Beograd, 18 qershor 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 18 qershor se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, që është thirrur nga Brukseli.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.
Vuçiq saktësoi se do të vendosë nëse, siç tha ai, “teknikisht të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.
“Por, të flasim me Kurtin, jo”, shtoi ai.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin në një takim që është thënë se do të mbahet javën e ardshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në takimin e Brukselit. Ai të shtunën, më 17 qershor, deklaroi për mediat në Prishtinë, se ekipi i tij do t’i përgjigjet ftesës së Borrellit në fillim të javës së ardhshme.
Vuçiq tha po ashtu se takimi me kryeministrin e Kosovës ishte kushtëzuar me përmbushjen e kërkesave të Serbisë: tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga komuna e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe lirimin e serbëve të arrestuar.
Vuçiq u shpreh se Serbia u përpoq, siç tha, që në çdo mënyrë të ruajë paqen dhe progresin.
“Sidoqoftë, sado që ne u përpoqëm që të jemi një partner serioz i fuqive perëndimore, ne jemi në rrugën evropiane, ua them sinqerisht, ata kurrë nuk na kanë parë ne në atë mënyrë. Nëse ne nuk do të respektonim çdo kërkesë, do të ishim fajtorë, edhe pse nuk jemi fajtorë”, shtoi ai.
Presidenti serb tha se shteti i tij do të mbetet në rrugën evropiane derisa ai ta udhëheqë Serbinë. Megjithatë, ai vlerësoi se gjatë kësaj periudhe, Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së.
Ftesa nga Brukseli për takimin mes dy liderëve erdhi pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Tensionet në këtë pjesë, që banohet me shumicë serbe, nisën më 26 maj kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të tri komunave që të hyjnë në objektet komunale, përkundër kundërshtimit të serbëve lokalë.
Kryetarët e rinj të katër komunave në veri u zgjodhën më 23 prill, në zgjedhjet që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.
Vuçiq kërkon ekzaminim nga EULEX-i për rastin e policëve
Lideri serb po ashtu tha se Beogradi ka kërkuar një ekzaminim poligrafik nga misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) për rastin e tre policëve të arrestuar të Kosovës. Vuçiq saktësoi se pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që kanë bërë arrestimin, janë të gatshëm për një ekzaminim të tillë, në mënyrë që të saktësohet vendi se ku u arrestuan policët e Kosovës.
Serbia thotë se tre policët e Kosovës u arrestuan “thellë” brenda territorit serb, por Kosova thotë se ata u rrëmbyen më 14 qershor në territorin e Kosovës.
Megjithatë, Vuçiq tha se EULEX-i “nuk është i interesuar” për kërkesën e Beogradit.
Më 16 qershor, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.
“Ne nuk jemi në luftë që të shkëmbejmë të burgosur. Nëse dikush është fajtor, kjo do të vendoset nga autoritetet tona”, tha Vuçiq në Beograd.
Lideri serb krikoi ashpër EULEX-in, mision që monitoron rastet e serbëve të arrestuar në Kosovë dhe trajtimin që u bëhet nga autoritetet. Vuçiq tha se Serbia posedon një nga raportet e EULEX-it, i cili, sipas tij, “nuk thotë asgjë”.
“E vetmja gjë që po monitoroni është se si po dëbohen serbët”, tha Vuçiq.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe shtete të tjera perëndimore kanë kërkuar që Beogradi të lirojë menjëherë policët e Kosovës.
Ndaj tre policëve të Kosovës, një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Departamenti amerikan i Shtetit më 17 qershor i bërë thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë policët e Kosovës, që sipas Uashingtonit, po mbahen në paraburgim nën akuza të pabaza.
Presidenti i Serbisë njoftoi se serbët në Kosovë do të marrin “vendime aktive” në periudhën e ardhshme, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.
Ai tha se në Vidovdan, festë ortodokse që shënohet më 28 qershor, serbët “do të hedhin paqësisht hapat e tyre në rrugën drejt lirisë”.
E përditshmja serbe, Blic, raportoi më 17 qershor se serbët në Kosovë do të nisin në mënyrë të pavarur të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Duke cituar burime, kjo gazetë raportoi se po planifikohet që në të ardhmen të mbahet një kuvend i popullit serb në Kosovë, në të cilin do të shpallet Asociacioni dhe do të krijohen organet e tij.
Ky lajm nuk është konfirmuar nga Beogradi zyrtar.
Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur dy marrëveshje (më 2013 dhe 2015) në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por marrëveshja mund të harmonizohet përmes akteve ligjore.
(REL)