Vritet në Rinas Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit

Tiranë, 11 nëntor 2025 – Gilmando Dani u vra me armë zjarri në një atentat në Rinas, thuajse një vit pas lirimit të tij nga qelia, ku vuajti një dënim për zhvatje, kërcënim dhe grup të strukturuar kriminal.

Dani, 47- vjeç, u ekzekutua të martën në dalje të aeroportit të Rinasit, një zonë e populluar dhe me prani të forcave të shumta të Policisë së Shtetit në Tiranë.

Muçi Shaljani, 40 vjeç, i cili gjendej në makinë me Danin, mbeti i plagosur.

Krimi ndodhi rreth orës 14:20, kur makina me të cilën udhëtonte Dani u qëllua me një breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas Policisë së Tiranës, Dani ndërroi jetë në vend, ndërsa Shaljani u transportua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gilmando Dani ka rekorde të hershme kriminale dhe njihet si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Emiljano Shullazit, një personazh i krimit të organizuar. Në nëntor të vitit 2018 ata u dënuan së bashku nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për zhvatje pasurie, kërcënim dhe grup të strukturuar kriminal.

Dani, i cili u dënua me 12 vjet burg, u lirua nga qelia në tetor të vitit 2024, pas përfundimit të dënimit.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dani u dënua si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zarka. Ndërkaq grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynur Koni dhe të ish-rektorit Dhori Kule, si edhe për vendosjen e tritolit në garazhin e biznesmenit Jani Zarka.

Gjatë procesit ndaj grupit të drejtuar nga Shullazi, disa gjyqtarë u kërcënuan dhe të tjerë dhanë dorëheqje.

(r.m.)