Vuçiq: Danilo është pak më trim se Albin Kurti

Beograd, 28 qershor 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka konfirmuar se djali i tij, Danilo, është ndaluar nga policia e Kosovës në periferi të Prishtinës dhe është detyruar ta zhveshë një bluzë me simbole e mesazhe provokuese për shtetasit e Kosovës.

Të mërkurën në mbrëmje, Policia e Kosovës e ka ndaluar djalin e Presidentit të Serbisë, Danilo Vuçiqin, në periferi të Prishtinës, dhe e ka detyruar ta zhveshë bluzën me stemën e Serbisë në pjesën e përparme dhe me parullën “Dorëzimi nuk është opsion”, në pjesën e prapme.

Vuçiq e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për këtë veprim të policisë së Kosovës. Por, ai e ka mburrur vetëveten dhe të birin, Danilon, se janë “pak më trima” se Kurti.

“Kjo është puna e tyre. Tri herë e kanë ndaluar veturën, i kanë bastisur dhe i kanë keqtrajtuar. E përgëzoj Albin Kurtin për guximin. Ai nuk është kaq i guximshëm kur është me mua, por në rregull. Kur i dërgojnë disa të tjerë që të duken të rëndësishëm me fëmijët e të tjerëve, është në rregull. Danilo nuk është i vogël, është pak më trim se Albin Kurti”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se djali i ti, Danilo, i veshur me po atë bluzë, ka kaluar “nëpër qendër” të Prishtinës dhe ka shkuar në Graçanicë “vetëm që t’i lutet Zotit”.

Vuçiq e përdor parullën “Dorëzimi nuk është opsion”, të stampuar në pjesën e prapme të bluzës së të birit, Danilos, sa herë dëshiron të përcjellë mesazhin se ai nuk do të ndalojë por do të vazhdojë të luftojë për “kthimin” e Kosovës në Serbi.

(r.m.)