Vuçiq: Armatosja e Kosovës përbën shqetësim për Serbinë

Beograd, 4 janar 2026 – Aksioni ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë dhe kapja e Presidentit Nicokas Maduro e ka shtyrë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të thërrasë me urgjerncë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Vuçiq, pas mbledhjes, në konferencë për medie, ka shprehur shqetësimin se aksioni amerikan ndaj vendit mik të Serbisë është bërë një kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

“Normat ndërkombëtare nuk funksionojnë më. Duhet ta kuptojmë dhe ta pranojmë se Karta e Kombeve të Bashkuara nuk funksionon pas aksionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë”, ka thënë ai, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Vuçiq ka treguar se në mbledhjen e sotme të këshillit, ku marrin pjesë autoritetet më të larta shtetërore dhe udhëheqësit e strukturave të mbrojtjes e sigurisë është diskutuar edhe për “sigurinë ushtarake dhe politike rajonale”.

“Jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e pozitës që ka vendi ynë në hapësirën e Evropës Juglindore”, ka thënë ai.

Vuçiq e ka cilësuar shqetësuese për Serbia armatosjen e Kosovës.

“Serbia është e shqetësuar për armatosjen e Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e OKB-së. Prishtina po armatoset me shpejtësi dhe këtë po e bën sidomos nga Turqia”, është shprehur ai.

Vuçiq ka thënë se bashkëpunimi ushtarak i Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë përbën “kërcënim të hapur” për Serbinë dhe ka shtuar se Serbia po përgatitet për mbrojtje nga çfarëdo kërcënimi.

“Prishtina, Tirana dhe Zagrebi po punojnë në një sistem kompleks ushtarak që përbën shqetësim për Serbinë. Po përgatitemi për mbrojtje kundër atyre që kërcënojnë hapur vendin tonë’, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është diskutuar edhe për armatosjen e Serbisë dhe për plotësimin e rezervave ushtarake.

“Diskutuan si të vazhdojmë të armatosemi. Për një vit e gjysmë do ta dyfishojmë kapacitetin tonë ushtarak dhe do ta rrisim kapacitetin njerëzor me një të tretën”, tha ai.

‘Do të kemi investime të reja në industrinë ushtarake dhe për të plotësuar rezervat e ushqimit, ujit dhe municioneve. Kemi karburant të mjaftueshëm për ushtrinë’, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se Serbia do të mbeshtetet vetëm në forcat e veta, në rast të ndonjë kërcënimi.

“Mbështetu te vetja dhe te kali yt. Askush përveç vetes sonë nuk do të na ndihmojë nëse dikush nga rajoni mësyn kundër nesh”, ka thënë ai.

Por, ka theksuar se “forca mbrojtëse” e Serbisë është më e madhe se “rreziku i një agresioni të mundshëm”.

“Ne e ruajmë paqen duke mos sulmuar askënd, por e kemi një forcë të madhe parandaluese. Në këtë moment nuk ka rrezik nga agresori. Forca jonë është më e madhe se rreziku i një agresori potencial”, ka thëksuar Presidenti i Serbisë.

(r.m.)