Nju Jork, 14 nëntor 2025 – Një tragjedi e rëndë e ka prekur familjen shqiptare Havolli në Brooklyn të New Yorkut dhe komunitetin shqiptar.
Burim Havolli, 41 vjeç, mbikëqyrës i një apartamenti në 1199 Ocean Aveny, në Flatbush, u vra nga një person që po përpiqej të vidhte në ndërtesën për të cilën ai përkujdesej, raporton nypost.
Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurë, rreth orës 8 të mëngjesit, kur Havolli u përball me të dyshuarin, 30 vjeçar, i cili ishte futur në ndërtesë për të vjedhur një pako. Përplasja verbale u përshkallëzua në përplasje fizike dhe viktima mori goditje të shumta në kokë dhe u rrëzua.
Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin Kings County, ku ndërroi jetë pak çaste më vonë.
Policia bëri të ditur se një person është marrë në pyetje në lidhje me rastin, por deri tani nuk janë ngritur akuza. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.

Burim Havolli kishte ardhur në SHBA si refugjat gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999. Ai ishte baba i tre fëmijëve.
Banorët e lagjes e përshkruajnë si njeri me zemër të madhe që kujdesej për të tjerët.
“Ai vdiq duke e mbrojtur ndërtesën, duke i mbrojtur pakot e banorëve”, tha vëllai i tij, Blerim Havolli.
“Kujdesej shumë për të gjithë këtu. Kishte zemër të madhe. Ishte thjesht i pabesueshëm”, theksoi ai.
Blerimi tha se dy ditë më parë Burimi ishte kthyer në Nju Jork nga Evropa, ku kishte shkuar për ta vizituar nënën e sëmurë.
Banorët e pallatit e vlerësuan atë shumë punëtor dhe të kujdesshëm.
“Ishte shumë i kujdesshëm. Ishte gjithmonë aty për të gjithë qiramarrësit e tij, shumë punëtor”, tha banorja Alexis Potter.
“Ai ishte personi kryesor ku duhet të drejtoheshim. Nëse diçka nuk funksiononte, e thirrnim atë. Ai ishte thjesht shumë i mirë dhe i kujdesshëm”, tha qiramarrësi Alexis Charles.
“Ai ishte jashtëzakonisht profesional. Çdo gjë që duhej bërë, ai e bënte”, tha Jeff Fisher.
Familja njoftoi se ceremonitë mortore për Burim Havollin do të zhvillohen në vendlindjen e tij, në Kosovë.
(r.m.)