Vuçiq bisedon me ambasadoren kineze për Kosovën

Beograd, 17 gusht 2022 – Situata në Kosovë ka qenë temë diskutimi në një takimi mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ambasadores kineze në Beograd, Chen Bo.

Siç ka njoftuar presidenca serbe, takimi, i mbajtur me kërkesë të Vuçiqit, ndodhi një ditë para vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Më 17 gusht, siç është paralajmëruar, presidenti i Serbisë do të ketë një takim me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili më pas do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas njoftimit të presidencës serbe, Vuçiq i ka thënë ambasadores kineze se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut si e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës dhe se Beogradi po kërkon që Prishtina të zbatojë marrëveshjet e arritura.

“Për nëntë vjet nuk u ka shkuar në mendje të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Presim që BE-ja dhe partnerët perëndimorë të ndikojnë te Prishtina që seriozisht dhe me përgjegjësi t’i përmbushë obligimet e saj, siç ka bërë Serbia”, tha Vuçiq, sipas njoftimit.

Vuçiq ka theksuar se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq, sipas njoftimit, ambasadorja kineze ka thënë se shteti i saj do të mbështesë gjithmonë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.

Ambasadorja Chen po ashtu ka thënë se Kina përkrah gjetjen e një zgjidhjeje në kuadër të dialogut, nën ombrellën e rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Vuçiq dhe ambasadorja kineze Chen, kanë diskutuar edhe për projektet aktuale dhe të planifikuara midis Serbisë dhe Kinës.

Rusia dhe Kina mbështesin qëndrimin e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.

(REL)