Vriten dy punonjës të ambasadës izraelite në Uashington

Uashington, 22 maj 2025 – Dy punonjës të ambasadës izraelite u vranë të mërkurën në mbrëmje në Uashington, njoftoi Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.

Dy viktimat, Yaron Lischinsky dhe Sarah Milgrim, u qëlluan sapo dolën nga një event në Muzeun Hebre.

Shefja e policisë së kryeqytetit amerikan, Pamela Smith, njoftoi se i dyshuari, një 30 vjeçar, u arrestua pas kryerjes së krimit. Ajo tha se autori i dyshuar, identiteti i të cilit nuk u bë public, pas arrestimit thirri “Palestina e lirë”.

Para se të qëllonte dy  viktimat, ai u pa para muzeut  dhe u përpoq të hynte në muze, por u ndalua nga punonjësit e sigurisë së muzeut.

Presidenti amerikan Donald Trump e dënoi ashpër aktin kriminal, të cilin e cilësoi si akt të antisemitizmit.

“Këto vrasje të tmerrshme në Uashington, që duket qartë se vijnë nga antisemitizmi,  duhet të ndalen, tani! Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA”, shkroi ai në platformën online Truth Social.

Trump u shprehu ngushëllime familjeve të dy viktimave.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi atë si “akt të pacipë të dhunës frikacake, antisemitiste”. Në një postim në X aishkroi se këtë akt e dënon “me ashpërsinë më të madhe” dhe u solidarizua me familjet e viktimave.

Sekretarja amerikane e Drejtësisë, Pam Bondi, tha se ajo ishte në vendin e ngjarjes. Ajo shkroi në platformën X dhe se ky ishte një “incident i tmerrshëm me armë zjarri”.

Presidenti i Izraelit, Yitzhak Herzog, në reagimin e tij, tha se është i tronditur nga ky “akt i neveritshëm i urrejtjes dhe antisemitizmit”.

“Jam i tronditur nga pamjet nga Uashington, DC. Ky është një akt i neveritshëm i urrejtjes dhe antisemitizmit që u mori jetën dy punonjësve të rinj të ambasadës izraelite” tha Herzog.

Edhe ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon e quajti vrasjen si “akt të urryer të terrorizmit antisemitist”.

“Ne kemi besim se autoritetet amerikane do të marrin masa të rrepta ndaj atyre që janë përgjegjës për këtë akt kriminal”, shkroi Danon në një postim në X.

Vrasja e dy punonjëve të ambasadës së Izraelit në Uashington ndodhi në sfondin e luftës midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës. Ditët e fundit, Izraeli mori kritika të forta ndërkombëtare për operacionet ushtarake në Gaza dhe për ndalimin e ndihmëave humanitare për palestinezët që shkakoi krizë të thellë humanitare.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, lejoi futjen në Gazë të një sasie të vogël të ndihmave humanitare, pas presioneve të mëdha ndërkombëtare.

(r.m.)

Comment

*