Hebron, 29 korrik 2025 – Awdah Hathaleen, një aktivist palestinez dhe gazetar që ndihmoi në realizimin e filmit dokumentar “No Other Land, i cili e fitoi çmimin Oscar, është vrarë gjatë një sulmi nga kolonët izraelitë në jug të kodrave në Hebron.
Në një video të publikuar të hënën shihet koloni izraelit, Yinon Levi, duke shtënë me armë zjarri ndaj banorëve të fshatit Umm al-Khair, në kohën kur u vra edhe aktivisti Hathaleen.
The Guardfian raporton se Levi u arrestua nga policia izraelite, por më pas u lirua në arrest shtëpiak.
“Levi menjëherë filloi të shtinte rastësisht mbi të gjithë. Ne i thamë ‘ka shumë njerëz këtu, ka fëmijë,mos qëllo’, por ai shtiu prapë se prapë”, ka thënë Alaa Hathaleen, kunati i Awdah Hathaleen.
Vrasja e tij erdhi mes një vale në rritje të dhunës nga kolonët dhe ushtria izraelite kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar. Të paktën 1,009 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7,000 janë plagosur atje që nga tetori 2023.
Ndëshkueshmëria ndaj kolonëve që kryejnë akte dhunë kundër palestinezëve është e rrallë. Vendbanimet izraelite konsiderohen të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.
Ministria e Jashtme e Francës ka reaguar ndaj vrasjes së aktivistit Hathalen, duke e cilësuar si akt terrorist dhunën e kolonëve izraelitë.
Ushtria izraelite ka pranuar se sulmi ka ndodhur. Ajo ka thënë se “një civil izraelit” i armatosur ka shtënë ndaj një grupi njerëzish, pa e specifikuar përkatësinë etnike të banorëve të sulmuar nga Levi.
Yinon Levi ishte vënë nën sanksione nga ish-presidenti amerikan Joe Biden , por u hoq nga lista e të sanksionuarve nga presidenti Donald Trump, ditën e parë të tij në detyrë, bashkë me dhjetëra kolonë të tjerë ekstremistë dhe organizata që terrorizojnë palestinezët në Bregun Perëndimor.
Levi është nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe.
(r.m.)