Votimi për nënkryetarin serb e mban peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 28 gusht 2025 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën të enjten për ta përmbyllur konstituimin e organit ligjvënës, me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit të tij.

Megjithatë, ata dështuan sërish ta votonin nënkryetarin nga pakica serbe, gjë që çoi në ndërprerjen e seancës nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha. Vazhdimi i seancës konstituive u caktua për të shtunën, më 30 gusht, në orën 11:00.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi zyrtar, nuk hoqi dorë nga propozimi i sak që Sllavko Simiqi të zgjidhet nënkryetar, kryeparlamentari Basha i hodhi në votim përmes shortit pesë prej nëntë deputetëve të saj. Secili prej tyre mori zero vota.

Më pas, shorti i ra deputetit Nenad Rashiq, kryetar i partisë serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili nuk përkrahet nga Lista Serbe.

Rashiq, i cili nuk e kishte marrë numrin e nevojshëm të votave as në votimin e parë, të martën, nuk i mori ato as në votimin e dytë. Këtë herë për zgjedhjen e tij votuan 56 deputetë, kundër votoi 1 deputet, ndërsa 20 deputetë abstenuan.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kandidatura e Rashiqit mund të hidhet në votim vetëm edhe një herë.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, me rastin e ndërprerjes së seancës, u bëri thirrje të gjitha grupeve parlamentare që në vazhdimin e radhës ta votojnë Rashiqin, duke qenë se ai është deputeti që në votimet e deritashme ka marrë më së shumti vota.

“Sa për njohurinë tuaj dhe ju jeni edhe dëshmitarë, ai [Rashiqi] është i vetmi deputet që po merr më së shumti vota ‘për’. Pra, sipas teorisë së gjasave, gjasat më të mëdha që të zgjidhet nënkryetar nga komuniteti serb i ka Nenad Rashiqi. Prandaj, unë po e mbyll këtë seancë këtu dhe do t’i vazhdojmë diskutimet mes grupeve parlamentare që ta votojnë deputetin Nenad Rashiq”, tha ai.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje po angazhohet fuqishëm që nënkryetar nga komuniteti serb të zgjidhet Nenad Rashiqi, i cili ishte minister për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e deritashme.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i ka kritikuar partitë politike që kanë qenë në opozitë në legjislaturën e kaluar, (Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që nuk po votojnë për Rashiqin.

“Nuk e kuptojmë cili është qëllimi i deputetëve të opozitës, ku një pjesë abstenon, siç janë deputetët e PDK-së dhe AAK dhe NISMA, ndërsa ata të LDK nuk merr pjesë në votim”, tha Murati.

Ai tha se dëshiron t’i pyesë depoutetët e këtyre partive se kush nga pakica serbe duhet të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, nëse jo Nenad Rashiqi.

“Besoj këtë pyetje duhet t’ua bëjmë atyre vazhdimisht, deri në seancën e ardhshme”, u shpreh ai.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, e kundërshton ashpër kandidaturën e Rashiqit. Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi se Në Kuvendin e Kosovës po shkilen të drejtat themelore të njeriut të komunitetit serb, rendi kushtetues dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.

“Ata e dinë mirë se çfarë po bëjnë. Në seancën e kaluar kam biseduar disa herë me kryetarin e Kuvendit dhe ia kam tërhequr vërejtjen për shkeljet dhe për parregullsitë. Nënkryetari duhet ta ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve serbë, dhe në këtë rast ai është Sllavko Simiq”, tha Igor Simiq.

Sipas tij, të gjitha shkejet po bëhen me qëllim që Nenad Rashiq të zgjidhet nënkryetar nga komuniteti serb, ndonëse ai nuk e ka mbështetjen e Listës Serbe.

“Lista Serbe dhe populli serb nuk janë pengesë e as dikush që dëshiron të bllokojë proceset, por vetëm kërkojmë që të respektohen të drejtat tona”, tha Simiq.

Ai paralajmëroi se Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Kryetari i partisë së dytë më të madhe në Kuvendin e Kosovës, PDK-së, Memli Krasniqi, e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po përpiqet ta mbajë të bllokuar konstituimin e Kuvendit.

“Ju po e vëreni që ka një tentim për të mos shkuar më tutje me procesin e konstituimit të Kuvendit, por çfarë më befason mua është fakti se si krejt Vetëvendosja, nga Kurti e deri te deputeti i fundit, po angazhohen për ta bërë nënkryetar një deputet të komunitetit serb që, nëse e krahasoj, shumë më pak se sa janë angazhuar për Albulena Haxhiun apo Dimal Bashën”, tha ai.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje po e bllokon konstituimin e Kuvendit për të penguar rrjedhjen e afatit kushtetues për formimin e qeverisë së re, për shkak se kjo parti nuk i ka votat e nevojshme për këtë.

“Për shkak të moskonstituimit të Kuvendir nuk po arrijmë ta fusim Albin Kurtin në afatin kushtetues për formimin e qeverisë, për ta dëshmuar atë që e kemi thënë gjithnjë – ai nuk i ka votat për ta formuar qeverinë”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi tha se deputetët e PDK-së po abstenojnë në votimin për Rashiqin për shkak se “mënyra e votimit është jokushtetuese”.

“Ajo çfarë e ka karakterizuar sjelljen e Vetëvendosjes nga 15 prilli është veprimi jokushtetues dhe këtë e ka dëshmuar dy herë Gjykata Kushtetuese”, tha Krasniqi.

Të martë, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën kryetarin (Dimal Basha) dhe katër nënkryetarë: Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitakun nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Emilija Rexhepin nga pakicat joserbe.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, njëri nga pesë nënkryetarët e Kuvendit i takon pakicës serbe.

(r.m.)