj në KQZ ishte një dhuratë e bukur dhe shpëtimtare. Deri në atë moment, ajo shihej me mëri dhe mosbesim, nga opozitarët, si pjesë e një pushteti që po i përvidhej ndëshkimit të votës në kohën e duhur. Me krizën në KQZ, LSI veshi kostumin e viktimës dhe statusi i saj opozitar u përligj.
Ka një diskutim që mbetet varur, se kush do të bëhet kryeministër nëqoftëse rezultatet nuk ndryshojnë deri në fund. Ilir Meta apo Edi Rama? Në fakt, kryetari i LSI-së do të ketë një pushtet të jashtëzakonshëm në këtë qeveri edhe nëse pranon që Edi Rama si kryetari i partisë më të madhe të aleancës të kryesojë edhe qeverinë, të gëzojë kurorën dhe karrigen. Sepse Meta e di, që kur blicet të mbarojnë së shkrepuri dhe të pushojë muzika, Ramës do t’i kujtohet se kush e bëri mbret.