Vritet nga një shpërthim në Moskë themeluesi i një batalioni që lufton në Ukrainë

Moskë, 3 shkurt 2025 – Autoritetet ruse njoftuan se një shpërthim në një kompleks banesor në Moskë ka lënë të vdekur disa njerëz, përfshirë themeluesin e një batalioni që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Shpërthimi i 3 shkurtit është më i fundit në një valë shpërthimesh dhe sulmesh, duke ngjallur frikë për rikthimin e dhunës së bandave që kishte përfshirë kryeqytetin rus në vitet e ’90-ta.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, i citoi autoritetet të kenë thënë se mjeti shpërtheu rreth orës 9:45 në mëngjes. Mjeti me gjasë ishte dërguar në kompleksin banesor, Alye Parusa, nga korrieri.

Në mesin e viktimave ishte edhe Armen Sarkisian, themeluesi i një batalioni ushtarak me përkatësi armene, i cili ka luftuar në Ukrainë përkrah trupave ruse. Agjencitë e lajmeve Interfax dhe TASS cituan zyrtarë të paemëruar që thanë se ai vdiq pasi u dërgua në spital në gjendje të rëndë.

Dëshmitarët thanë se në kohën e shpërthimit, Sarkisian u pa duke ecur në një korridor të ndërtesës drejt një parkimi.

TASS e citon një zyrtar të paemëruar të forcave të rendit që tha se me gjasë ky ka qenë tentativë për vrasje.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.

Gazeta Kommersant raportoi se truproja i tij, Oleg Kasperovich, u vra dhe një truprojë tjetër u plagos rëndë.

Batalioni që Sarkisian thuhet se e ka themeluar quhet ArBat, tani formalisht pjesë e Redut, një rrjet mercenarësh të mbështetur nga inteligjenca ushtarake ruse.

Autoritetet ukrainase e kanë akuzuar Sarkisianin për përfshirje në dhunën e protestave të rrugës Maidan në Kiev në vitin 2014.

Sipas mediave ukrainase, ai gjithashtu është mik i ngushtë i ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili iku në Rusi pas protestave të Maidanit në vitin 2014.

Në prill të vitit 2018, Sarkisian u ndalua në Francë, ku po priste ekstradimin në Ukrainë. Megjithatë, ai u lirua pas dy ditësh “me garanci personale”.

Shpërthimi i së hënës është i dyti në muajt e fundit në kryeqytetin rus që ka tronditur banorët dhe ka ngjallur frikën për rikthimin e dhunës në rrugë që Moska e përjetoi gjatë viteve ‘90.

Në dhjetor, një gjeneral i lartë i forcave ruse të mbrojtjes kundër armëve kimike dhe biologjike u vra kur një skuter elektrik shpërtheu në trotuar pranë ndërtesës së tij.

(Radio Evropa e Lirë)