Votat nga diaspora e forcojnë fuqinë politike të Lëvizjes Vetëvendosje

Prishtinë, 13 qershor 2026 – Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë po shkon drejt fundit. Sipas ueb-faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku prezantohen të dhënat nga numërimi i votave, deri të shtunën në orën 21:00 ka përfunduar numërimi i 95,35 për qind të votave ose 2,566 nga gjithsej 2,691 vendvotime.

Me numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike dhe të votave të ardhura me postë nga diaspora është rritur përqindja e votave për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), ndërsa ka rënë përqindja e tri partive tjera shqiptare që do të përfaqësohen në Kuvend: Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

LVV ka shkuar në 44.47 për qind, PDK ka rënë në 20.59 për qind, LDK ka rënë në 17.27 për qind dhe AAK ka rënë në 7.00 për qind. Me këto përqindje, LVV do t’i ketë 50 ulëse në Kuvend, PDK-ja do t’i ketë 23, LDK-ja do t’i ketë 19 dhe AAK-ja do t’i ketë 8 ulëse.

Por, sipas trendit aktual të rritjes, LVV-ja mund t’ua marrë PDK-së dhe LDK-së së paku edhe nga një ulëse në Kuvend. Madje, LVV-ja mund ta fitojë edhe një ulëse më shumë, pra gjithsej 53 ulëse, në qoftë se rezulton se ajo i ka fituar 75 për qind e votave të panumëruara, gjë që nuk është e papritur në qoftë se vazhdon trendi i njëjtë i votave nga diaspora.

Cilido qoftë rezultati përfundimtar, LVV-ja dfo të arrijë ta krijojë qeverinë e ardhshme të vendit vetëm me subjektet politike të pakicave joserbe dhe të partisë së Nenad Rashiqit, me të cilat ka bashkëqeverisur dy mandatet e kaluara.

Por, çështjen e bën komplekse zgjedhja e presidentit të ri të vendit. Sipas Kushtetutës presidenti zgjidhet nëse në votim marrin pjesë dy të tretat e deputetëve të përbërjes së kuvendit – së paku 80 deputetë. Pra, për ta zgjedhur presidentin e ri, LVV-së i nevojiten edhe së paku 20 vota, të cilat mund t’i sigurojë vetëm me një marrëveshje me së paku dy nga tri partitë opozitare shqiptare. Përndryshe, vendi do të shkojë përsëri në gjedhje të parakohshme.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë të mbështesë një kandidat që do të propozohej nga opozita, por nuk ka thënë asgjë për mundësinë e ndarjes së pushtetit ekzekutiv me ndonjërën nga partitë opozitare.

Përveç kësaj, tani është hapur debati edhe për rendin e formimit të institucioneve. Sipas praktikës së deritashme, së pari bëhet konstituimi i Kuvendit, i cili voton për qeverinë e re. Por, mandatarin për formimin e qeverisë e dekreton presidenti i vendit, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është zgjedhur edhe deputete e Kuvendit.

Për këtë arsye, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, kuvendi duhet të zgjedhë më parë presidentin e vendit, i cili duhet ta dekretojë mandatarin për formimin e qeverisë.

Sipas logjikës së çështjes, interpretimi i Hasanit është i drejtë, në qoftë se ushtruesja aktuale e detyrës së presidentes e pranon mandatin e deputetes. Por, ajo mund ta refuzojë mandatin e deputetes, kështu që argumenti i ish-kryetarit të Kushtetueses bie poshtë.

Sido qoftë, debati lidhur me rendin e formimit të institucioneve do të vazhdojë, në qoftë se partitë parlamentare nuk gjejnë zgjidhje me konsensus për presidentin apo për presidentin dhe për qeverinë njëkohësisht.

(r.m.)

Comment

*