Vuçeviq: Serbia do të luftojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Beograd, 17 prill 2024 – Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se shteti i tij “do të luftojë me argumente, fakte, ligj, moral dhe besim në vetvete”, kundër pranimit të Kosovës së Këshillin e Evropës.

Vuçeviq e cilësoi votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë si “vazhdim i festivalit të hipokrizisë”.

Ai tha se të martën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u votua për diçka të paligjshme.

“Shkelja e normave bazike nga ana e tyre do të shndërrohet në ndëshkim për ta. Diçka që është e paligjshme nuk mund të bëhet e ligjshme përgjithmonë”, tha Vuçeviq për televizionin publik të Serbisë, të mërkurën.

Vuçeviq, i cili është ministër i Mbrojtjes në qeverinë në detyrë, tha se votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës “nuk ka të bëjë vetëm me pyetjen nëse Kosova është shtet, por edhe me fatin se “nuk janë respektuar as parimet bazë që vetë ata (eurodeputetët) i kishin caktuar” për çështjen e anëtarësimit të Kosovës. Në këtë kontekst, ai e ka veçuar si “parim kryesor” atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vuçeviq, i cili është njëri ndër besnikët më të mëdhenj të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia nuk kishte shumë hapësirë veprimi kundër votimit për anëtarëesimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por paralajmëroi se Serbia do të vazhdojë të luftojë për ta realizuar këtë.

“Nuk kishte shumë hapësirë manovrimi, por nuk ka tërheqje dhe as nuk ka dorëzim”, u shpreh ai.

Disa prej eurodeputetëve që diskutuan në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës para votimit përkujtuan se, në marrëveshjen bazë për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, thuhet se asnjëra palë nuk do ta pengojë tjetrën në procesin e anëtarësimit të organizata dhe institucione ndërkombëtare.

(r.m.) 

Comment

*