Vuçiq i akuzon fuqitë mëdha për pavarësinë e Kosovës: “Fuqitë e mëdha kanë vetëm parime të rreme”

Nju Jork, 21 shtator 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka drejtuar kritika të forta ndaj “fuqive të mëdha” botërore që e mbështesin pavarësinë e Kosovës.

Të enjtn, në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuçiq ka thënë se fuqitë e mëdha kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara në rastin e Kosovës, ndonëse nuk ia ka përmendur emrin.

“Dua të flas se si mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar mund të çojë në ndarjen e vendit tim që filloi në 2008”, është shprehur Vuçiq.

Ai ka thënë se paqja dhe stabiliteti global janë nën kërcënim të vazhdueshëm për shkak të shkeljes së kartës së Kombeve të Bashkuara.

“Pikërisht shkelja e Kartës së OKB-së në rastin e Serbisë ishte një nga paralajmërimet e qarta të problemeve të shumta me të cilat ballafaqohemi të gjithë ne sot, të cilat shkojnë shumë përtej kufijve të vendit tim apo të rajonit nga vij unë”, ka thënë ai.

Në mënyrë specifike, Vuçiq e ka akuzuar Gjermaninë se “nuk e respekton” Kartën e Kombeve të Bashkuara.

“Ministria gjermane tha se Gjermania e respekton fuqishëm Kartën e Kombeve të Bashkuara. Kjo do të ishte gjë e mirë, sikur të ishte e vërtetë”, është shprehur ai.

Vuçiq ka theksuar se mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare “mund të ketë pasoja të tmerrshme”.

“Të gjithë ata që kanë kryer agresion kundër Serbisë sot flasin për integritetin territorial të Ukrainës. Ne e mbështesim atë dhe nuk i ndryshojmë parimet tona, për ne çdo dhunë është e njëjtë”, ka thënë ai.

Presidenti i Serbisë e ka shfrytëzuar solidaritetin me Ukrainën për të plasuar qëndrimi e tij për Kosovën.

“Respektimi i Kartës së OKB-së nuk është zgjedhje, por detyrim. Jam dakord kur bëhet fjalë për domosdoshmërinë e respektimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Serbia e bën këtë për çdo anëtar të OKB-së, por nuk e kuptoj se si disa nuk e bëjnë këtë për Serbinë. Zbatimi selektiv i parimeve çon në ndarje të thella”, ka theksuar Vuçiq.

“Ne nuk i kemi ndryshuar parimet për nevoja të politikës ditore dhe ashtu siç e mbrojmë sovranitetin e vendit tonë, e mbrojmë edhe sovranitetin e çdo vendi anëtar të OKB-së”, ka shtuar ai.

Vuçiq i ka akuzuar të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës se “kanë shkelur” Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Unë e kam mbështetur fjalën e presidentit amerikan për respektimin e integritetit territorial dhe të të drejtave të njeriut, por pothuaj të gjitha vendet perëndimore e kanë shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244”, ka thënë ai ai.

“Ne nuk i ndryshojmë parimet tona, Për ne çdo dhuna është e njëjtë. Çdo shkelje e Kartës së OKB-së është e njëjtë, pavarësisht nga forca dhe pavarësisht nga justifikimet. Por, kur i pyesim se çfarë i është bërë vendit tim, marrim përgjigjen që të gjithë ju presidentë të vendeve më të vogla e keni dëgjuar një milion herë: ‘Mos u ktheni në të kaluarën’”, është shprehur Vuçiq.

“Parimet nuk ndryshojnë nga rasti në rast, parimet nuk vlejnë vetëm për të fortët. Nëse ato ndryshojnë kaq lehtë, atëherë nuk janë parime. Të gjitha rregullat duhet të zbatohen për të gjithë ose bota do të përfundojë në konfliktet më të rënda”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti i Serbisë ka thënë se fuqitë e mëdha botërore kanë “vetëm parime të rreme”.

“… paqja është bërë një fjalë e ndaluar. Të gjithë i kanë të preferuarit dhe fajtorët e tyre. Fuqitë e mëdha kanë vetëm parime të rreme”, ka thënë ai.

Vuçiq ka drejtuar akuza të rënda edhe në adresë të Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Albin Kurti.

“Jo më larg se javën e kaluar, Albin Kurti u kërcënua në Bruksel se serbët do të paguajnë dhe do të vuajnë. A është e mundur një tallje kaq e rëndë me njerëzimin dhe me rendin ndërkombëtar?”, ka thënë ai.

“Cinizmi i regjimit të Kurtit shkon aq larg sa, pavarësisht se BE-ja dhe Amerika kanë lëshuar deklaratë ku e dënojnë dhunën e autoriteteve në Prishtinë, numri i sulmeve ndaj serbëve është rritur”, ka thënë Vuçiq.

Por, sipas tij, pavarësisht kësaj, fuqitë e mëdha e fajësojnë edhe Serbinë.

“Ata gjithmonë thonë se për gjithçka janë fajtorë të dy palët. Ne nuk i kemi ndryshuar parimet për hir të politikës ditore. Ashtu siç e mbrojmë integritetin e Serbisë, ashtu e mbrojmë integritetin e çdo anëtari të OKB-së. Thjesht, është për të ardhur keq që ata të mëdhenjtë, ata që vendosin, thirren në parimet e tyre, atyre që u përshtaten në momentin e caktuar. Është e qartë se po hyjmë në një epokë konfliktesh të mëdha”, ka theksuar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë ka bërë të qartë se vendi i tij nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht se synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Jam këtu, si përfaqësues i një vendi që është në rrugën e anëtarësimit në BE, por nuk është i gatshëm t’ua kthejë shpinën miqësive që i ka ndërtuar me shekuj”, ka thënë ai, pa e përmendur shprehimisht Rusinë.

(Citatet janë marrë nga gazeta “Danas”)