Vuçiq e Dodik pajtohen për një takim të “të gjitha autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe Republikës Serpska

Banjallukë (Bosnjë e Hercegovinë), 20 korrik 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai dhe Presidenti i Republikës Serpska, Milorad Dodik, janë pajtuar të organizojnë një takim të përbashkët të “të gjitha autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe Republikës Serpska për të diskutuar për zhvillimet në këtë entitet dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Ai ka thënë se ky takim do të mbahet sa më shpejt, në territorin e Republikës Serpska, në Bosnjë e Hercegovinë.

“E dëgjova me vëmendje të madhe tregimin e presidentit Dodik lidhur me të gjitha zhvillimet në Republikën Serpska dhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe u pajtuam ta organizojmë një takim të të gjithë trupave shtetërore të Serbisë dhe të Serpskas, në territorin e Republikës Serpska, sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Vuçiq, në një postim në Instagram, më 20 korrik.

Takimi i Dodikut dhe Vuçiqit u zhvillua në kohën e rritjes së kritikave të faktorit ndërkombëtar për Dodikun, kryesisht për shkak të veprimeve të institucioneve të këtij entiteti të cilat konsiderohen si veprime destabilizuese për shtetin e Bosnjës e Hercegovinës.

Qeveria e Republikës Serpska ka miratuar pak ditë më parë rezolutë për të mos zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës e Hercegovinës dhe për të mos i publikuar në gazetën zyrtare vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

Shefi i diplomacies së BE-së, Josep Borrell, ka thënë të mërkurën se deklaratat e Dodikut janë kundër perspektivës evropiane të Bosnjës eHercegovinës.

“Akti i largimit prej rendit kushtetues duhet të ndalet. Retorika përçarëse, kërcënimet për ndarje, kërcënimet ndaj integritetit territorial dhe madhërimi i kriminelëve të luftës duhet të ndalet, sepse nuk ka vend për diçka të tillë në Evropë”, ka thënë Borrelli në takimin e pestë të Këshillit për Stabilizim-Asociim, Bosnje-BE.

Veprimet e Dodikut i ka kritikuar edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një dëshmi të dhënë para anëtarëve të Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, më 18 korrik.

“Veprimet e vazhdueshme, përçarëse dhe jodemokratike kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ai.

Prej shpërthimit të krizës së fundit në Bosnjë e Hercegovinë, Presidenti i Serbisë kryesisht ka qëndruar anash. Ai ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë zhvillimet atje.

(r.m.)