Vuçiq: Formimi i Asociacionit – parakusht për normalizimin e marrëdhënieve

Beograd, 13 mars 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili shkoi në Beograd për një vizitë dy ditëshe, u takua me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të siguruar një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe planin për zbatimin e saj.

Kabineti i Vuçiqit, në një komunikatë të shkurtër për medie, e ka cilësuar takimin “të vështirë dhe përmbajtjesor.

Sipas njoftimit, Vuçiq ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Sipas tij, asociacioni është premisë për sigurinë e dhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë.

Vuçiq ka përsëritur edhe me këtë rast insistimin e tij për “një zgjidhje kompromisi” me Kosovën.

“Presidenti ka theksuar se Serbia me përgjegjësi po punon dhe është e përkushtuar të marrë pjesë në bisedime me qëllim të arritjes së një zgjidhje kompromisi, i nevojshëm për normalizim të jetës dhe një për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.

Vuçiq ka njoftuar në Instagram se ai do të vazhdojë bisedimet me zotin Lajçak të hënën në mbremje dhe të martën.

 “Biseda për Kosovën dhe të ardhmen evropiane të Serbisë do të vazhdojë sonte dhe nesër”, ka shkruar ai.

Miroslav Lajçak është takuar të hënën në Beograd edhe me përfaqësues të partive opozitare proevropiane në Serbi, ku është diskutuar për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes kosovën, të propozuar nga Bashkimi Evropian.

Euroneës Serbia raporton se opozitarët serbë kanë shprehur rezervat e tyre lidhur me nenin 4 të propozimit, i cili ka të bëjë me pranimin e Kosovës në organizatat ndërkonbëtare.

Ata e kanë kritikuar pushtetin në Serbi për ngecjen e procesit të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.  

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi ishte javën e kaluar në Prishtinë, ku u shpreh optimist se palët do të arrijnë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve në takimin e tyre të ardhshëm që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë ta nënshkruajë marrëveshjen, duke shprehur bindjen se ajo shpie drejt njohjes  së ndërsjellë.

(r.m.)